Delvina KËRLUKU
Ismail Krifca – Mali u lind më 18 maj, 1967, në Dibër. U shkollua në vendlindje, ndërsa, Fakultetin e Ekonomisë e kreu në Shkup, në Universitetin “Qirili dhe Metodi”. Përkthen nga 11 gjuhë. Pasioni për mësimin e gjuhëve të huaja lindi që në bankat shkollore. Më vonë, me ndihmën e babait, i mundësohet të qëndroj në Britaninë e Madhe, ku edhe vazhdoi me mësimin e gjuhës angleze. Atje kalon dy vera gjatë viteve 1983-1984. Kureshtja për të mësuar edhe gjuhë të tjera, bën që Mali t’i mveshet edhe gjuhës frënge, italishtes, rusishtes, gjermanishtes, duke mos lënë anash edhe gjuhën serbe, bullgare, kroate, ndërsa gjuhën maqedonase e kishte përvetësuar që në shkollën fillore. Filloi karrierën e përkthyesit profesional që nga viti 1994. Punoi në punë të ndryshme me organizata ndërkombëtare në vend ,si me UNPREDEP-in, ICRC, NATO-n (përkthyes personal i gjeneralit Sir Michael Jackson, komandant i forcave të NATO-s në Maqedoni dhe përkthyes gjatë marrëveshjes NATO – Serbi në Bllacë dhe Kumanovë). Që nga viti 2003 është përkthyes i lirë, me angazhime të shumta në konferenca, seminare dhe punëtori në vend, rajon, por edhe shumë më gjerë. Deri më tani ka kaluar mijëra përkthime dhe vizita nëpër vendet e botës. Në periudhën gjatë viteve të luftërave dhe konflikteve në Kosovë dhe Maqedoni, ka qenë pranë Presidentin Klinton dhe bashkëshortes së tij, Hillari Klinton. Ka qenë përkthyes i kryeministrin e Britanisë së Madhe, Toni Bler dhe bashkëshortes së tij. Por, ishte edhe pranë Solanës, Vokerit, Piter Fejti, Perdju, Leotar dhe shumë të tjerë. Pranë aktorëve Roxher Mur, Riçard Gir, Marisa Tomei, Majkëll Jork, Ben Gazar, Vanesa Redgrejv, e shumë e shumë të tjerë. Mali vazhdon të jetë pjesë e paneleve edhe sot. Është i martuar. Përreth tij ka familjen dhe shumë miq.
KOHA: Përkthimi është shumë i lashtë mbi këtë dhe, gati aq sa vetë gjuhët njerëzore. Ndërsa, jeni përkthyes i njëmbëdhjetë gjuhëve. Ç‘do të thotë të njihni kaq shumë gjuhë?
