Kapllan Resuli nuk erdhi në Shkup nga Tirana, por nga Zvicra, duke rrahur gjoks se është bërë disident! Keni parasysh, ai ka “ikur” nga pushteti i ri demokratik i cili e kishte përmbysur regjimin, i cili Kapllan Resulin me dekada e kishte futur të kalbej në burgje. Për çudi, kishte ikur nga ata të cilët e liruan dhe rehabilituan (Shkrim me rastin e intervistës së Kapllan Bureviqit në emisionin “Në qendër”, në TV Alfa)
Nga Daut DAUTI
Në vitin 1990, kah fundi i gushtit, me kolegun e TV Shkupit të atëhershëm, Nijazi Muhamedin, kishim nderin të pinim kafe me poetin Dritëro Agollin në brigjet e Vardarit, në Shkup. Ishte një ndejë fill pasi kishin përfunduar Mbrëmjet Strugane të Poezisë dhe shumë shkrimtarë kishin ardhur në kryeqytet, ku vazhdonte një manifestim tjetër kulturor, Takimi i Përkthyesve nëse nuk gaboj, që fillonte në Shkup, vazhdonte në Tetovë dhe përfundonte me darkën solemne në Kodrën e Diellit. Në Shqipëri ende nuk kishte ndonjë lëvizje konkrete për ndryshime, megjithëse hetohej se diçka mund të ndodhte edhe atje, pas gjithë atyre proceseve në bllokun socialist dhe me Nijaziun, pa një pa dy, e pyesim kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, çka do të bëhet me Kapllan Resulin, i cili më shumë se dy dekada ishte i burgosur.
Gjersa ai gjendej ende në burg në Shqipëri, në Jugosllavi tashmë ishte liruar disidenti më i madh intelektual, Adem Demaçi. Këtë disi deshëm si “për okolla” t’ia bëjmë me dije Dritëro Agollit, se ka në Shqipëri një shkrimtar që vuan për shkak të ideve të tij, e që nuk i bën nder Shqipërisë. T’ia thoshe këtë një kryetari shkrimtarësh nga vendi ende nën diktaturë, atë kohë mund të mos ishte gjithaq me takt, por ne ia hapëm këtë çështje. Përgjigja e poetit të ndjerë ishte e papërcaktuar, jo konkrete, disi në stilin “po, do të shohim”, edhe pse në fillim la përshtypjen sikur nuk ishte i njoftuar me “rastin”. Natyrisht, ne e kuptonim sikletin e një shkrimtari që vjen nga diktatura, dhe mund ta paramendonim se ai edhe po të dinte edhe po të mos dinte gjë, e kishte vështirë të flasë për një persekutim shkrimtari që nuk i bënte nder shtetit të tij.
Për Kapllan Resulin, më parë ishte interesuar edhe Amnisti International dhe kjo herezi e Nijazi Muhamedit dhe imja s’e kishte domethënien e të zënit ngushtë të kryetarit të shkrimtarëve shqiptarë. Çështja duhej hapur dhe ne vetëm pyetëm. Nuk vonoi shumë, po ne të dy si dhe Mateja Matevski dhe kryetari i shkrimtarëve të Maqedonisë, Todor Çallovski, me ftesë të Dritëro Agollit, në vjeshtën e atij viti, do ta realizojmë ëndrrën, që ta shohim Shqipërinë komuniste, duke marrë pjesë në manifestimin kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit. Në atë tetor të bujshëm nisi përshpejtimi i rënies së komunizmit: Ismail Kadare shpalli disidencën në Francë, kurse dy muaj më vonë, ndodhi Lëvizja e Dhjetorit ’90, rënia e regjimit komunist dhe me këtë, do të lirohen të gjithë të burgosurit politikë, mes tyre, edhe Kapllan Resuli, shkrimtari i persekutuar dy herë, në Jugosllavi dhe në Shqipëri, për ne i rëndësishëm si autor i romanit “Tradhtia”, të parit në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavinë e pasluftës. Drejtësia vonon, por nuk harron… Bëhet fjalë për një krijues, të cilit burgu, përveçse i kishte marrë vitet më të çmuara të jetës, ia kishte ndalur edhe hovin e krijimtarisë.
