Bujar KURTAJ
Shkup, 11 gusht – Nëse do të mendonit për pak sport dhe fitnes në ditët e nxehta të stinës së verës zgjidhja është e garantuar. Sporti më i mirë do të ishte pa diskutim noti. Përveçse përbën një sport të sigurt në forcimin e zemrës, muskujve dhe rritjen e fleksibilitetit, të notuarit është një tjetër alternativë në rritjen e cilësisë së jetës. Ndryshe nga të tjerët është sporti që ka më shumë aventurë, fitnes dhe argëtim duke thyer kështu rutinën e ditës suaj. I tillë është edhe klubi i notit “Liria” nga Shkupi, klub i cili u formua në vitin 2016 nga trajneri me perspektivë të madhe Faton Ganiu, por edhe trajneri Avni Musliu. Ndryshe, Ganiu i cili jeton në fshatin Straçinc dhe njihet më shumë si trajner apo instruktor i notimit, është edhe profesor kulturës fizike, rrjedh prej një familjes të arsimuar profesorësh të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në intervistën për gazetën KOHA, Ganiu tregon për fillimet e para me notin, idenë për të hapur klubin “Liria”, aktivitetet e garuesve të klubit të tij dhe synimet e tija dhe të klubit.
KOHA: Si lindi ideja që të merresh me këtë sport duke marr parasysh se tek shqiptarët shumë pak është i përfshirë?
GANIU: Gjatë fëmijërisë pushimet dhe kohët e nxehta verore i kalonim në plazh apo në pishina të qytetit dhe jashtë saj. Në këtë periudhë në plazh merreshim me sporte kolektive, por shihja se më shumë i përkas një sportivi individual si notimi. Kur vërejta se po bëhem më i afërt me ujin apo sportin e notit, falë një anëtari të familjes nga i cili mora hapat e parë, zotova teknikën bazë e notit. Edhe pse tek ne në Maqedoni sporti i notit ka një traditë të madhe ku mund të cekim një notare si Atina Bojaxhiu e shumë të tjerë, atëherë shohim se sa ka pas vlerë dhe ku ishte ky sport e ku është tani.
KOHA: Ku i ke bërë hapat e parë si notues dhe a ke marr pjesë në gara?
GANIU: Hapat e para të notit ishin pishinat e qytetit, pushimet që bënim gjatë verës. Aty u shfaq një motivim një interesim të njihem më gjerësisht se si funksionon ky sport, çfarë disiplina ka, në cilat do e gjej veten. Njëherit ndiqja kurse të noti në klub, orë private dhe kështu vazhdova të jem sportist aktiv. Në kohën kur merresha me sport pjesëmarrja në gara ish pak sa e shtrenjtë, për dallim prej tani, pastaj këtu luajti rol edhe mungesa e klubeve dhe trajnerëve të cilin do të më shtynin para për të bërë një karrierë apo për ti demonstruar aftësitë që i kisha. Merrnim pjesë vetëm në maratona në distanca të gjata un dhe kolegu im Avni Musliu, nga që ishte me e lehtë pjesëmarrja dhe paraqitja.
KOHA: Pas mbarimit të vitit të tretë, vendose të pajisesh me licencë për shpëtimtar të ujërave të mbyllura. Si ka rrjedh e gjithë kjo dhe pasi e more licencën a ke punuar në ndonjë prej pishinave tona që i kemi?
GANIU: Kur merresh me notim duhet të dimë që ky sport aktivitetet dhe garat e saj i kryen në ujëra të mbyllura dhe të hapura. E pash të arsyeshme që të regjistrohem dhe të fitoj njohuri nga trajnuesit e shpëtimtarëve. Për pajisjen e kësaj licence, nevojiteshin disa ditë kurs dhe ligjërata si dhe disa ditë kursi praktik në pishina. Pasi mbarova trajnimin fitova licencën, por gjatë këtyre viteve nuk më është dhënë rasti ta shfrytëzoj apo të punësohem me këtë licencë, por jam mirënjohës dhe falënderues që njoh dhe mund ta shfrytëzoj këto aftësi për veten dhe ndihmë për dikë tjetër.
KOHA: Mësuam se paralelisht keni punuar në klub si trajner dhe orë private si trajner i notimit dhe trajner?
GANIU: Gjatë vitit të fundit të studimeve doja të mësoj ndokënd që të notoj apo të jem pjesë e ndonjë klubi tani më si trajner. Në fillim merrja studentët apo kolegët e fakultetit të kulturës fizike, pra ata që s’dinin not dhe duhej patjetër ti nënshtroheshin provimit në lëndën e notimit. Me ata punoja nga dëshira që tu ndihmoj, por dhe unë të jem aktiv në këtë sport jo si notues, por tani më si trajnues apo instruktor notimi. Pastaj në dy pishinat e qytetit të Shkupit merrja terminë private që të mësoja persona që shfaqnin interesim për notim. Njëkohësisht u kyça dhe në klub si trajner, por dhe më orët private nuk ndërpreva. Për disa muaj sa përvetësonin një nga teknikat e notit, mundohesha ti nxjerr në gara ato notues dhe të shijojnë ujin dhe atmosferën garuese, kënaqësi dhe motivim i madh për mua dhe për notuesit.