KRIFCA: Në fakt, unë komunikoj në njëmbëdhjetë gjuhë, ndërsa me përkthime, deri tani, kam punuar me shtatë gjuhë. Përveç gjuhës amtare shqipe dhe gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare (tani më së bashku me gjuhën shqipe) në Maqedoni, unë flas edhe anglisht, serbisht, frengjisht, bullgarisht, italisht (gjuhë në të cilat kam përkthyer), si edhe rusisht, çekisht, polonisht dhe gjermanisht (në mënyrë pasive). Një nga dëshirat e parealizuara deri tani, kryesisht për mospasje të kohës së mjaftueshme si edhe materialeve mësimore, është gjuha kineze, për të cilën shpresoj se do të gjej kohë dhe mundësi ta mësoj, së paku për një komunikim themelor. Njohja e gjuhëve, para së gjithash, të shton vetëbesimin në shoqëri, të bën më të pasur në çdo aspekt dhe të jep mundësinë të ndjehesh shumë më lirshëm dhe më bukur në secilin mjedis dhe ambient ku fliten gjuhët të cilat i njeh. Nuk ke nevojë për përkthim apo shpjegim të asaj që ndodh përreth teje dhe pa droje mund të përfshihesh në bisedën me njerëzit e pranishëm. Njohja e gjuhës gjithashtu mundëson që të njohësh njerëzit dhe vendet më mirë, duke kuptuar më qartë dëshirat dhe mendimet e tyre, lidhur me vendin dhe fatin e tyre. Shumë më shpejt pranohesh në rrethin e tyre dhe krijon besim më të madh te të tjerët, në veçanti për shkak se ata ndjehen krenar dhe më të respektuar që një “i huaj” ka dhënë mundin dhe ka kushtuar kohën që të mësojë gjuhën e tyre për komunikim të drejtpërdrejtë. Në sytë e tyre shikohesh “më bukur”. Përveç këtij fakti, të njohurit e gjuhëve ka edhe shumë përparësi dhe rëndësi në jetën e secilit njeri, në veçanti në jetën time. Kjo, për shkak se tre pasionet kryesore në jetë i kam pasur dhe i kam, të njoh dhe shoqërohem me sa më tepër njerëz të popujve dhe rasave të ndryshme, të lexoj sa më shumë libra dhe të shëtis anembanë rruzullit tokësor. Njohja e gjuhëve të mundëson këtë në mënyrën më të bukur.
KOHA: Roli i përkthyesve në shoqërinë njerëzore erdhi e u bë gjithnjë e më i rëndësishëm aq sa sot, me të drejtë, një filozof e shkrimtar si Umberto Eko, thekson se “zanati i përkthyesit është një profesion që i përket së ardhmes”, çka do të thotë se bota moderne nuk do të mund të bëjë dot pa përkthyes?
KRIFCA: Gjithsesi Umberto Eko është njëri nga njerëzit të cilët kanë kuptuar rolin e përkthyesit që në kohën kur jetonte dhe vepronte. Por, sot, gjithnjë e më tepër, zanati i përkthyesit është absolutisht zanat i cili i takon se tashmes dhe të ardhmes në këtë jetë kaq dinamike dhe të shpejtë, me informacione dhe ndryshime, të cilat ndodhin me “shpejtësinë e dritës”, fakt ky i cili rezulton me mospasjen e kohës së duhur nga secili që të mësojë më tepër gjuhë për të komunikuar me të tjerët afër dhe larg tij, që flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha e tij. Duke mos harruar këtu edhe faktin që interneti dhe rrjetet sociale krijojnë mundësi dhe raste për kontakte personale dhe afariste me mbarë botën në një kohë tmerrësisht të shpejtë. Ndonjëherë mundësitë më të mira në jetë mund të humben për shkak të moskomunikimit të duhur. Prandaj, edhe zanati i përkthyesit gjithnjë e më tepër do të jetë i rëndësishëm në mbarë botën. Lëvizjet emigruese, ekonomike dhe vizitat e ndryshme turistike apo afariste e bëjnë përkthimin dhe përkthyesit gjithnjë e më të kërkuar.
KOHA: Edhe te ne përkthimi është një veprimtari intelektuale e artistike e hershme. Të parët që u morën me përkthime ndër shqiptarët qenë Buzuku, Budi, Bardhi e Bogdani, pastaj vijnë disa nga rilindësit tanë më të shquar, si Kristoforidhi, Naim Frashëri e Çajupi; më vonë kemi Fishtën, Prenushin, Konicën, Lumo Skëndon, Koliqin e Dom Lazër Shantojën, etj, duke mos harruar edhe Fan Nolin. Sa rëndësi ka një përkthyes në shoqërinë tonë?
