Zejnulla VESELI
Shkup, 14 mars – Noterët e Maqedonisë si dhe Shoqata e Punëdhënësve të Maqedonisë pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri për noterë, vazhdojnë të dezinformojnë opinion se Ligji në fjalë do të rrit harxhimet e qytetarëve, për shkak të angazhimit të avokatëve gjatë procesit për përpilimin e kontratave për shitblerje apo për marrëveshje të trashëgimisë në noter, shkruan gazeta KOHA. Sipas kryetarit të Odës së Avokatëve të Maqedonisë (OARM), Nikolla Dodevski, përkundrazi, Ligji i ri për noterë që tani më nga janari i këtij viti është në fuqi, do të zvogëlojë harxhimet e qytetarëve për shërbime noterie. “Prezenca e avokatëve në noter në procese që janë shumë të rëndësishme për qytetarët, përveç që do të zvogëlon harxhimet e qytetarëve, njëherit ofron dhe siguri më të madhe juridike për palët që kanë filluar procedure para noterit”, thotë Dodevskit. Ligji i ri, sipas Dodevskit, parasheh pjesëmarrje të obligueshme të avokatëve si mbrojtës i të drejtave të qytetarëve dhe aspak nuk pengon punën e noterëve, ndërsa noterët edhe me tej vazhdojnë të pengojnë punën e avokatëve, duke u ofruar palëve kontrata të gatshme pa praninë e avokatëve. Gjithashtu, Dodevski u shpreh se aspak nuk është e vërtet se me ligjin e ri firmat private do të duhet t’i largojnë nga puna juristët të cilët i kanë të angazhuar. “Aspak nuk është e vërtetë. Firmat edhe me tej mund t’i mbajnë në punë avokatët. Subjektet ekonomike që kanë arritur marrëveshje për pagesë për shërbimin e kryer me palët, lirisht mund t’i angazhojnë avokatët e tyre. Nëse dikush duhet të frikësohet se me hyrjen ne fuqi të Ligjit të ri për noterë shumë avokatë do të humbin punën, atëherë kjo do të ishte në dëm të Odës së Avokatëve. Vitin e kaluar Oda e Avokatëve ka punësuar 313 avokatë të rinj dhe 253 praktikantë apo gjithsej 515 juristë”, tha Dodevski, i cili u shpreh se OARM-së po i bëhet obstruksione si nga noterët, por edhe nga Shoqata e punëdhënësve. “Për fat të keq, noterët janë ata që po e pengojnë punën e avokatëve. Pra, nuk është ligji ai që e pengon punën e avokatëve, por noterët janë armiqtë të avokatëve. Ka noterë të atillë të cilët ofrojnë shërbime në pako, gjegjësisht marrëveshje të gatshme të vulosura dhe të nënshkruara me çmimi shumë të ulëta dhe një gjë e tillë jo vetëm që nuk është e lejueshme, por paraqet dhe vepër penale”, tha Dodevski. Kryetari i OARM-së Dodevski kërkoi që ministri i Drejtësisë, Valdet Xhaferi, të tërheq vendimin për interpretim autentik të Ligjit për noterë, ku kërkon që avokatët nuk duhet të jenë përpilues të marrëveshjeve. ”Interpretim autentik mund të jep vetëm Parlamenti i Maqedonisë. Me këtë sigurisht ministri dëshiron të mbrojë një grup të vogël të noterëve, të cilët nuk mund të pajtohen me faktin qe është obligim pjesëmarrja e avokatëve gjatë akteve të notareve”, tha Dodevski.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.