Laura PAPRANIKU
Shkup, 9 janar – Në historikun edhe ashtu jo shumë të gjatë të shkollave shqipe në Maqedoni, janë pasqyruar ngjarje të shumta dramatike, shumë rënie dhe pak ngjitje, por edhe momente të cilat kanë sjellë kthesa të mëdha. Vështrimi mbi këtë faqe të historisë, është padyshim i dhimbshëm, por për profesor Tahir Zajazi, njërin prej doajenëve të arsimit shqip në Maqedoni, është po aq i dhimbshëm edhe vështrimi mbi situatën aktuale të arsimit në Maqedoni.
“Të vështrosh arsimin në gjendjen ku ka rënë sot, është diçka shumë e dhimbshme. Nuk është aspak e vështirë të evidentosh probleme që bota i ka tejkaluar shumë kohë më parë, gjen ngarkesa të llojllojshme, mos ekzistim të sistemit të vlerave. Ende më i dhimbshëm është ky vështrim, kur sheh shkollimin universitar dhe pas universitar, ku nuk ka të ndalur ekspansioni i jo vlerave, pasi objektivi primar është vendosur te sasia në dëm të cilësisë”, shprehet ai në një intervistë ekskluzive për gazetën KOHA. Protagonist në thuajse të gjitha etapat e kësaj historie, në fillim si nxënës i Normales (1950/1951 – 1970/1971), e cila vendosi bazat e arsimimit dhe një taban të shëndoshë kombëtar në procesin edukimit, vëmendjes së profesor Zajazit nuk i shpëton sot e kësaj dite asnjë detaj që ka të bëjë me arsimin. Vlerësimi real i situatave, pa hiperbolizime dhe zbukurime, thotë se është i domosdoshëm për përparimin. E, meqë na ka munguar guximi për t’i parë gjërat “drejt e në sy”, jemi në këtë gjendje, sipas tij dëshpëruese.
Nga shkëlqimi në mjerim
Momenti kritik, ku ndodhi ngufatja më e madhe e shkollës shqipe, me pasoja fatale, ai konsideron se është mbyllja e dhunshme e Akademisë së Shkupit në vitin 1987, e cila ishte vazhdimi i Shkollës Normale. “Këtu ndodhi ndarja e madhe e shkollës shqipe nga misioni i të vepruarit si promotor i shoqërisë”. Ndërkaq, gjithçka ndodhi pas këtij momenti, në përpjekjet për rindërtimin e institucioneve të larta arsimore u shoqërua me shumë prapaskena politike, të cilat nuk ditëm t’i sfidojmë. “Mos mendoni se është rastësi që dy universitet në gjuhën shqipe janë në Tetovë dhe mos prisni që këtë Universitet, të cilin e kanë themeluar në Shkup të luajë mirëfilli rolin e Universitetit për të cilin kanë nevojë shqiptarët”, pohon Zajazi.
Me rrënimin e vlerave në arsim, sidomos në nivel të universiteteve, u dëmtua ajo pjesë e kombit e cila krijon energji për përparimin e tij. U krijuar një boshllëk prej rreth tre dekadave që ne nuk kemi institucione arsimore në nivelin e Normales, të pasuar nga Akademia. “Fakultete e tanishëm të mësuesisë, respektivisht Fakulteti Pedagogjik i Shkupit, ai i UT-së dhe UEJL-së nuk kanë asnjë pikë takimi me atë Normale. Janë gjëra të pa krahasueshme me njëra – tjetrën. Jo vetëm që i ndan një shekull në histori, por përbëjnë dy faqe krejt të ndryshme të historisë: e para plot shkëlqim kurse këto të dytat mjerim”, shprehet profesori, duke sjellë për argument të këtij konstatimi me rezultate e dobëta që tregojnë në mësimdhënie kuadrot që prodhojnë fakultete e tanishme të mësuesisë. Meqë institucionet e arsimit të lartë kanë dështuar të prodhojnë kuadro cilësore, pasojat janë reflektuar drejtpërdrejtë në cilësinë e arsimit fillor dhe të mesëm. Ndërkaq, sa më shumë të bie suksesi i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm, aq më shuam do të detyrohen të ulin kriteret e regjistrimit dhe të diplomimit universitetet. Është një rreth vicioz, që rinon hallakat e gjithë sistemit dhe ku fatkeqësisht kemi rënë prej shuam kohësh. Ja pra, për çfarë arsye kishim zhvillim kur në shkolla dominonin normalistët dhe ja ku jemi sot që mësues kemi kuadrot e fakultete të kthyera në “stacionin e fundit” për marrjen e diplomave – që edhe ashtu nuk e kanë peshën dhe vlerën që kishin dikur.