Rastësia deshi që Isha ndër gazetarët e parë që kanë pasur fatin të vizitojnë Shqipërinë komuniste, e pasi bie regjimi, edhe më shpesh të jem raportues special për të ndjekur ngjarjet e shumta të atij fillimi të tranzicionit, por për çudi nuk gjeta kohë ta kërkoja për ndonjë intervistë Kapllan Resulin, tashmë të liruar nga burgu, por këtë e bëri kolegu nga “Flaka”, Mahi Nesimi. Unë Kapllan Resulin do ta takoj dy vite pas burgut të tij, dhe jo në Tiranë, por në Shkup. Këtë moment më së miri e kam përshkruar në një reagim të mëvonshëm në gazetën “Vest”(2003), e cila kishte botuar një intervistë me të(nga gazetari Vitomir Dolinski) ku ai s’kishte lënë gjë shqiptare pa mohuar.
“Një pasdite të nxehtë, para pothuajse dhjetë vjetësh, në redaksinë e “Flakës” vërejta në fund të korridorit një burrë mesatar. Nuk i kushtova kujdes se kush mund të ishte, sepse, mendova, edhe një vizitor, i njohur ose i panjohur, që vjen në një shtëpi gazetareske. Atë pasdite kishim mbetur pak njerëz në redaksi, s’ishte as kryeredaktori, prandaj i panjohuri trokiti në derën e zëvendësit. Isha unë. Me një rutinë e ngapak edhe me ton nëpunësi i thashë të urdhërojë, duke dashur t’i them se palët zakonisht vinë paradite. Por njeriu, i cili mund të kishte ndonjë parandjenjë për joxhentilesën time për shkak të prishjes së ritmit të punës në desk, m’u drejtua me pyetjen: “Nuk më njihni?”. Gazetari gjatë punës së tij takon shumë fytyra, por dhe i harron nëse nuk ka kontakte më të shpeshta. Mendova se mund të jetë ndonjëri nga ata do ta kem harruar dhe iu përgjigja sinqerisht: Nuk më kujtohet të jemi takuar diku. “Jam Kapllan Resuli”, më tha. Sakaq, ndërroi qëndrimi im i ftohtë prej nëpunësi. Para meje qëndronte njeriu që meritonte respekt të rrallë, i cili vetëm dy vjet më parë ishte liruar nga burgu. Shkrimtar i cili e ka shkruar romanin e parë në pjesën e letërsisë shqiptare që krijohej në Jugosllavinë socialiste. Njëri nga ata intelektualë si Adem Demaçi, i cili kalbej nëpër burgje për shkak të kauzës kombëtare…Nga më parë dija për fatin tragjik të tij. Ishte dënuar pothuajse dy vjet në Jugosllavi(dënimin e vuajti në Idrizovë) dhe pasi doli nga burgu, iku në Shqipëri ku e pësoi edhe më keq: e dënuan në pothuajse tri vjet burg. Për një fat të këtillë njerëzor, patjetër të solidarizohesh. Pikërisht para ardhjes së tij në Shkup, kolegu i redaksisë, Mahi Nesimi, botoi një intervistë të gjatë ku martirizmi i Kapllan Resuit në zandanet e Enver Hoxhës ishte përshkruar në detaje. Në momentet kur para meje qëndronte pikërisht Ai, as që mund të paramendoja sa kundërthënie janë pleksur në personalitetin e tij”.