KRIFCA: Si në historinë e popullit tonë, ashtu edhe në ditët bashkëkohore, roli i përkthyesit është shumë i rëndësishëm. Përkthimet e realizuar nga të gjithë mendimtarët e mëdhenj të lartpërmendur, si edhe shumë të tjerë në historinë më të afërt, kanë mundësuar që edhe populli ynë, si të gjithë popujt e tjerë në botë, të mund të ndjek të gjithë risitë dhe ndodhitë në mbarë rruzullin tokësor. Të mund të edukohet dhe të kuptojë se çfarë po ndodh për rreth tij. Imagjinoni një botë, ose një jetë, në të cilën nuk do të kishim pasur mundësinë të lexojmë dhe kuptojmë Shekspirin, Tolstojin, Hygonë, Edgar Alan Po-në, Robespierin, Danten dhe shumë të tjerë dhe veprat e tyre klasike dhe të paharrueshme. Një jetë ku nuk do të dinim për artistët, piktorët, skulptorët botëror dhe veprat e tyre madhështore. Madje, edhe gjërat më të rëndomta, siç janë ushqimi, moda dhe jeta e përditshme, si do të mund të ishte, sikur mos i kuptonim gjërat dhe mënyrën e përdorimit të tyre. Por, roli i përkthyesit në shoqëri, ka të bëjë shumë edhe me komunikimin gjatë konflikteve dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme. Shpesh herë gjërat ndodhin për shkak të një keqkuptimi gjatë të komunikuarit. Madje, edhe të gjitha komunikimet shtetërore, diplomatike nuk do të mund të realizohen pa praninë e përkthimit dhe përkthyesit si bartës të kësaj pune. Me punën e tyre përkthyesit ju mundësojnë edhe njerëzve “të rëndomtë”, të cilët nuk kanë mundësi dhe kohë të mësojnë gjuhët e huaja, të mund të ndjekin ndodhitë dhe risitë në mbarë botën.
KOHA: Në historinë e njerëzimit, përkthimi do të luajë, ashtu si deri më sot, një rol të veçantë e të pazëvendësueshëm në përshpejtimin e zhvillimit të tij. Nëse do ta shpalosni historinë e rrugëtimit tuaj si përkthyes, ç‘na tregon?
KRIFCA: Që nga fëmijëria e hershme (nga klasa e dytë në shkollën fillore) unë fillova të mësoj gjuhën angleze me leksione private për gjuhë. Babai im i ndjerë, Iqmet Krifca, kishte vizion të qartë në jetë për vete dhe për të afërmit e tij. Duke pasur parasysh dhe duke kuptuar se bota dhe vendi gjithnjë e më tepër ec përpara, dhe në këtë rrugë gjuha angleze do të jetë shumë e rëndësishme, më propozoi që të ndjek orë private te zonja Vjollca Agolli Çilku, që ishte mësuesja ime e parë e gjuhëve të huaja. Në atë kohë, unë flisja gjuhën maqedonase dhe serbe pa problem. Babai pa te unë talentin dhe dëshirën e madhe për të mësuar gjuhët e huaja dhe unë fillova me orët private që nga ajo moshë e hershme. Kjo bëri që kur filluam me lëndën e gjuhës angleze në klasën e pestë, të jam disa shkallë më lartë në njohjen e gjuhës angleze se shokët e klasës. Më pas, vazhdova me mësimin e gjuhës në shkollën fillore dhe të mesme. Atëherë përsëri me ndihmën e babait, unë pata mundësi që dy pushime verore (1983 qershor – gusht; 1984 qershor – gusht) të qëndroj në Britaninë e Madhe, ku edhe vazhdova me mësimin e gjuhës, tanimë në vendin ku kjo gjuhë kishte burimin e saj. Atje sigurisht që përparova shumë në këtë aspekt, falë edhe faktit që isha i detyruar që të flas vetëm anglisht, që të merrem vesh me njerëzit përreth. Por, ndoshta edhe më së tepërmi në këtë rrugëtim të mësimit të gjuhës më ndihmoi edhe pasioni tjetër i imi, e ai ishte dashuria