Bashkësia hebreje në Maqedoni ua përkujtoi qarqeve bullgare që duan të relativizojnë bashkëpunimin me regjimin e Hitlerit, se Cari i tyre ka nënshkruar ligjin me të cilin realizohet “zgjidhja përfundimtare e çështjes hebreje”… Kollaj t’ia imponosh fqinjit ndonjë kërkesë të pashembullt sepse je në gjendje ta bësh, por kjo nuk i ndërrojnë të vërtetat historike që dihen botërisht… Edhe qeveritë kuislingë shqiptare bashkëpunuan me okupatorët fashistë dhe gjermanë, por ato nuk pranuan pogromin ndaj hebrenjve
Nga Daut DAUTI
Opozita “alarmoi” se Bullgaria do të vë kushte të reja për Maqedoninë, ndërkaq Ministria e Punëve të Jashtme qetësoi publikun se nuk ka njohuri për paralajmërime të tilla. Është interesant në këtë çështje se edhe opozita edhe pushteti, “u sqaruan” për diçka që nuk është në dorë të tyre. Sepse, a do të ketë a nuk do të ketë kushte të reja, kjo nuk varet prej tyre. Por, prej Bullgarisë.
PARADOKSI I FUTJES NË GRACKË
E Bullgaria, siç e kam theksuar disa herë, është në gjendje ta bëjë këtë, sepse ia mundëson pozita që ka në “tavolinë”. Maqedonia nuk mund t’i vë kushte Bullgarisë, e Bullgaria po. Ajo përmes historisë, ka që të dyja, edhe arrën edhe darën. E drejta do të ishte që edhe për historinë të ishin të barabarta pozicionet, që të diktojnë të vërtetat e veta. Por një anëtare në BE e ka më të fortë pozitën se një vend që varet prej tij nëse do të hyjë ose jo në këtë shoqëri.
Dhe në gjithë këtë situatë ka një paradoks. E paradoksi qëndron në faktin se duke përjashtuar pozicionin e sovranit të vetos për BE, Bullgaria pretendon se është e fortë atje ku mendon: në fushën e argumenteve shkencore në trajtimin e historisë. Aty ku në të vërtetë, është më e dobët. Kur e gabon qasjen, shkon e hyn vetë në grackë. Si ai “shansi i artë” para golit, kur e huq golin e zbrazët pa portier. Kështu do të përfundojë logjika ja tash ja kurrë, për t’i imponuar disa të vërteta në emër të argumenteve shkencore. Ja tash ja kurrë për të dëshmuar se populli bullgar dhe ai maqedonas “janë një”, dhe “flasin një gjuhë me dialekte të ndryshme”. Por, kjo është një episod i cili duket beninj. Maqedonasit nuk humbin edhe po të dëshmohet kjo tezë, sepse, s’do të ishin këta dy popuj as të parët as të fundit për këso lloj afërsie, për të mos thënë, farefisërie. Gjithë sllavët e jugut janë “farefise”. Gracka në të cilën po e fut Bullgaria vetveten është që në këtë “meç të pabarabartë” në fushën e historisë, përmes Maqedonisë dëshiron të fshijë njollat e historisë së vet. Pikërisht ato që janë të dëshmuara, të pashlyeshme…
Paralajmërimet se bullgarët do të hyjnë në kushtetutën e Maqedonisë, elementet me vetëdije bullgare në Maqedoni janë inkurajuar dhe gjithnjë e më tepër po bëhen të gjallë. Në një pluralizëm dhe mile demokratik, asgjë nuk ka të keqe që gjithkush të shprehë identitetin e vet. Pse jo dhe bullgarët. Por eksponentët e bullgarofilisë, shpesh kanë dhënë shkas për t’u keqkuptuar. Dy dekada më parë, qe bërë zhurmë rreth shoqatës së përfaqësuesve bullgarë “Radko” (pseudonimi i Vanço Mihajllovit), çka për shkak të agresivitetit ndaj saj, çka për shkak të agresivitetit të aktivistëve të saj ndaj një gazetari maqedonas. Çështja shkoi deri në Strasburg. Ndërkohë, me këto paralajmërimet, pas hapjes së një klubi me emrin e Vanço Mihajllovit në Manastir, që krijoi jo pak kontroversa, sikur u thye