Atë pasdite me shkrimtarin e njohur ndenjëm në Çarshinë e Vjetër, i dhashë një drekë te “Sulltani” dhe e dërgova në një adresë që ai kërkonte përtej Bit Pazarit. Të nesërmen do të shkonte për Mal të Zi. Pas ndoshta dhjetë ditësh, Kapllan Resuli një të mërkure ia behu përsëri në redaksinë tonë. “Jam në duart tuaja deri të premten kur e kam fluturimin për Zvicër”. Na mbeti “në derë”, duke na ofruar mundësinë t’i bëjmë respektet që i meritonte. Kryeredaktori Abdylhadi Zulfiqari, i cili kishte qenë nxënës i tij, i organizoi një drekë te restoranti i afërt “Progres”, kurse darkën dhe bujtjen atë natë e kishte te unë. (Nga kjo darkë ka mbetur një anekdotë kur Kapllani po fliste për daljen nga burgu: “Unë dola prej këtu nga burgu dhe ika te nëna Shqipëri, ku edhe atje më futën në burg” dhe babai ime tek e dëgjonte me vëmendje e s’e kisht kuptuar, e pyeti: Nënën prej Shqipërie e ke?”). Të nesërmen e mori për darkë kolegu Ilir Ajdini, i cili pasdarke, ku isha edhe unë prezent, bëri një intervistë të gjatë(disa kaseta manjetofoni) me rrëfimet e burgut dhe e ëma përlotej tek i dëgjonte rrëfimet rrëqethëse për vuajtjet në burgun e Burelit. Askund nuk e tha asnjë fjalë që ai nuk është shqiptar. (Këtë intervistë të gjatë Iliri nuk e botoi asnjëherë, për shkak se ndërkohë korrespodenti i “Flakës” nga Ulqini, Nail Draga, na kishte dërguar intervistën ku Kapllan Resuli mohonte kombësinë e tij! Çështja e përcaktimit të tij është çështje personale, por aty diku fillonte beteja kapllaniane e mohimit jo të vetvetes, por dhe të gjithçkaje që është shqiptare, duke u bërë vegël e qendrave propaganduese antishqiptare).
Më duhet thënë se para se të na arrinte materiali nga korrespodenti i Ulqinit, ne që patëm rast të takohemi ato ditë, i kishim vërejtur nishanet e para të devijimit! Nga goja e tij gjithnjë e më shumë villej këlbazë kontraverzash, me të cilat shkrihej legjenda për të dhe krijohej karikatura, e ngjashme me ato personazhe që në film i luante aktori dekadent holivudian, Denis Hoper, të cilit në ato vite i ngjante mjaft edhe fizikisht! Në atë reagimin në gazetën “Vest”, dhjetë vjet më vonë, i kisha vënë në dukje pikërisht gjërat indikative që më kishin bërë përshtypje dhe ma kishin shtuar dyshimin për personalitetin e tij. Ja disa. Kapllan Resuli nuk erdhi në Shkup nga Tirana, por nga Zvicra, duke rrahur gjoks se është bërë disident! Keni parasysh, ai ka “ikur” (nuk e kisha të njohur se e ka përndjekur dikush) nga pushteti i ri demokratik (të Sali Berishës atë kohë) i cili e kishte përmbysur regjimin, i cili Kapllan Resulin me dekada e kishte futur të kalbej në burgje(, pra, regjimi i Enver Hoxhës). Për çudi, kishte ikur nga ata të cilët e liruan dhe rehabilituan! Një gjë e këtillë gjithkujt do t’i dukej indikative. Me dallim nga disidenti tjetër i asaj kohe, Ismail Kadare, për të cilin Kapllan Resuli shprehte urrejtje patologjike, në Paris iku gjersa në pushtet ende ishte Partia e Punës. “Disidenca” e Resulit më dukej tepër simptomatike, sepse ato dy vite të para të demokracisë, askush nuk ishte përpjekur t’i bënte keq shkrimtarit nga pozita pushtetare, sidomos jo një shkrimtari pa ia zbuluar ende kundërthëniet që do t’i shfaqte me vonë. (Me thënë të drejtën, nga shkrimtarë të Shqipërisë unë kisha dëgjuar se nuk është aq engjëll sa e paraqet veten, sepse një kohë ai ishte futur paksa thellë në kritikën ideologjike(“klasore”) ndaj disa shkrimtarëve që kishin “devijuar” nga rruga e Partisë, por këtë gjë ia leja kontekstit kohor! Më saktë, për shkak të kritikave të tij, e kishin gjetur belanë disa sish, para se edhe atij vetë të mos ia bënin për të njëjtat arsye!).