për lexim të sa më shumë librave. Në këtë periudhë lexoja shumë libra, të shkruara në gjuhën angleze, gjë e cila kontribuoi shumë për të kuptuar dhe folur gjuhën shumë më mirë. Më pas, edhe pse vendosa të studioj në fakultetin e ekonomisë, edhe më tutje jetonte në mua dëshira që mësoj sa më shumë gjuhë të huaja ,të cilës i dedikova kohë dhe interes së veçantë në jetën time. Nëpërmjet mënyrave të ndryshme të të mësuarit, mësova edhe gjuhën frënge dhe italishte. Gjithashtu, edhe shëtitjet dhe vizitat e shumta në shtetet përkatëse, më ndihmuan që më lehtë të mësoj gjuhët. Duke vazhduar me përkthime zyrtare, fillova karrierën e përkthyesit profesional që nga viti 1994 deri më sot. Punova në punë të ndryshme me organizata ndërkombëtare në vend, si me UNPREDEP-in, ICRC, NATO-n (përkthyes personal i gjeneralit Sir Michael Jackson, komandant i forcave të NATO-s në Maqedoni dhe përkthyes gjatë marrëveshjes NATO – Serbi në Bllacë dhe Kumanovë), IFES dhe shumë organizata të tjera. Që nga viti 2003 unë jam përkthyes i lirë (freelance), me angazhime të shumta në konferenca, seminare dhe punëtori në vend, rajon, por edhe shumë më gjerë. Deri tani në këto 23 vite përkthimi, kam kaluar mijëra përkthime dhe vizita të shumta në pothuajse gjysmën e botës.
KOHA: Mund të përmendi si cilat nga personalitete e huaja keni shoqëruar, që të përktheni fjalën e tij/saj? Dhe cilat janë mbresat që ju ka lënë një nga personalitet?
KRIFCA: Në këtë periudhë të gjatë mbi 23 vjet, kam pasur mundësinë dhe fatin e mirë që të takoj shumë njerëz nga mbarë bota. Kam punuar me kryetarë shteti, kryeministra, deputetë, ministra, artistë të ndryshëm si edhe me shumë “njerëz të rëndomtë”, që secili në mënyrën e tij të veçantë të lë mbresa dhe përshtypje me diçka të jashtëzakonshme. Në raste të ndryshme kam pasur përjetime të ndryshme. Ndonjëherë të bëjnë të ndjehesh krenar që je në praninë e tyre, ndonjëherë të bëjnë të ndjehesh paksa i turpëruar, ndonjëherë madje edhe të vjen keq për veten dhe popullin nga fakti se kush po na udhëheq. Por, e gjithë kjo është pjesë e punës dhe si e tillë edhe duhet të perceptohet. Bëj punën time me sa mundem dhe di më së miri dhe vazhdoj më tutje me jetën time. Gjithsesi, duhet pasur parasysh se një nga virtytet kryesore dhe më të rëndësishme të përkthyesit është diskrecioni dhe konfidencialiteti. Çdo gjë që ndodh dhe thuhet gjatë këtyre takimeve, mbetet vetëm për aty dhe nuk guxon të del në pah, së paku jo nga ana e përkthyesit. Duke thënë këtë, më duhet të përmendi së paku disa burra shteti, me të cilët kam pasur rast dhe mundësi të takohem gjatë përkthimeve që i kam kryer në vend dhe jashtë. Në periudhën gjatë viteve të luftërave dhe konflikteve në Kosovë dhe Maqedoni, pata mundësinë të takoj Presidentin Klinton dhe bashkëshorten e tij, Hillari Klinton. Kryeministrin e Britanisë së Madhe Toni Bler dhe bashkëshorten e tij. Shumë të tjerë që vizituan Maqedoninë gjatë kësaj periudhe, si Solana, Vokeri, Piter Fejti, Perdju, Leotar etj. Siç theksova edhe më lartë, unë isha përkthyes personal i komandantit të forcave të NATO-s në Maqedoni, gjenerali Sir Majkëll Xhekson. Pata rastin të jam i pranishëm si përkthyesi i tij gjatë marrëveshjes teknike NATO – Serbi në Bllace dhe