KOHA: Në vitin 2012 kur i mbarove studimet u punësove si profesor i edukatës fizike, ndërsa katër vite më vonë, pra në vitin 2016 hape Klubin e Notit “Liria”. Si ndodhi që ju morët përsipër një barrë kaq të rëndë për të drejtuar një ekip noti shqiptar?
GANIU: Vendosa që të jemi hapëruesi ndoshta të një hapi shumë të madh, ku e dimë çfarë përgjegjësie më priste dhe një angazhim shumë i madh. Dokumentacionin bashkë me tani më trajnerin Avni Musliu, e dorëzuam në qendrën për regjistrim në Shkup dhe pas një kohe të gjatë morëm vendimin për regjistrimin e klubit dhe nxënësit që kishim aktiv në orët private, i aktivizuam në klubin ton dhe ashtu vazhduam dal ngadalë të funksionojmë si klub, derisa deri më sot kemi shumë anëtar të regjistruar tek ne. Sigurisht se është një përgjegjësi e madhe, por dashuria që kemi për këtë sport, lodhjet, ngarkesat dhe mundin që bëjmë, nuk e ndiejmë shumë ndoshta mund të themi e gjitha është e shndërruar në pozitivitet, ndërsa çdo herë themi kënaqësi të kemi fëmijë me të cilët do punojmë.
KOHA: A ka interesim për këtë sport dhe sa është numri aktual i anëtarëve të KN “Liria”
GANIU: Klubi i notit ‘Liria’ është shkollë e notimit ku nxënësit fillimisht marrin mësimin e ambientimit në ujë, pastaj kalojmë tek pjesa e mësimit të teknikave të notit, që donë të thotë se gjithçka çfarë ndodh tek klubi jonë, mundohemi të jetë profesionale. Kemi terminë të ndara në më shumë grupe, ku grupi i parë janë sportist aktiv, fëmijët. Këto i kemi të ndarë në 3 grupe: fillestarët, përparimtarët dhe garuesit. Ndërsa, në grupin tjetër apo grupi i dytë, kemi të rritur dhe të moshuar që s’dinë not apo duan të mësojnë ndonjë teknik baze të notimit. Si dhe kemi grup apo termin ku merremi me sportist me terminë private apo seanca stërvitore private. Klubi i notit ‘Liria’ numëron dy trajner dhe 50 anëtar fillestar, 20 garues (grupi i parë) dhe 15 të rritur (grupi i dytë). Kohë pas kohe kemi dhe nxënës që vijnë vetëm për të mësuar not por në përgjithësi shumica janë nxënës aktiv dhe që ngelin garues në klubin tonë.
KOHA: Si është klubi i notit “Liria” sa i përket rezultateve dhe cili është synimi juaj kryesor duke marr parasysh se jeni klubi i ri?
GANIU: Nga regjistrimi i klubit ku ceka dhe më lartë, jemi pjesëmarrës në gara në pishina dhe ujëra të hapura (maratonë). Deri më tani për një vit ekzistim klubi i notit ‘Liria’ ka gjithsej 11 medalje nga garat në vend dhe jashtë saj. Edhe pse shumë herët (një vit ekzistim dhe formim), mundohemi të jemi konkurrent në Maqedoni. Tani këtë vit synojmë që te jemi pjesëmarrës dhe në pesë maratone në vend dhe jashtë saj dhe disa gara në pishinë ku presim konfirmimin e datave dhe të kemi ftesë për pjesëmarrje. Mbi të gjitha synojmë që vitin tjetër të kemi dhe përfaqësues të shtetit nga klubi jonë.
KOHA: Do të merrni pjesë në ndonjë turne tjetër vendor apo ndërkombëtar?
GANIU: Këtë vit ishim pjesëmarrës në disa gara ku dhe patë sukses. Gara jashtë vendit ishte në Ksamil të Shqipërisë, ku morëm pjesë me 4 notues, nga të tri notuesit u kthyem me 4 medalje ari. Ndërsa, tani javën që lamë pas, morëm pjesë në maratonën e Ohrit ku u ndamë të kënaqur nga pjesëmarrja edhe pse realisht prisnim rezultat më të mirë, por u ndamë në shteg në pozitën e katërt. Për disa të qindtat të sekondës mungoi dhe një medalje të jetë pjesë e klubit tonë. Tani me 12 gusht kemi ftesë nga Federata e Republikës së Kosovës për të marr pjesë në maratonë në Batllavë, dhe në këtë maratonë ne do të marrim pjesë me 5 notues.
