Shteti, për shumicën e ballkanasve, ka qenë gjithmonë armik. Në situata tensionesh, luftërash dhe paqeje shteti pa dallim se kujt i ka takuar ka qenë armik. Rrallë ka qenë shteti në anën e qytetarëve në këto vende dhe kryesisht ky “prodhim” është diçka që qytetarët e paguajnë më së shtrenjti dhe gati kurrë nuk e “konsumojnë”
Nga Idro SEFERI
Para pak kohës në “ditët e Nju Jorkut” në selinë e OKB-së mungoj vetëm Frank Sinatra. Disi kënga e tij “Nju Jork, Nju Jork”, do të shkonte në sfond me takimet e liderëve ballkanas dhe deklaratat e tyre gjatë këtyre disa ditëve në selinë e qeverisë botërore. Fatkeqësisht, Sinatra ka vdekur! Por, ngjasimi i tij me politikën mund të jetë tjetër e rastësishme. Ajo që i bënë të jenë një përputhje janë dy veti të super shoumenit Sinatra. Në skenë ishte brilant dhe i dashur. Vetia tjetër e tij ishte si aventurier dhe kishte qejf të flirtonte me mafian. Në asamblenë e përgjithshme pati po aq elemente sa do të kishte edhe në një festë të Sinatrës: shampanja, sharje, tym, amulli, tërheqje, pazare, gënjeshtra, zbukurime dhe ritëm. Ballkanasit kryesisht ishin në një festë të tyre në “backstage” ose prapaskenë. Interesante ishte fakti që disa flisnin për paqe dhe stabilitet, disa për dialogun me Kosovën, disa për çështje globale dhe kryesisht në shumicën e këtyre fjalimeve kishte fjalë idilike dhe romantizma që kryesisht nuk aplikohen jashtë skenës së OKB-së, por thjesht sa për këngë.
Derisa, në Nju Jork, flitet për domosdoshmërinë e bashkëpunimit po këta politikan dhe shumica këtu janë përgjegjës për ato që duan ti zgjidhin gjasmë. Ballkanasit nuk i besojnë më aq shumë sistemit aq sa jam i sigurt se mosbesim kanë edhe të marrin anestezion pasi kanë frikë se nuk zgjohen nëse vërtetë kanë nevojë për operacion. Ballkanasit janë aq të “regjur” nga sistemi sa nuk ka qenjë mbinatyrore ti bind që diçka që u thuhet se do të kaloj mirë, do ta ketë të njëjtin përfundim. “Çka s’bon vaki”. Ballkanasit në shoun e politikës që duket bukur në skenë janë vetëm spektatorë teknik. Por, jo ata që përballë skenës qëndrojnë me shikime të ngrira dhe janë si të ftuar, por thjesht shërbëtorët e shfaqjeve që e bëjnë të lëviz sistemin.
Tash që kaloi vera dhe koha e turshive, i kthehemi sërish realitetit. Në këtë realitet po ndodhin takime të shumta, vizita, ide për marrëveshje dhe si nxitimthi po duket se do bëhet mirë. Kështu deri në dhjetorë do të jetë eufori për ndryshime dhe mbase edhe për ndonjë sukses. Por, qytetarët megjithatë janë pasiv dhe funksionojmë me sistemin “shko ti se unë vij…”.
Për ballkanasit ku besohet se të paktën 15-20 për qind të banorëve kanë emigruar në 10 vitet e fundit, shteti ende ngelet i pabesë. Ky problem sqarohet vetëm përmes historisë. Në disa raste, siç është Shqipëria për shembull ka qenë komunizëm, në vendet e ish Jugosllavisë një sistem pak më i butë. Më vonë tensione e luftëra dhe më pas proceset e tranzicionit. Në shumicën e rasteve kur një shumicë ka arritur të triumfoj ka terrorizuar një pakicë. Më vonë kanë arritur partitë politike. Në vend të terrorizimit fizik kanë kaluar në terrorizim psikik duke promovuar nepotizmin, korrupsionin, heshtjen, mos reagimin, amnistinë e grupeve të dyshimta, aferave, krijimin e një sistemi kënetash- që është ujë, por nuk është deti!
Ashtu sic janë edhe politikanët ballkanik, pra njerëz që në shumicën e rasteve qytetarët nuk u besojnë, pasi ato që thonë nuk ndodhin ose gënjeshtrat bëhen “OK nëse janë në funksion të fushatës dhe politikës, ashtu edhe qytetarët vetëm thonë “OK”, por për zemër shtetin e marrin vetëm ata që kanë përfitime direkte dhe janë militant. Kjo nuk do të thotë se nuk ka patriot, njerëz që vërtetë e duan shtetin e tyre me një imazh tjetër. Jam befasuar në jetë kur kam takuar zviceran, suedez, spanjoll apo gjerman që janë patriot. Por, shteti atje është megjithatë i tyre. Ballkanasit nuk kanë shumë përfitime nga shteti. Shembull në jetën këtu qytetarët paguajnë tatime, shërbime bashkiake, komunale, shërbime të tjera që janë direkte me para dhe nga parapagimet në shtet marrin shërbime: policinë (kompani ofertuese e sigurisë), spitalet (kompani që ofron shërbime mjekësore), pastaj sistemin gjyqësorë (kompani e ofertave të ekspertëve të drejtësisë), shërbimet administrative (kompani e evidencave qytetare), arsimin (kompani e ekspertëve të dijës), ministrinë e bujqësisë (kompani për menaxhimin e prodhimeve dhe hulumtimin e zhvillimit të agrikulturës), qeveritë (kompani ekspertësh më të lartë për menaxhimin e resurseve humane dhe kapitale), dhe shumë e shumë shërbime të tjera siç mund të jetë kompania për grumbullimin e mbeturinave. Çfarë është shteti? Një sistem menaxhues i sistemeve që lidhen me interesat e përgjithshme dhe shërbimet ku secili qytetar është aksionar. Pse ballkanasit nuk i besojnë shtetit? Pasi shteti përbëhet nga individë që kohën në shërbim të menaxhimit të këtyre burimeve e harxhojnë duke fshehur paaftësinë në keqmenaxhim dhe duke shpikur mënyra se si të fshehin vjedhjet. Secila punë me shtetin bëhet vetëm kur është e domosdoshme dhe ballkanasit kanë mënyra alternative. Shembull shëndetësia është një shërbim që nëse jeni i punësuar e paguani bashkë me taksat sigurimin dhe keni libreza (përjashto gjithmonë Kosovën) dhe shumica e njerëzve shkojnë megjithatë privat. Janë me fat nëse privat kjo punë kryhet dhe nuk kanë nevojë të shkojnë në Turqi, Itali, Gjermani e vende të tjera. Privat mjekët sillen si njerëz! Ndoshta as ata nuk i besojnë shtetit!
Ata që nuk mund të ikin nga Ballkani e kalojnë të paktën gjysmën e jetës me shpresë “me mujt me ik veç një herë! Këtu duan të ikin edhe punonjës të administratës së lartë shtetërore dhe largimit I gëzohen në dhimbje. Politika në Ballkan gjithmonë në skenë kërcen dhe është elegante. Në botën e florës dhe faunës ata mund të quhen struc: që kur vjen rreziku futë kokën në rërë! Edhe politikanët janë njerëz dhe popull!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)