Kumanovë, që shënoi fundin e okupimit serb në Kosovë. Ky është një nga momentet më të rëndësishme në jetë, sepse në një mënyrë u bëra pjesë e historisë më të re të Kosovës. Përveç tyre, kam pasur mundësi të takoj një numër të madh të artistëve të tjerë, të cilët vizituan Kosovën dhe Maqedoninë në këtë periudhë. Kam pasur mundësi të takoj aktorët Roxher Mur, Riçard Gir, Marisa Tomei, Majkëll Jork, Ben Gazar… por, gjithsesi, më mbresëlënës ka qenë bashkëpunimi 8 javor me aktoren e madhe angleze, në të njëjtën kohë edhe mbështetëse e madhe e luftës së Kosovës, e madhja Vanesa Redgrejv. Ajo në atë kohë, për nder të kthimit të vëllezërve të Kosovës në shtëpitë e tyre, organizoi festival muzikor – teatral “The Return” (Kthimi) me vepra teatrale dhe muzikore, një ditë në Shkup dhe dy ditë në Prishtinë, ku morën pjesë mbi 120 aktorë dhe muzicientë nga mbarë bota. Fuqia dhe entuziazmi i saj, të bënte me flatra. E palodhshme dhe me vullnetin e saj bënte që të gjithë rreth saj të mos ndjejnë asnjë lodhje, edhe pse punonim edhe nga 18 deri 20 orë në ditë. Një FALENDERIM të veçantë për gjithçka që ajo bëri për Kosovën, gjatë dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës.
KOHA: Më vështirë është të përkthejmë poezinë apo librat artistik, apo një fjalë e drejtpërdrejtë e thënë nga një i huaji?
KRIFCA: Secili përkthim përmban rëndësinë dhe peshën e tije dhe kërkon vëmendjen dhe kujdesin e veçantë gjatë punës që e bëjmë. Me siguri poezitë dhe veprat letrare, përveç rëndësisë së tyre burimore dhe kujdesit të jashtëzakonshëm që e kërkojnë për përkthim, kërkojnë edhe një punë voluminoze që duhet bërë para përkthimit të tyre. Duhet së pari kuptuar vetë atë poezi ose vepër letrare që të mundesh të transferosh mendimin dhe qëllimin që poeti ose autori e ka pasur gjatë përpilimit të saj. Jo gjithmonë poezia dhe vepra mund të përkthehet fjalë për fjale, sepse mund të humb kuptimin dhe vlerën e saj. Por, në të njëjtën kohë, nuk mundet gjithmonë të realizohet përkthimi vetëm me interpretim personale të të kuptuarit të poezisë ose librit artistik. Kërkon një bashkëpunim me autorin, që shpesh herë nuk mund të realizohet për arsye objektive ose subjektive. Këtu vjen në pah aftësia e jashtëzakonshme e përkthyesit për përshtatjen gjatë përkthimit. Gjithsesi, punë e vështirë dhe kërkon njohuri të jashtëzakonshme. Por, edhe fjala e drejtpërdrejtë e thënë nga të huajt ose nga njerëzit tanë që ju përkthehet të huajve, ka një peshë dhe vështirësi të jashtëzakonshme. Jo gjithmonë temat të cilat diskutohen janë domosdoshmërish të njohura mirë nga përkthyesit. Jo gjithmonë folësi mbahet vetëm në një temë të caktuar, por gjatë bisedës së tij, kalon nga një temë në një tjetër, pa ndonjë pauzë të caktuar ose paralajmërim për atë. Jo gjithmonë, folësi qartë dhe rrjedhshëm fillon dhe mbaron fjalinë e tij. Përkthyesi e ka vështirë shpesh të kuptojë edhe fjalët me kuptime të ndryshme që mund të ndryshojnë kuptimi. Gjatë përkthimit simultan, varësisht nga teknika, edhe fjalët shpesh vështirë dallohen që mund të shkaktojë moskuptim. Një shkronjë ndryshon shumë gjëra. P.sh. i tha dhe i ra. E pret dhe e vret. Do apo nuk do… Mendoj pra, se secila prej tyre ka veçoritë dhe vështirësitë e tyre të caktuara.