akulli përfundimisht, për t’i kthyer në jetën tonë edhe figura të tjera bullgare, ndaj në Ohër u hap ngjashëm, me emrin e Carit Boris III… Ky kthim prapa në histori, ndoshta nuk është shumë kthim në mite, siç bëjnë ndoshta serbët, po rkthim te figurat të cilat historia kanë një bagazh problematik për vetë shoqërinë bullgare. Nëse Vanço Mihajllovi, ka qenë njësoj i anatemuar në shoqërinë bullgare(gjithë jetën ka qenë në emigracion), sikundër edhe në shoqërinë maqedonase, rehabilitimi i tij nuk është rast i vetëm problematik. Politikanët e Sofjes kanë hyrë në procesin e dekomunizmit, për t’ia lënë fajin gjithë Georgi Dimitrovit dhe servilizmit të tij ndaj Titos, që ka pranuar ekzistimin e popullit maqedonas, madje dhe të maqedonasve në Bullgari. Dhe që Kominterna ka krijuar këtë popull. Dhe se çdo e keqe e ka burimin te komunizmi… Katharzisi shoqëror e kombëtar bullgar, me rënien e komunizmit, bën që duke mohuar gjithë bëmat e komunizmit, ta rikthejnë në skenë Car Borisin III, dhe këtu është gracka që po e përmend. Sepse, këtu janë duke e zhvilluar betejën me dhe për Maqedoninë e Luftës së Dytë Botërore dhe rolin e pushtimit bullgar. Në atë komisionin e përbashkët veçmë është shtruar çështja se si në librat shkollorë të Maqedonisë të mos përdoren fraza akuzuese si okupim ose pushtim, e të mosflasim për fashizëm që i atribuohej deri tash ushtrisë bullgare, por të përdoret “administrim”. Gjithçka do të ishte ideale dhe në frymën e fqinjësisë së mirë, por historia asnjëherë nuk mund të shikohet bardh e zi dhe të nxirret konkluzioni se nëse komunistët kanë qenë të këqij, Cari ka qenë i mirë. Por, kur këtë e lidhin me Luftën e Dytë Botërore dhe me përpjekjet për ta relativizuar pozicionin bullgar, këtë mund ta bëjnë në ndonjë betejë me Maqedoninë, por jo me të vërtetën historike. Sepse disa të vërteta, nuk mund të shlyhen vetëm pse si shtet ke të drejtën e vetos në mekanizmin votues të BE-së!
ÇËSHTJA HEBREJE, NJË NJOLLË QË NUK MUND TË FSHIHET
Ta zëmë se Maqedonia do ta pranojë formulimin e “administratorit”në vend të “okupatorit fashist bullgar”, por gjërat tjera që i di bota nuk mund të çojnë në rehabilitim. Më së miri ua tregoi vendin këtyre tendencave Bashkësia e Hebrenjve dhe Fondi i Holokaustit në Maqedoni, që u ndjenë të fyer nga regjistrimi i shoqatës Car Borisi III në Ohër, për shkak të, siç janë shprehur, “lehtësisë që në shtetin tonë të glorifikohet nazizmi”.
“Është fakt se janë shpeshtuar regjistrimet e shoqërive me vetëdije bullgare të cilat mbajnë emrat e bashkëpunëtorëve të dëshmuar të Gjermanisë naziste. Ky është provokim i qëllimshëm dhe fyerje për bashkësinë hebreje, fyerje edhe për shtetin e Maqedonisë dhe qytetarëve të saj. Mos vallë dikush mendon… se në këtë mënyrë, me promovimin dhe lartësimin e fashizmit dhe nazizmit, forcohen marrëdhëniet ndërfqinjësore?”, është thënë në reagim.
Bingo! Bashkësia hebreje në Maqedoni, ia përkujton Bullgarisë se emri i Car Borisit të Tretë është e lidhur me pogromin dhe asgjësimin e hebrenjve në territoret e pushtuara nga ana e Bullgarisë fashiste(pikërisht këtë term e përdorin) dhe se qeveria e Bullgarisë Cariste, është fajtore e drejtpërdrejtë për deportimin e më shumë se 11.300 hebrenjve nga territoret e okupuara në Maqedoni, Greqi dhe Serbi, prej të cilëve 7.144 janë pikërisht nga Maqedonia, në qendrën e vrasjeve, në Treblinka.
