Tetovë, 22 qershor – Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore në bashkëpunim më Fakultetin e Shkencave të zbatuara pranë Universitetit të Tetovës kanë organizuar një konferencë të përbashkët shkencore ndërkombëtare, të cilën e prezencën e tyre këtë konferencë e kishin nderuar edhe nobelisti i mirënjohur Ferdi Murad, si dhe Bruno Ceka, kryetar i Komunitetit Shqiptar në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan gazeta KOHA.
Punimet e konferencës i shpalli të hapura rektori i Universitetit të Tetovës, Vullnet Ameti, i cili theksoi se që të gjithë në Universitetin e Tetovës ndjehen të nderuar me praninë e nobelistit Ferdi Murad në Universitetin e Tetovës dhe pafundësisht ndjehen krenar që emri i nobelistit Ferid Murad përfaqëson njërin nga dijetarët më të mëdhenj dhe më të respektuar në nivel botëror.
Nobelisti me prejardhje shqiptare, Ferid Murad, me të pranishmit në këtë konferencë shkencore ka ndarë disa kujtime të jetës së tij studentore dhe projekte kërkimore shkencore, në të cilat ai ka punuar.
“Që në kolegj unë vendosa të studioja në një shkollë mjekësie, mirëpo në atë kohë – kuptova për një Ligj të ri i cili po zbatohej në Universitetin Cleveland. Ishte një program i cili kërkonte që studimet katërvjeçare të shndërroheshin në studime shtatëvjeçare, duke studiuar kështu në Bachelor, Master dhe doktoraturë njëkohësisht. Aty pata mundësinë të punoj me mentorin tim, i cili në atë kohë ishte drejtues i Sektorit për Farmakologji. Një vit para se unë të bëhesha pjesë e universitetit, mentori im kishte zbuluar ciklin AMP në të cilën ai zbuloi se si disa hormone punojnë dhe ndihmojnë për të rregulluar metabolizimin në mëlçi. Punuam për shtatë vite rresht në këtë subjekt dhe zbuluam se ishin shumë më shumë hormone që funksionin për të rregulluar sistemin fiziologjik dhe biologjik të njeriut”, tha nobelisti Ferid Murad.
Për punimet dhe sesionet e Konferencës, para të pranishmëve folën dy dekanët e dy fakulteteve që janë edhe organizatore të konferencës, Fauzi Skenderi – dekan i Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, si dhe Nderim Zeqiri – dekan i Fakultetit të Shkencave të zbatuara. Përndryshe, kjo konferencë punimet e saj do t’i zhvilloj sot dhe nesër, ku studiues eminent nga vendi rajoni dhe bota do të prezantojnë studimet e tyre. (koha.mk)