KOHA: Buzëqeshja nuk ka nevoje për përkthyes. Ajo është gjeja më e bukur që posedon njeriu..?
KRIFCA: Jo vetëm më e bukur, por edhe më e vlefshme. Një buzëqeshje mund të ndryshojë shumë gjëra për njeriun. Në të njëjtën kohë, edhe nuk kushton asgjë. Thjesht, një lëvizje e disa muskujve, e cila, në veçanti kur është e sinqertë, mund t’í vlejë personit përballë më tepër se shumë gjëra materiale në jetë. Nënkupton mirëkuptim për hallet dhe problemet e personit përballë dhe paraqet një fuqi shtesë që ai ose ajo të përballojë fatin e keq më lehtë, madje edhe të shtojë lumturinë dhe gëzimin që ndjen në ato momente. Për fat të keq, njerëzit shpesh e harrojnë këtë.
KOHA: Z. Krifca, nëse kthehemi te pjesa tjetër e jetës, çfarë flet ajo, pra shtëpia, familja, shoqëria, etj?
KRIFCA: Familja dhe shoqëria në jetën time kanë vend të veçantë. Edhe pse babai, Iqmet Krifca – Meti tanimë 6 vjet i ndjerë, ai është gjithmonë i pranishëm në vendimet në jetën time, sepse gjithmonë e kam pasur si udhërrëfyes. Fizikisht më mungon, por mendërisht është gjithmonë me mua. Nëna, Shqipe Krifca, mësuese e pensionuar, gjithmonë pranë në momentet e lumtura dhe të hidhura në jetë, është shtylla e fortë e jetës sime. Motra, Mirlinda Krifca, doktore e shkencave të albanologjisë, profesore universitare, së bashku me dhëndrin, Rexhailin dhe vëllai Dritani me bashkëshorten Flora, janë pasuria e jetës sime. Në veçanti këtë pasuri e shtojnë mbesat (nga vëllai dhe motra) Arba, Fjolla, Ardena dhe Genta, që në çdo moment shtojnë gëzimin që i kam në jetë. Pa harruar Lean dhe Lekën që më shtojnë buzëqeshjen në secilin mëngjes. Dhe së fundi, gjithsesi jo më pak e rëndësishme, përkundrazi, bashkëshortja Laura, profesoreshë e kimisë në gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup, është mbështetja më e madhe në jetën e përditshme, që me mirëkuptimin e saj më lehtëson gjithçka në jetë. Pa familjen, njeriu nuk vlen asgjë. Por, nuk duhet të harrojmë dhe rrethin më të gjerë familjar që shpesh herë kalon edhe përtej kësaj. Shpesh, ata janë forca shtytëse në jetë, së bashku me shokët pa të cilët jeta ime do ishte e zbrazët. Fati ka dashur që të kem shumë shokë dhe miq në jetë. Shokët e fëmijërisë nga Dibra (Muja, Arbeni, Lumi, Adriatiku, Fatmiri, Argjenti, Nderimi, Blerimi, Arsimi, Valoni dhe të tjerët) si edhe ata nga Shkupi (Blerimi, Burimi, Faredini, Ganiu, Bashkimi, Skenderi, Urimi, Fatoni, Dritëroi, Genci dhe shumë të tjerë), secili ka pasur dhe ka rol të veçantë në jetën time. Pa harruar në asnjë moment kushërinjtë shokë të vërtetë, si Imeri, Benoni, Bekimi, Maliqi, dhe shumë të tjerë. Por, edhe miqtë e tjerë dhe kolegët e punës secili e begaton jetën time pa masë. Përfshirë këtu edhe miqtë dhe shokët e Lëvizjes “Zgjohu”, me të cilët kemi ndarë shumë gjëra dhe aktivitete të përbashkëta në jetë. Secili ka rol dhe vend të veçantë. Ju faleminderit që jeni pjesë e jetës sime!