Këtë nuk e thotë qeveria e Maqedonisë, fundja këtë nuk se e thotë një bashkësi etnike që dihet se ka qenë e rrezikuar gjatë Luftës së Dytë Botërore, por këto janë edhe fakte të pamohueshme. Sikundër që janë fakte që nuk mund ta shlyejë vetoja bullgare të vërtetën se Car Borisi III e rreshtoi vendin e tij me Gjermaninë naziste, se ai vetë ka bashkëpunuar me Hitlerin, kuptohet, për përfitimet e premtuara që të rikthejë tokat që ajo i ka pretenduara në Shën Stefan e që nuk i realizoi gjatë luftërave ballkanike. Në këtë botë të padrejtë, është e drejtë legjitime e çdo vendi që të realizojë qëllimet e veta edhe përmes pushtimeve (nëse mundet, pse jo?!), por rreshtimi i Bullgarisë si bashkëpunëtore e Hitlerit, nuk është një episod pa pasoja për kredon morale, sepse i është imponuar dhe Bullgaria e ka pranuar, aktin komprometues të asgjësimit të hebrenjve. Vendimin për këtë e ka sjellë parlamenti bullgar, është realizuar deri në një masë edhe në praktikë. Kur shkrova me një rast për reagimet bullgare ndaj një filmi maqedonas që flet për deportimin e hebrenjve, ishte shprehje e një tendence për të imponuar politikisht një qëndrim që nuk korrespondon me të vërtetën historike. Gjërat që i ka shkruar historia, nuk mund t’i shlyesh me diktat.
Njësoj edhe në rishikimet e së kaluarës është hapur tema edhe e bashkëpunimit të qeverive kuislingë shqiptare të cilave italianët dhe gjermanët u kishin lënë në administrim territoret e okupuara, por ai është një shembull i kundërt me këtë të Bullgarisë. As Mbreti Zog, i cili nuk se bëri ndonjë rezistencë ndaj okupatorit, por as bashkëpunoi, as qeveritë (kryeministrat) që ndërroheshin shpesh, madje as ai më i përfoluri, nuk pranuan atë që pranuan Cari i Bullgarisë, mbreti i Jugosllavisë, Shteti i Pavarur Kroat…, aktin komprometues të gjenocidit ndaj hebrenjve. Përkundrazi, Shqipëria, edhe në kushte okupimi, u ofroi strehim qindra hebrenjve që iknin nga zonat e okupuara nga bullgarët, te ato që administronin italianët me kuislingët shqiptarë.
Ndaj do të jetë interesant deri ku do të shkojë kjo histeri për të pastruar njollat e historisë së vet nëpërmjet Maqedonisë. Mund të kalojë disi teza se për Maqedoninë ka qenë kjo rënia nga një pushtues (serb), në pushtues tjetër (bullgar) dhe dallimi midis tyre nuk lot rol, por konteksti tjetër nuk mund të mbulohet, dhe këtu është ajo gracka bullgare. Maqedonia mund të pranojë të shkruajë në librat shkollorë të historisë se pushtuesit bullgarë nuk ishin as fashistë(italianë), as nazistë(gjermanë), po ama bashkëpunimi në kuadër të Boshtit Tripalësh të diktuar nga Hitleri, nuk është një episod për t’u krenuar. Bashkësia hebrenje përkujton se pikërisht Car Borisi III,më 21 janar të vitit 1941 ka nënshkruar ligjin antihebraik të quajtur Ligji për mbrojtjen kombëtare, duke marrë parullën e Gjermanisë naziste “Një car, një popull, një shtet” duke u bërë eksponent dhe zbatues i të ashtuquajturës “zgjidhje përfundimtare të çështjes hebreje”.
Kështu rezulton euforia e vetëdijesimit bullgar në Maqedoni, në dritën e kushtëzimeve nga Sofja për “korrigjimet” në trajtimin e ngjarjeve nga e kaluara fqinjit të vet. Lehtë mund ta kushtëzojnë historiografinë maqedonase (e cila do të duhej të pastrohet para së gjithash nga disa nebuloza karshi shqiptarëve!), por jo dhe atë botërore. Çdo popull ose vend ka pjesë të ndritshme dhe të errëta të historisë. Gjermanët janë distancuar nga bëmat e nazizmit, dhe nuk ka logjikë që bullgarët të kenë mbetur të papërlyer në kolaboracionizmin e tyre me nazizmin!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)