Shkollat e para shqipe, shkolla evropiane
Në fakt, arsimi shqip në Maqedoni ka qenë shpesh herë i vonuar në hap me kohën. Që në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, kur ndodhi masivizimi i shkollave fillore kishte mungesë të konsiderueshme të mësuesve. Në periudhën e pas ngjarjeve politike të viteve ’80 të shekullit në Kosovë, u dhunua në mënyrë makabre arsimi shqip në Maqedoni. Nga 32 shkolla të mesme që ekzistonin në atë kohë u mbyllën të gjitha në përjashtim të Gjimnazit të Dibrës dhe “Zef Lush Markut” në Shkup, ku gjithashtu ndodhi diferencimi i kuadrove. Në po këtë periudhë u mbyll Akademia Pedagogjike e Shkupit e cila prodhonte kuadër arsimor, ndërsa një element tjetër që nuk guxon të injorohet është rënia e imazhit të mësuesit dhe vlera e misionit që ka ai në shoqëri. “Pra me devalvimin vazhdueshëm të vlerave në arsim, kemi edhe rënien e cilësisë, mungesën e vizionit për një shkollë moderne, në frymën e evropiane. Të kësaj fryme i kishim shkollat e para në hapësirat shqiptare, të periudhës para dhe mes dy luftërave botërore. Në po atë frymë vazhduan gjatë periudhës së Qeverisë së Nolit dhe të Mbreti Zog. Mirëpo me ardhjen e sistemit socialist, u zbeh kjo traditë. Shkollat u orientua kah lindja, por ruanin vlera të shëndosha në kuptimin e arsimimit të masave të gjera dhe të imazhit për profesionin e mësuesit dhe kjo është shumë e rëndësishme”, shpjegon profesor Zajazi.
Pas shumë viteve punë si pedagog, eksperiencë në hulumtime jo vetëm nacionale, por edhe ndërkombëtare, si dhe kontributi të madh që ka dhënë në ngritjen dhe zhvillimin e arsimit shqip në Maqedoni, profesor Zajazi e ka për kënaqësi të kthehet prapa në vite, të kujton kohën kur ishte nxënës i Normales së Shkupit. “Ata ishin mësues, modelin e të cilëve unë e gjeta më vonë të përshkruar në sistemin e shkollave amerikane, të shkollave perëndimore – evropiane dhe të vendeve nordike. Ajo, Normale na arsimoi, na edukoi dhe na civilizoi. Kjo pra është shkolla për të cilën kanë nevojë shqiptarët, por që me keqardhje më duhet ta them se jemi shkëputur nga ajo frymë prej disa dekadash dhe për pasojë s’po e gjemë veten askund”.
Themelimi i Universitetit të Tetovës (1994) dhe para saj themelimi i Fakultetit Pedagogjik në Shkup, padyshim se shënon një kthesë në hapjen e mundësive për shkollim sipëror në gjuhën shqipe. Mirëpo, këtyre projekteve, sipas profesor Zajazit, paraprakisht u ishin “sanksionuar” mundësitë për të rikthyer arsimin shqip aty ku duhet të jetë vendi i saj: në misionin për të vendosur shkollat shqipe në nivelin e Normales së dikurshme dhe në frymën e shkollës perëndimore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.