Sociologu i cili, në mes tjerash, parashikoi shpërbërjen e BRSS tërhoqi vërejtjen se fuqia globale e SHBA-ve së shpejti do të jetë në rënie të shpejtë nën qeverisjen e Donald Trump-it. Profesori norvegjez Johan Galtung, i njohur si “babai themelues” i studimeve të paqes, ka parashikuar shumë ngjarje historike, siç janë kryengritja në sheshin Tianamen të Kinës dhe sulmi terrorist më 11 shtator 2001 në SHBA. Në vitin 2000 ka ngritur shumë pluhur në publik kur tha që fuqia globale e Amerikës do të përjetojë kolaps deri në vitin 2025, shkruan Independent. Mirëpo, kur në krye të shtetit erdh George W. Bush, parashikimet e veta i lëvizi në vitin 2020. Tani thotë se realiteti pasqyrohet në zgjedhjen e miliarderit bombastik. Platforma antiimigracion e Trump-it përputhet me atë çka ka përshkruar profesori në fazën e fundit të “shpërbërjes” në librin “Rënia e perandorisë amerikane – çka pastaj?”, ku është përshkruar ngritja e fashizmit para shkatërrimit të shtetit të fuqishëm. Presidenti i zgjedhur ka folur për deportimin e tre milion imigrantëve ilegal me t`u ulur në karrigen e presidentit, si dhe ndërtimin e murit në kufi me Meksikën. “Zgjedhja e zotëri Trump-it shpejton rënien. Natyrisht, se çka do të bëjë ai si president mbetet të shihet”, ka thënë Galtung. Profesori ka shtuar se qëndrimi kritik i Trump-it ndaj NATO-s gjithashtu flet për rënie të SHBA-ve si super fuqi. “Kolapsi i ka dy fytyra. Shtet tjera refuzojnë të jenë aleatë të mirë dhe SHBA-të duhen të kryejnë punët e pista, bombardimet nga lartësitë e mëdha, sulmet me dron nga zyret, vrasjet nga ana e forcave speciale”, ka thënë ai. Megjithatë, Xenia Wickett, shefja e programit amerikan “Chatham House” ka thënë për Independent, se është “plotësisht joreale” të besohet se SHBA-të nuk do të jenë fuqi globale deri më 2020. “SHBA-të janë fuqi globale nga shumë arsye. E kanë ushtrinë më të fortë në botë, janë të fortë në fushën e universiteteve, kompanive dhe mediave. Shteti mbetet ekonomia më e fortë në botë. Ideja se çkado prej këtyre mund të ndërrohet për katër vjetësh është joreale”, ka thënë ajo.