Kina vazhdon të mbajë prapa Shtetet e Bashkuara në klasifikimin e përgjithshëm të medaljeve dhe dita e shtatë e Lojërave Olimpike, që po mbahen në Japoni, ishte një tjetër ditë e ngjeshur, megjithëse për hir të së vërtetës në fund të ditës në pozicionin e parë në renditje kërceu pikërisht vendi nipon.
Kështu notarja kineze Zhang Yufei dominoi garën e 200 metrave në not, në stilin flutur, duke vendosur madje edhe një rekord të ri olimpik, me kohën 2’ 03” 86. 23-vjeçarja e përfundoi garën me diferencë afërsisht një sekondë e gjysmë nga ndjekësja e saj më e afërt, 19-vjeçarja Regan Smith, ndërkohë pas notares nga Shtetet e Bashkuara u rendit bashkëkombësja e saj Hali Flickinger, që u ngjit në shkallën e fundit të podiumit.
Dy notaret amerikane dueluan gjatë për vendin e dytë, sidoqoftë në fund medaljen e argjendtë e meritoi adoleshentja nga Minnesota, që e mbylli garën për 0,35” më shpejt se sa 27-vjeçarja nga Pennsylvania.
Notari tjetër nga Shtetet e Bashkuara Caeleb Dressel siguroi medaljen e parë të artë në karrierë, në një garë individuale në Olimpiadë. 24-vjeçari nga Florida mbajti prapa kampionin në fuqi, australianin Kyle Chalmers, në garën e 100 metrave stil i lirë dhe falë një notimi të vrullshëm në pjesën përmbyllëse Dressel preku murin, duke thyer rekordin e vjetër olimpik, me kohën 47”02. Chalmers që triumfoi në këtë disiplinë pesë vjet më herët, në Lojërat e Rio de Janeiro-s e mbylli garën në vendin e dytë me 0,06” vonesë, ndërsa i treti u pozicionua 21-vjeçari moskovit Kliment Kolesnikov.
Në garën e 200 metrave stil bretkosë në Olympic Aquatics Centre triumfoi notari australian Izaac Stubblety – Cook. Në krye të garës ishte notari holandez Arno Kamminga, që e nisi vrullshëm aventurën e tij dhe u mundua të ruajë me të gjitha forcat vendin e parë. 25-vjeçari nga Katwijku notoi fuqishëm dhe pas 150 metrave të para sportisti holandez ishte madje nën kohën e rekordit botëror, sidoqoftë Kamminga nuk e ruajti dot të njëjtin ritëm dhe nga kjo gjë përfitoi në xhiron e fundit pikërisht Stubblety – Cook, që e ndali kronometrin në kohën rekord për historinë e olimpiadave 2’ 06” 38.
Pra me 0,63” diferencë e preku murin notari holandez, që pas argjendit në garën e 100 metrave stil bretkosë, ku u mposht nga britaniku Adam Peaty, mbeti sërish pa një medalje të artë në këto lojëra. Si rrallëherë dy medaljet e fituara prej Arno Kamminga-s janë të vetmet për përfaqësuesen holandeze në një olimpiadë, si për meshkuj ashtu edhe për femra, ndërkaq në vendin e tretë në këtë disiplinë u pozicionua finlandezi Matti Mattsson, që e përfundoi garën treçerek sekonde larg kreut.
Dita e enjte ishte një ditë shumë e mirë për ekipin amerikan, që ia doli të fitojë një tjetër medalje të artë në disiplinën e 800 metrave stil i lirë, falë notarit Robert Finke. 21-vjeçari nga Tampa Bobby Finke e mbylli në mënyrën më të mirë të mundshme debutimin e tij, duke thyer madje edhe rekordin e Shteteve të Bashkuara në këtë disiplinë.
Notari nga Florida e ndali kronometrin në kohën 7’ 41” 87, ndërsa i dyti u klasifikua italiani Gregorio Paltrinieri, që ndonëse udhëhoqi për pjesën më të madhe të garës e mbylli aventurën e tij me diçka më pak se çerek sekonde larg. Podiumi në këtë garë u plotësua nga notari ukrainas Mykhailo Romachuk, që i rrëmbeu medaljen e bronztë në fund notarit gjerman Florian Wellbrock.