Fakt tjetër interesant që më tërhoqi vëmendjen ishte një lloj krenarie e Kapllan Resulit që ai e shprehte haptas, se nga Zvicra kishte ardhur me pasaportë jugosllave(atëherë ishte bashkësia shtetërore Serbi-Mal i Zi, gjegjësisht Republika Federale Jugosllave). Kur e pyesnim si është e mundur, pasi në Zvicër ka shkuar me pasaportë shqiptare, ai me krenari naive që as mundohej ta fshehë, përgjigjej: Shkova në ambasadën jugosllave. Iu tregova se kush jam dhe ata menjëherë më dhanë pasaportë duke më thënë: “Иди брате мили куд хоќеш, не може те нико дирати”!(“Shko byrazer ku të duash, askush s’të ngucë”. Krimbi i dyshimit nuk më lente: me çka ky njeri e kishte bërë borxhli pushtetin jugosllav që t’i japin pasaportë me një fjalë goje? Si është e mundur aso zemërgjerësie e regjimit(të Sllobodan Millosheviqit) ndaj Kapllan Resulit, ndërkohë që intelektualëve të tjerë si ai, nga Kosova, ua merrte pasaportën që të mos mund të udhëtojnë jashtë Kosove as nëpër konferenca shkencore ose manifestime kulturore (si Rexhep Qosjes, Rexhep Ismailit, Ali Podrimjes….), duke mos i përfillur as akuzat e institucioneve ndërkombëtare për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut! Nuk isha i prirë të besoj se është fjalë për ndonjë qëndrim rastësor. Edhe disa gjëra tjera e zbehnin figurën shembullore të tij. Disa ishin të natyrës intelektuale, e disa hynin në fushën e psikopatologjisë, sepse gjithçka që fliste kishte një dozë mbrapshtësie. Ishte shumë simptomatike sa vrer dhe mohim kishte ndaj gjithçkaje të së kaluarës dhe të tashmes shqiptare. Më bëri përshtypje përpjekja për ta zbehë figurën e Skënderbeut, ndoshta atë kohë ishte i vetmi që e bënte këtë. Fakti që ia kontestonte vlerat Ismail Kadaresë(thoshte: Romani im “Tradhtia” është më i mirë se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, duke harruar se ai kishte mbetur vetëm me atë roman, ndërkaq Kadareja kishte shkruar dhjetëra të tjerë, madje dhe më të mirë se “Gjenerali…”) mendoja se mund të jetë rezultat i smirëzisë intelektuale dhe s’i kushtoja ndonjë rëndësi. Mendova gjer në kufijtë e absurdit, se Kapllani e urren Kadarenë për shkak se ai(Kapllani), ndonëse ka qenë i zellshëm në luftën ideologjike, Enver Hoxha e kishte futur atë në burg, e jo Ismail Kadarenë, të cilin e kishte mbrojtur si shkrimtar oborri! (Urrejtja patologjike ndaj “konkurrentit” shihet edhe në intervistën në “Vest”. Por, ky “pozicionim” i dikurshëm, nuk duhej të kishte qenë pengesë që shkrimtari “i talentuar”, Kapllan Resuli, të shkruante vepra letrare më të mira se Kadareja, por në atë plan, ai mbeti në nivelin e para pesë dekadave, me një roman (“Tradhtia”) dhe ca poezi që i kishte shkelur koha, që na i la për botim kur ishte në “Flakë”. Shumë të burgosur politik(si psh.Visar Zhiti e të tjerë), me të dalë nga burgu shpërthyen si vullkan, por Kapllan Resuli u hodh nga letërsia në fushën e “shkencës”(albanologjisë dhe historisë), duke i dhënë vetes tituj shkencorë të cilat askund në mënyrë të rregullt nuk i kishte fituar! (përfundon të hënën)
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)