“Këtë vit në Maqedoni për herë të parë ka prodhimtari të mjaftueshme të misrit për kënaqjen e nevojave vendore, por edhe misri e merr fatin e njëjtë si gruri. Nuk ka blerje, ndërsa atje ku ka, çmimi është 8 denarë për kilogram. Kjo do të thotë se deri për vitin e ri askush nuk do të mbjell misër”, thotë kryetari i Lidhjes së Bujqve, Velo Tantarov
Qefser ABDYLI
Shkup, 15 tetor – Maqedonia për herë të parë ka misër të mjaftueshëm që t’i kënaq nevojat vendore, por çmimi blerës mesatar është shumë i ulët, 8 denarë për kilogram. Kjo, paralajmërojnë bujqit, do të reflektohet në mbjelljen e vitit 2019. Thonë se edhe mbjellja e grurit është në pyetje për shkak të çmimit të ulët blerës që arriti 7.5 – 8 denarë, ndërsa jo 10.5 denarë siç ka premtuar para dy muajve Ministria e Bujqësisë, shkruan gazeta KOHA.
“Këtë vit në Maqedoni për herë të parë ka prodhimtari të mjaftueshme të misrit për kënaqjen e nevojave vendore, por edhe misri e merr fatin e njëjtë si gruri. Nuk ka blerje, ndërsa atje ku ka, çmimi është 8 denarë për kilogram. Kjo do të thotë se deri për vitin e ri askush nuk do të mbjell misër”, thotë kryetari i Lidhjes së Bujqve, Velo Tantarov. Sasia e misrit është rreth 60 milionë kilogramë, ndërsa edhe cilësia, sipas Tantarov është e mirë. “Ku janë tani rezervat e mallrave? Konsiderojmë se çmim i misrit duhet të jetë sa ajo e grurit, 12 denarë për kilogramë, që të mbulohen shpenzimet prodhuese”, thotë kryetari i Lidhjes.
Tani për tani, tregon Tantarov, janë mbjellë edhe shumë pak sipërfaqe me misër. Mbjellja duhej të fillojë më 27 shtator, ndërsa të përfundojë deri më 25 tetor. “Askush nuk mbjell grurë edhe pyetja është nëse sërish do të mbillet. Problemi, sërish është çmimi blerës i ulët. Le të gjejmë një bujk i cili ka marrë 10 denarë për kilogram, thekson Tantarov.
Për mbjelljen thjesht nuk ka interesim, sepse kërkojmë çmim me të cilin do të vlerësohet puna jonë, do të na mbetet diçka për jetë dhe do të kemi para për mbjelljen e re. Çmimi me 12 denarë për kilogram mund ta plotësojë, por me çmimin mesatar prej tetë denarë, rëndë”, thekson Tantarov. Ai konfirmoi se gruri tashmë rrallë mund të gjendet dhe se pothuajse e gjitha është blerë dhe shitur. Më së shumti është eksportuar në Shqipëri dhe Greqi, sikur që tregoi javën e kaluar kryetari i Odës së Agrobiznesit, Ognen Orovçanec.
“Nëse Maqedonisë i nevojitet bukë, askush nuk duhet të tregojë se në ç’farë mënyre do të sigurohet buka dhe ç’farë sjellje duhet të ketë shteti ndaj bukës. Çmimi i grurit mund të jetë edhe 15-20 denarë, por nuk është. Rëndë është të mbillet edhe krahas asaj që ka subvencione”, i përpiktë është Tantarov. Nga kapacitetet e fermave për kultivim intensiv të shtazëve thonë se misrin e Maqedonisë nuk e refuzojnë, por shumë më cilësor dhe më më i arritshëm është ai serb. Nga Serbia munden përnjëherë t’i furnizojnë sasitë e nevojshme, ndërsa te ne duhet të blejnë nga një prodhues pesë ton, nga një tjetër dhjetë, nga i treti 20.
“Çmimi i misrit serb është 118-120 euro për një ton. Në mënyrë natyrale është tharë, ka vetëm 14 për qind lagështi dhe cilësi shumë të madhe. Gjithashtu, nuk ka kurrfarë problemi me aflatoksina. Neve na duhet edhe cilësia edhe çmimi sepse shpenzojmë nga 50-75 ton në javë, ndërsa misri ynë asnjëherë nuk ka pasur cilësi të mirë. Megjithatë, e blejmë prodhimtarinë tonë, nuk e refuzojmë, por nëse bëhet dallimi, ai serb është me ekstra cilësi. Kanë edhe rendimente prej 11 deri në 12 ton për hektarë pa kurrfarë problemi për shkak të sistemeve për ujitje “pikë për pike”, ndërsa te ne rendimenti është pesë deri në gjashtë ton”, thonë kultivuesit e shtazëve. (koha.mk)