Shkrimtar nigerian, fitues i çmimit Nobel dhe mbrojtësi i të drejtëve të njeriut Prof. Wole Soyinka, duke reaguar ndaj retorikes raciste të presidentit të zgjedhur në SHBA Donald Trump, ka theksuar se më nuk do të shkojë në SHBA, raporton Anadolu Agency (AA). Sipas lajmeve në mediumet kombëtare, Soyinka, duke theksuar se Trump ka përdorur retorikë raciste gjatë procesit zgjedhor, ka thënë se ka mbajtur fjalën që e kishte dhënë më herët para opinionit. “Kisha dhënë fjalën se nëse Trump fiton zgjedhjet do ta hedhja kartën e gjelbër të SHBA-ve dhe do të largohesha nga SHBA-të. E plotësova këtë premtim”, është shprehur Soyinka. Shkrimtari 82-vjeçar i cili gjatë luftës civile në Nigeri në vitin 1967 kishte qëndruar afërsisht dy vite në burg, në vitin 1986 fitoi çmimin Nobel për letërsi. Soyinka ishte shkrimtari i parë afrikan që u shpall laureat i këtij çmimi. Ai jeton në Afrikën e Jugut, ndërsa ishte ligjërues në universitetet Harvard, Cornell dhe Yale në SHBA. Ndryshe, paraqitjet sensacionale dhe fjalimet e rrepta të Trump gjatë fushatës zgjedhore, ishin bërë temë diskutimesh. Për shkak të retorikës së tij, Turmp ishte shënjestër e kritikave dhe fjalëve që shkonin deri në fyerje të shumë personaliteteve të famshme dhe politikanëve. Ai akuzohej për “racizëm, ksenofobi dhe misogjini.”