Nora Gjakova sërish në podiumin evropian, fiton të bronztën

17

Nora Gjakova ka vazhduar serinë impresive në kampionatet evropiane. Pasi vjet nuk mori pjesë për shkak të koronavirusit, Nora të premten fitoi medaljen e bronztë në Evropianin që po mbahet në Lisbonë.

Në luftë për vend të tretë në kategorinë deri 57 kilogramë, Nora e mposhti gjeorgjianen Eteri Liparteliani.

Nora e nisi ditën me fitore bindëse ndaj spanjolles Carla Ubasart Mascaro. Më pas e mposhti edhe më bindshëm rusen Daria Mezhetskaia. Por në gjysmëfinale, pas 11 minutave luftë, humbi nga portugezja me përvojë, Telma Monteiro. Lufta gjysmëfinale ishte e vështirë dhe Monteiro është ndalë disa herë më arsye për të kërkuar ndihmë nga mjeku. Vlerësimi i gjyqtarëve po ashtu është vlerësuar i dyshimtë. Por Monteiro në fund realizoi hedhje dhe shkoi në finale, ndërsa Nora mbeti të luftojë për të bronztën.

Ndaj Lipartelianit, xhudistja pejane ishte bindëse. Realizoi hedhje për “Waza-ari” e më pas edhe për “Ippon”.

Nora ka fituar rregullisht medalje në kampionatet evropiane në të cilat është paraqitur që nga viti 2015. Tashmë i ka katër të bronzta, një të argjendtë e një të artë.