KOHA: A ka në klubin tuaj notarë që kanë premisa se një ditë do të arrijnë rezultate të mëdha?
GANIU: Kemi notar të mirë dhe presim që ata të marrim pjesë jo vetëm brenda vendit, por edhe në arenat ndërkombëtare. Pretendojmë me 4 notuesit më të vjetër në klub që kemi, por edhe me ata më të rinj nga mosha 8 deri ne 14 vjeç, ti përgatisim mirë që një ditë të bëhen notues të mëdhenj dhe të suksesshëm. Viti që vjen besoj dhe shpresoj që do na sjell rezultate më të mëdha në klubin tonë nga kampionati i Maqedonisë dhe garat jashtë saj.
KOHA: Çfarë përpjekjesh duhen bërë që të ketë sa më shumë fëmijë që merren me not?
GANIU: Prindërit duhet fillimisht të dinë se çfarë dobi sjell noti si sport në organizmin e njeriut dhe çfarë po anashkalojmë ne. Gjatë ligjërimeve dhe vizitave që si klub ua kemi bërë shkollave fillore dhe ato të mesme, kanë filluar që shumë persona të interesohen dhe të paraqiten për tu regjistruar te klubi jonë. Pas një kohe të shkurtër apo pas disa muaj, ata vetë e vërejnë ndryshimin në sistemi lokomotor dhe për nga funksionimi i organizmit të tyre. Këto raste i kemi të shumta ku mjekët i sugjerojnë ato për notim, por ndodh që pas një kohe nga analizat e bëra në mjek të del që kemi bërë ndryshim të madh nga lëndimi që anojnë. Prandaj ne gjithmonë ju themi atyre që më mirë të vijnë të mësojnë sportin e notit, para se ti sugjeron mjeku që ta bëjnë atë.
KOHA: Sa është i përfshirë ky sport në Maqedoni dhe a keni përkrahje nga Federata e Notit të Maqedonisë dhe nga faktori shqiptar?
GANIU: Sporti i notit është i përfshirë në një nivel të lartë te klubet, por nga ana e jonë apo nga ana shqiptare deri para disa vitesh, ishte vetëm not plazhi apo freski verore, derisa tani më ndryshe njihet dhe ndryshe vlerësohet. Klubi jonë në fillim u hasëm me probleme financiare ku ende i kemi të freskëta, ku bëjmë vetë financim së bashku me kolegun tim. Mjetet e punës, rekuizitat që i kemi, të gjitha pothuajse i kemi të improvizuara. Shpresojmë që do hasim në ndonjë adresë, ndonjë institucion privat apo shtetëror, që do të na përkrah dhe ndihmon. Ndihmë nga Federata s’kemi , por dhe shohim se ky institucion nuk funksionon si duhet pasi ka probleme të mëdha. Xhirollogarinë e ka të bllokuar edhe me serë problemesh të mëdha. Por, nga ajo del që edhe si klub s’jemi të pranuar ende në Federatën e Notit, dhe presim për përgjigje pozitive.
KOHA: Po në Kosovë e Shqipëri, ku qëndrojmë ne skaj këtyre dy shteteve shqiptare?
GANIU: Kosova dhe Shqipëria janë më aktiv dhe dallojnë nga ne. Federata e Notit të Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Komitetin Olimpik dhe Federatën e Notit (FINA), ndërsa Federata e Notit të Shqipërisë ka dhe bashkëpunim me Federatën e Notit të Italisë, ku nga kjo shohim se sa janë të ngritur dhe më aktiv, po punohet shumë. Shpresoj që dhe klubi jonë të ketë këtë fat po ashtu edhe ne si trajner.
KOHA: Thuhet se noti është sport që e ruan shëndetin. A është e vërtetë kjo dhe a mund të na tregosh dobitë e saja?
GANIU: Noti është aktivitet fizik me të cilin duhet të njihet çdo fëmijë që në moshë të hershme. Ky sport i cili kryhet në ujë zgjon tek fëmijët emocione të bukura dhe të lumtura. Kudo në botë noti është lëndë e detyrueshme në shkollën fillore, gjë e cila iu mundëson fëmijëve ti zhvillojnë dhe ti përvetësojnë teknikat e notit, dhe në të njëjtën kohë fëmijët të arrijnë të qëndrojnë vetë mbi ujë. Noti, përveç përfitimeve të shumta që ofron, gjithashtu ndikon pozitivisht në shëndetin dhe në zhvillimin e fëmijës.
