Real Madrid nuk ka arritur të fitojë në kampionat për herën e tretë radhazi, këtë herë madje ka bërë më keq. Kundër Betis, në fakt, pas barazimeve me Valencia dhe Levante, ka ardhur humbja e parë në këtë sezon. Tani që diferenca me rivalin e përjetshëm, Barcelona, ka shkuar në shtatë pikë nuk mund të fshihet se situata në Madrid është shqetësuese, siç ka pranuar edhe vetë Sergio Ramos. Dy pikët e grumbulluara në ndeshjet e kampionatit të luajtura në shtëpi, përfaqësojnë fillimin më të keq të sezonit nga e Real në 21 vitet e fundit. Në fakt, për të gjetur një nisje akoma më zhgënjyese se kjo aktualja duhet të kthehemi mbrapa në sezonin 1995/96, kur madrilenët, nën drejtim e Jorge Valdano, kanë koleksionuar dy humbje dhe një barazim. Siç mund të kuptohet, atë vit Rea Madrid nuk arriti as që të kualifikohet në Europë.
Për të gjetur një Real Madrid shtatë pikë larg kreut pas vetëm 5 javësh kampionati duhet të kthehemi në sezonin 2012/13, i treti dhe i fundit i Jose Mourinho. Edhe në atë rast Barcelona ka qenë me pikë të plota pas pesë javësh dhe “merengues” ndodheshin në vendin e shtatë me shtatë pikë. Në fund, Real ka arritur të sigurojë vendin e dytë, por me një distancë prej 15 pikësh nga “blaugranat” e të ndjerit Tito Villanova. Një nga arsyet e momentit aktual negativ duhet parë te mungesa e efikasitetit para portës. Nga nëntë gola të shënuar deri tani, vetëm 3 kanë ardhur në ndeshjet e luajtura në shtëpi, dhe nëse kjo nuk do të mjaftonte, paaftësia për të shënuar kundër Betis të mërkurën në mbrëmje, pavarësisht se në fushë kanë qenë Gareth Bale, Lucas Vazquez, Marco Asensio, Borja Mayoral dhe Cristiano Ronaldo, i ka dhënë fund ecurisë prej 73 ndeshjesh të njëpasnjëshme ku madrilenët kanë shënuar të paktën një gol.
Vetë Zidane, para ndeshjes së të dielës kundër Sociedad, ka pranuar se “na mungon një numër 9”, duke iu referuar dëmtimit të Karim Benzema dhe largimit të Alvaro Morata, i cili nuk është zëvendësuar në merkaton. Dukej se magjistari “Zizou” kishte bërë një mrekulli tjetër duke nxjerrë nga kapelja e tij Borja Mayoral, por ndeshja e kundër Betis, edhe falë mrekullive të bëra nga portieri Adan, ish-madrilen, ka konfirmuar problemet që Real ka në sulm. Për më tepër, humbja e pësuar në shtëpi kundër Betis, e para për Real në kampionat kundër një skuadre tjetër përveç Barcelona dhe Atletico Madrid që nga prilli i 2011-ës, ka ardhur nga një gol i Antonio Sanabria, i rritur te të rinjtë e katalanasve. Gjithsesi, Real ka kohë për të rikuperuar, nëse Barcelona e lejon. Kalendari i tyre është më se i përballueshëm, të paktën deri në javën e 12-të, kur do të përballet me Atletico-n dhe, fatmirësisht për Zidane, derbi do të luhet në “Wanda Metropolitano” të bardhekuqve. Ndoshta, deri në atë moment “problemet” me “Bernabeun” do të jenë hedhur pas krahëve dhe shtatë pikët diferencë me kreun mund të jenë vetëm një kujtim i keq. Ndoshta.