KOHA: Si mund ta përshkruani “Odën Dibrane”, pra shoqatën?
KRIFCA: “Oda dibrane-Shkup” është diçka e jashtëzakonshme për mua. Është nder dhe privilegj të jesh anëtar i saj. Unë si kryetar i saj, ndjej edhe më shumë përgjegjësinë dhe frymën e saj. Qëllimi kryesor i Shoqatës “Oda dibrane – Shkup”, është të ruajë dhe kultivojë traditat dibrane të mirënjohura në të gjitha trevat shqiptare. Aktivitetet kryesisht janë ndodhi të ndryshme të natyrës shoqërore, letrare dhe historike lidhur me Dibrën, dibranët dhe shqiptarët në përgjithësi. Organizojmë takime të ndryshme si mbrëmje dibrane (dy vitet e fundit me rastin e Ditës së Flamurit organizuam në bashkëpunim me “Sofrën gjakovare-Shkup” mbrëmje dibrane-gjakovare), si edhe promovime të ndryshme të librave të autorëve dibran dhe libra kushtuar Dibrës dhe takime të ndryshme me qytetarë, kandidatët për kryetarë të komunës dhe aktiviteteve humanitare në rastet e bashkëqytetarëve, të cilët kanë nevojë si edhe aktivitete kulturore – sportive. Shpresojmë se në vitet në vijim do të zgjerojmë fushëveprimin e aktiviteteve tona.
KOHA: Besoni se zgjedhjet vendosin fatin tënd: Talenti qëndron në zgjedhjet që bëni?
KRIFCA: Zgjedhjet të cilat njeri i bën në jetë, shpesh herë përcaktojnë fatin e tij. Natyra e njeriut është e tillë që shpesh zgjedhjet i bën edhe në mënyrë emocionale, që ndonjëherë edhe mund të sjellin edhe rezultate të gabueshme. Por, gjithsesi, edhe zgjedhja thjesht racionale jo gjithmonë është e suksesshme. Njeriu duhet të kombinojë të dyja këto, duke përfshirë edhe kushtet dhe rrethanat si edhe mundësitë ku jeton, që të arrijë atë që është më e mira në jetë.
KOHA: Cila është më e rëndësishme, shëndeti, lumturia, paraja?
KRIFCA: Pikërisht në këtë radhitje siç edhe parashtrohet pyetja. Shëndeti personal dhe ai i njerëzve dhe miqve më të afërt, është padyshim më i rëndësishëm në jetë. Lumturia, gëzimi dhe jeta me sa më pak brenga dhe vështirësi (që shpesh edhe varen nga shëndeti), vijon me rëndësi në jetë. E tërë kjo, e kombinuar me një sasi të mjaftueshme të parave (pa të cilat fatkeqësisht nuk imagjinohet jeta bashkëkohore) bëjnë që njeri të ndjehet mirë dhe i lumtur. Por, gjithsesi, liria në jetë, miqtë e mirë, mundësia që të bësh punën që e do, e plotësojnë jetën dhe bukurinë e saj. Jeta padyshim është e bukur dhe e shkurtër. Është gjithashtu e shtrenjtë. Prandaj duhet shfrytëzuar secili moment në jetë që t’i gëzohemi asaj. Siç thotë edhe një mendimtar: “Jeta nuk matet me numrin e frymëmarrjeve në të, por me momentet që të frymëzojnë dhe ndalin frymën”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.