Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 mars – Gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit vazhdojnë të jenë ndër institucionet dhe fushat në Maqedoni, për të cilat qytetarët japin nota të dobëta, shkruan gazeta KOHA. Në shkallën prej 1 deri 5, nota mesatare e gjendjes së përgjithshme në gjyqësor është vlerësuar nga administrata me 2.39, ndërsa në shkallën prej 1 deri 5, nota mesatare e gjendjes së përgjithshme e luftës kundër korrupsionit është vlerësuar me 2.56.
Hulumtimet e fundit për përvojat, vlerësimet dhe perceptimet apo ndjesitë e të punësuarve në administratën shtetërore tregojnë se përkundër reformave të ndryshme vitet e kaluara, megjithatë akoma kemi rezultate që lënë për të dëshiruar në funksionimin e gjyqësorit dhe zvogëlimit të korrupsionit.
“Afër gjysma apo 54 për qind e të anketuarve në administratën shtetërore vlerësojnë se gjendja në gjyqësor në Maqedoni është e keqe, ndërsa 11 për qind e vlerësojnë situatën si të mirë. Vetëm 7 për qind e nëpunësve administrativ vlerësojnë se qytetarët kanë besim në sistemin juridik të shtetit, ndërsa bile 62 për qind vlerësojnë se qytetarët nuk kanë besim në sistemin juridik. Për rritjen e besimit në sistemin juridik, më shumë se gjysma e të anketuarve apo 55 për qind vlerësojnë se nevojitet të zvogëlohet ndikimi i pushtetit ekzekutiv apo qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, ndërsa 53 për qind vlerësojnë se nevojitet edhe rritje e pavarësisë dhe jo-anshmërisë së gjyqeve”, thuhet në hulumtim lidhur me kapitullin 23 si gjyqësori, antikorrupsioni dhe të drejtat themelore të njeriut të realizuar nga Komiteti i Helsinkit në Maqedoni dhe Instituti për Politikë Evropiane.
Gjithashtu, të anketuarit me përvojë pune prej 7 deri 10 vjet shumë më mirë e vlerësojnë situatën në raport me të punësuarit në administratë që kanë përvojë pune prej 1 deri 2 vjet. Administrata ka vlerësuar dobët edhe luftën kundër korrupsionit. Gati gjysma apo 46 për qind e të anketuarve e vlerësojnë në përgjithësi si të keqe gjendjen me luftën kundër korrupsionit, ndërsa vetëm 15 për qind të njëjtën e vlerësojnë si të mirë. Lidhur me të drejtat themelore të njeriut, në përgjithësi një e treta i kanë vlerësuar si të mira apo shumë të mira, ndërsa 30 për qind situatën e kanë vlerësuar sit ë keqe. Mendimet janë të ndara edhe për çështjen se sa Maqedonia është e gatshme ti bashkëngjitet BE-së në lidhje me të drejtat e njeriut. Afër një e treta apo 35 për qind vlerësojnë se Maqedonia është e gatshme në këtë drejtim, ndërsa 30 për qind nuk e besojnë diçka të tillë. Gjithashtu, të punësuarit me mbi 15 vjet përvojë pune vlerësojnë se Maqedonia është e gatshme të aderojë në BE, për dallim prej punëtorëve të administratës me përvojë pune prej 2-5 vjet që nuk e ndajnë një mendim të tillë. Nga ana tjetër, pjesa më e madhe e të anketuarve apo 89 për qind e tyre vlerësojnë se reformat në sistemin gjyqësor janë të rëndësishme për anëtarësimin e vendit në BE.
Anketa më tej ka treguar se administrata çmon lartë rolin e organizatave joqeveritare në realizimin e reformave të ndryshme në shtet. Bile, 80 për qind e të anketuarve në administratën shtetërore vlerësojnë se roli i sektorit civil është i rëndësishëm gjatë realizimit të reformave. Nga ana tjetër, gati gjysma apo 47 për qind vlerësojnë se institucionet kanë kapacitet të realizojnë reforma në fushën e gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe të drejtave themelore të njeriut. Njëherësh vetëm 4 për qind e të punësuarve në administratën shtetërore vlerësojnë se institucionet janë tërësisht të pavarura nga partitë politike në realizimin e reformave. (koha.mk)