Mua dhe të tjerëve na mungon malli për shkollën shqipe, malli për mësuesin normalist, për autoritetin e tij…, për atë lëndën mësimore në shkollë, në orët e së cilës mësonim të shkruanim bukur, për vlerat kulturore, letrare, artistike, estetike, historike e të tjera. Miku im! Unë dua të të besoj se nuk do ma paragjykosh nostalgjinë!
Nga Fadil LUSHI
Miku im i dashur! Unë nuk e kam ndërmend ta ndërtoj mendimin e gabuar dhe të pambështetur ndaj teje, pavarësisht se nuk kam “habere” se në “ç’derexhe” është kujtesa jote pamore dhe dëgjimore “karshi” vlerave të dikurshme kombëtare, “karshi” vlerave të mëparshme kulturore, letrare, artistike, estetike, historike, ndaj vlerave të popullit dhe në veçanti ndaj atyre edukuese, arsimore, demokratike dhe të tjera! Unë “nuk kam habere” sesi i perceptoje ti dikur nocionet e mësipërme!Unë, dhe brezi im, i kujtoj me shumë nostalgji vlerat që dukeshin asokohe. Me shumë nostalgji më kujtohet ajo oda e madhe dhe e mirë e dajallarëve ku gostiteshin miqtë e tyre, më kujtohet ajo odë e mirë e dajallarëve që ishte e hapur gjatë gjithë ditës! Më kujtohet fare mirë kur në odën e mirë të dajallarëve të mi shtrohej sofra për burra dhe të tjera tryeza prej dërrase për gra dhe për fëmijë. Më kujtohet fare mirë, kur në atë odë të mirë asnjë njeriu nuk i lejohej të merrte fjalën pa rend, aty, në hapësirat e odës, asnjë njeriu nuk i jepej e drejta që të bëjë zhurmën shurdhuese, nuk i lejohej që kokë më vete ta bëjë kuvendin, nuk i lejohej të bëhej thashethemexhi, nuk i lejohej që të bënte bisedën me temsile, më kujtohet sesi asokohe në atë odë të mirë të dajallarëve të mi nuk lejohej prezenca e kalamajve! Më kujtohet si sot kur në atë odë të mirë dhe të madhe, gjegjësisht në atë hapësirë humane të dajallarëve të mi, gostiteshin a priteshin miqtë e respektuar të fisit të nënëlokes sonë…, më kujtohet si sot që në kryeminderin e odës së mirë të dajallarëve të mi, ulej ai që ishte i denjë për atë vend, ai që dallohej a karakterizohej me urtësinë e tij!
Sot e gjithë ditën e Perëndisë nuk më hiqet nga kujtesa sesi asokohe në atë odë të mirë për miqtë e dajallarëve nuk bëhej muhabet i çfarëdoshëm, më kujtohet sesi në odën e mirë për miqtë e dajallarëve asnjëherë nuk bëhej muhabeti i njeriut që kishte vrarë veten, më bie ndërmend sesi në odën e mirë dedikuar miqve të dajallarëve asnjëherë nuk përgojohej jetimi, më kujtohet sesi në atë odën e mirë për miqtë e vëllezërve të NËNËS sonë, asnjëherë nuk flitej për pronën e pasanikut! Ti miku im i dashur, ti që ke moshën e fiqirit tim, a mos vallë (nuk) të kujtohet, sesi në odën e mirë për miqtë e dajallarëve e tu, asnjëherë nuk paragjykohej fukarai dhe varfëria e skajshme e tij, të kujtohet sesi në odën e mirë për miqtë e dajallarëve të katundarit prej fisniku asnjëherë nuk merreshin nëpër gojë lëneshat! Ti miku im i dashur, ti që ke moshën time, të kujtohet sesi në odën e mirë të dajallarëve asnjëherë asnjë burrë nuk lavdëroi fëmijët e tij…, nuk u lavdërua me pronat e tij, të kujtohen njerëzit që flisnin me shumë dashuri për mësuesin dhe kontributin e tij, të kujtohet kur burrat flisnin për klerin mysliman dhe shërbesat e tij fetare, të kujtohet se si atëherë në atë odë të mirë kuvendarët flisnin për solidaritetin…!
Ti miku im i dashur! A mos vallë njeh ndonjë njeri që do thotë se ajo oda e mirë e dajallarëve tanë (nuk) është zbehur, hajt të mos themi është zhdukur fare, ka sot sociologë të mirëfilltë që do të thonë a do të pranojnë sesi në një të ardhme shumë të afërt ADN-së së familjes shqiptare nuk do t’i merret a nuk do i harxhohet së koti fryma, a nuk shihni se si familja jonë dita-ditës është duke e humbur vlerën e saj identitare, a nuk shihni se nuk duket njeri këtejpari të thotë sesi familja jonë dita ditës katandiset a shpërbëhet, ka psikolog të mirëfilltë që do më thotë sesi brezit të ri i dobësohet karakteri!? Ka këtejpari gjuhëtar mendjendritur që do tregojë se në çfarë e në ç’nivel ka rënë kultura e fjalës shqipe…, ka njeri sot që do më thotë se në ç’nivel është kujdesi ynë ndaj fjalës së shkruar dhe të kënduar shqipe, ka njeri sot që do të vazhdojë t’i besojë asaj shprehjes proverbiale ku, pos të tjerash, thuhet: “Fjala e burrit, pesha e gurit”, apo kjo e fundit është zbehur fare, hajt të mos themi se me filozofinë dhe me moralin e kësaj shprehjeje proverbiale nuk merret më dot njeri! Ka njeri këtejpari që sot do të thotë se pse arsimi ynë fillor, i mesëm dhe ai universitar na është katandisur si mos më keq…, ka njeri në këtë nënqiellin tonë që do të thotë se shqiptarët edhe sot e gjithë ditën “vazhdojnë ta mbajnë shikimin e kokën kah orienti e prapanicën nga oksidenti a Evropa rrospi!”..,
Dikur fshatarët mirditas mendjendritur thoshin: “Po deshe t’ia zhgënjesh shpresat gjuetarit, rrëmbeja dyfekun dhe zagarin…, në do të zbulosh se ç’karakter ka ai që i vë vetes si qëllim kryesor të zërë poste sa më të larta shtetërore e shoqërore…, për përfitime e mirëqenie vetjake, bekoje me fjalët: t’u rrit mendja miku, po deshe të dish se ç’rrospi është oligarku, pyete për prejardhjen e pasurisë së tij!”
Ti, miku im i dashur! A mos vallë unë sot nuk kam të drejtë të bëhem nostalgjik për vlerat e dikurshme, vlera këto që sot nuk duken më këtejpari, a mos vallë unë nuk kam të drejtë të shndërrohem në njeri nostalgjik ndaj asaj ode a mexhlisi të mirë, ndaj atyre që ishin të gojës, ata që dinin ta mbanin bisedën të gjallë, a mos vallë ty, mua dhe të tjerëve na mungon malli për shkollën shqipe, malli për mësuesin normalist, për autoritetin e tij…, për atë lëndën mësimore në shkollë, në orët e së cilës mësonim të shkruanim bukur, për vlerat kulturore, letrare, artistike, estetike, historike e të tjera. Miku im! Unë dua të të besoj se nuk do ma paragjykosh nostalgjinë! (koha.mk)