- Përmirëson funksionin e lëvizshmërisë dhe të muskujve
2. Stimulon funksionimin e rregullt të sistemit kardiovaskular
3. Aktivizon dhe forcon të gjithë muskulaturën
4. Mundëson zhvillimin e duhur psikomotorik
5. Përmirëson koordinimin e lëvizjes
6. Zgjon ndjenjën e gëzimit dhe të dashurisë ndaj ujit
7. Parandalon shfaqjen e deformimeve në shtyllën kurrizore
8. Mundëson përvetësimin e teknikave të notit (stil I lirë, stil flutur, not shpine, not bretkose)
9. Nëpërmjet notit fëmijët socializohen dhe shoqërohen
10. Pasi të mësojnë të notojnë, fëmijët fitojnë vetëbesim, ata madje janë në gjendje që të shpëtojnë jetë të njerëzve në ujë.
Ky sport paraqet kulturën e jetës moderne dhe në të njëjtën kohë është më i përhapur në të gjithë botën. Fëmijën duhet mësuar që në moshë të vogël ti gëzohet dhe ta shijojë notin, të mos kenë frikë dhe të mos traumatizohen nga mjedisi I ujit. Fëmijët duhet ta duan ujin, të ndihen të lumtur dhe të sigurt në ujë. Të notuarit është një ndër aktivitetet që ndihmon dhe forcon zemrën, pasi përbën një ndër sportet më të pasura me lëvizje dhe teknikë ndryshe nga vrapi apo çiklizmi. Noti përbën sportin më gjithëpërfshirës, duke bërë të mundur vënien në lëvizje të të gjithë trupit. Efektet më të dukshme janë në qarkullimin e gjakut dhe tensionin e arterieve, sidomos për ata që vuajnë nga tensioni i lartë. Në sajë të lëvizjes të të gjitha gjymtyrëve të trupit, pas një seance noti do të ndiheshit me aktiv dhe energjik. Noti ofron diçka që asnjë ushtrim tjetër aerobik nuk mund ta ofrojë: mundësinë të lëvizni çdo pjesë të trupit dhe të mos krijoni presion në sistemin skeletor! Gjatë notit nuk krijoni presion në nyje siç ndodh me sporte të tjera. Kur trupi është i zhytur në ujë deri në bel, ju bartni vetëm 50 për qind të peshës suaj, kur trupi është i zhytur deri në gjoks ju bartni vetëm 25-35 për qind të peshës, ndërsa kur është i zhytur deri në kokë, ju bartni vetëm 10 për qind të peshës suaj. Kjo do të thotë që noti është ideal për ata që kanë probleme me ngurtësinë e muskujve dhe nyejt që dhembin. Por, përfitimet që sjell noti në aspektin shëndetësor janë të shumta. Nëse notoni 3 herë në javë nga 30 minuta, rreziku për krijimin e diabetit do të reduktohet në 10 për qind. Po ashtu, nëse jeni të sëmurë nga diabeti i tipit 1, notimi do t’ju ndihmojë jashtëzakonisht, sepse do të rrisë ndjeshmërinë e trupit ndaj insulinës. Të notuarit është vërtet i rëndësishëm, sidomos në ndërtimin e muskujve, si dhe forcimin e tyre. Madje noti ndihmon në zgjatjen e trupit, sidomos midis moshës 14-18 vjeç. Noti është sporti më perfekt që të vë në funksion tërësor gjithë muskujt e trupit duke amortizuar lodhjen në sajë të presionit të ushtruar nga uji. Në rregullimin dhe forcimin e muskujve bëhet i mundur gjithashtu edhe rregullimi i metabolizmit, duke mundësuar kështu djegien e kalorive më shpejt se në kushte të tjera. Të ushtruarit e notit, qoftë edhe në një pishinë të ngrohtë, bën të mundur tendosjen e muskujve, duke rritur fleksibilitetin. Gjithashtu edhe pas një vrapi të lehtë noti do të sugjerohej në të njëjtën mënyrë. Pak not do të ndihmonte në çlirimin e energjisë negative, apo edhe çlirimin e toksinave trupore që pengojnë tendosjen muskulore. Noti u këshillohet fëmijëve për një zhvillim të shëndetshëm dhe harmonik të trupit, por edhe të moshuarve e sidomos atyre që vuajnë nga ndonjë handikap. Njerëzit të cilët notojnë shumë deri sa ndiejnë lodhje e duket se po u “mbaron” fryma, në fakt kanë humbur kalori dhe peshë njëkohësisht. Çelësi kryesor është vetëm t’i japësh vetes pak forcë. Kështu me pak vullnet sporti i notit do të ndihmonte në mënyrën më efikase në reduktimin e kileve të tepërta. Ekspertët thonë se gjatë notit shpenzohen rreth 1200 kalori, në një seancë e cila mund të zgjasë 30 ose 40 minuta në ditë.