Shkolla “11 Tetori” në Novosellë, ku mësimin e ndjekin rreth 200 nxënës, është djegur tërësisht në fund të vitit 2017. Prej atëherë e këndej, nxënësit mësojnë në objekte tjera të improvizuara nëpër fshat, ndërsa objekti i cili u premtua se do të rinovohet, ende nuk është përfunduar
Urim HASIPI
Tetovë, 12 shtator – Objekti i rindërtuar i shkollës fillore “11 Tetori” në fshatin Novosellë të Komunës së Bogovinës nuk i plotëson kushtet për mësim dhe ende nuk është përfunduar. Këshilli i prindërve, së bashku me banorët dhe mësimdhënësit, bojkotojnë mësimin dhe procesi edukativo-arsimor ende nuk ka filluar aspak. Ata janë ankuar se objekti që u përfshi nga flakët ende nuk plotëson kushtet për zhvillim normal të mësimit, shkruan gazeta KOHA.
“Siç e dini, shkolla është djegur dy vjet e më shumë, kemi patur premtime se shkolla do të bëhet. Na kanë premtuar se në këtë vit shkollor do të kemi objekt të ri shkollor. Ka një kohë të gjatë që askush nuk ka ardhur të na vizitojë. Jemi në një pikë ku filloi viti shkollor, gjendja e shkollës është e papërfunduar, kemi mungesë të një klase, pra 6 paralele me dy ndërrime, pra 12 paralele, kurse kemi 13 paralele, nuk kemi zyrë për arsimtarët, tualetet janë në gjendje të mjerueshme, dyert nuk mbyllen. Prindërit janë kategorik që derisa nuk ka kushte elementare për mbajtjen e mësimit, nuk do të lëshojnë fëmijët të vijnë në shkollë pa u plotësuar kushtet elementare”, tha Reshat Azizi nga Këshilli i prindërve të kësaj shkolle.
Ai tha se kanë dhënë premtime të gjithë se shkolla do të ketë kushte shumë shpejt. Drejtori i shkollës ka thënë se janë dhënë premtime vitin e kaluar se brenda 60 ditëve do të kryhen punët për këtë shkollë. “U përzgjodh një firmë, ajo braktisi punët, pastaj një firmë tjetër e ka marrë tenderin dhe filloi punët mirë. Por, kohëve të fundit janë zvarritur punët edhe pse premtimet kanë qenë se shkolla do të ndërtohet në kohë. Është çështje e Ministrisë që të merret me këtë çështje” tha Beshir Hakiki, drejtor i shkollës.
Lidhur me këtë, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi ka paralajmëruar se nëse janë tejkaluar afatet për rikonstruimin e objektit shkollor, atëherë do të inicojnë procedurë hetimore. “Ne kemi garantuar se shkolla në Novosellë do të ndërtohet. Janë kryer të gjitha procedurat, i kemi respektuar. Jam i njoftuar nga operatori se ka ngecje, por më është dhënë garancia që sa më shpejtë do të përfundojë në përputhje për ndërtimin e shkollës së re në fshatin Novosellë. Nuk kam informacione për ngjarjet e sotme, por do të kontaktoj të gjitha palët, dhe ne mbetemi në qëndrim që shkolla të përfundojë sa më shpejtë. Nëse ka vonesa të pajustifikueshme nga ana e operatorit, atëherë do të inicohet procedurë hetimore”, tha ministri Ademi.
Shkolla “11 Tetori” në Novo Sellë, ku mësimin e ndjekin rreth 200 nxënës, është djegur tërësisht në fund të vitit 2017. Prej atëherë e këndej, nxënësit mësojnë në objekte tjera të improvizuara nëpër fshat, ndërsa objekti i cili u premtua se do të rinovohet, ende nuk është përfunduar. (koha.mk)