Quhet Alban Bajraktari. Është 31 vjeçar dhe vjen nga qyteti i Prizrenit. Deri këtu është çdo gjë e zakonshme, për çdo lexues që në vazhdim do ta njoh historinë e djaloshit kosovar që bën tifo për një skuadër jo të zakonshme.
Newcastle United është ekipi tij i zemrës për më shumë se 20 vite. Ai është i rrethuar nga ngjyrat bardh & zi dhe emblema e klubit anglez që rrallë mund ta keni parë diku tjetër shkruan Gazetasheshi, përcjellë gazeta KOHA.
Madje ai edhe fanelat i bën në mënyrë speciale, pasi që tregu në Kosovë nuk ofron shumë zgjidhje për skuadra që nuk kanë shumë tifoz dhe nuk janë të popullarizuara në Kosovë.
Në një intervistë për “Gazetën Sheshi”, Bajraktari zbulon gjithçka që e lidh me klubin anglez dhe rastësinë e të qenurit një tifoz i Newcastle United.
Gazeta Sheshi: Përshëndetje Alban, jeni një rast ndoshta edhe unik në vendin tonë kur jashtë klimës të të qenurit një tifoz i një skuadre të popullarizuar, ju jeni tifoz i një skuadre siç është Newcastle United. Nga lindi dashuria për këtë skuadër?
Alban Bajraktari: Përshëndetje edhe për ju. Në fakt nuk jeni të vetmit që habiteni me këtë histori, por është e vërtetë unë jam një tifoz i zjarrtë i Newcastle United që nga gjenerata e artë e Alan Shearer. Ka mbi 20 vite që e ndjeki rregullisht Newcastlen.
Gazeta Sheshi: Çka e bën më të veçantë këtë ekip që ju keni vendosur ta përkrahni për dallim nga të tjerët që zgjedhin skuadra më populliste në bote?
Alban Bajraktari: Është historia shumë vjeçare dhe tradita që ka ky klub. Besnikëria që lojtarët dhe trajnerët e shfaqin për këtë klub edhe në momentet më të vështira, siç është rasti i Alan Shearer, i cili pati mundësi të luante për secilën skuadër tjetër në Premier League dhe ndoshta të fitoj shumë trofe, por ai nuk e bëri duke qëndruar besnik i skuadrës. Kjo është veçantia e Newcastle United.
Gazeta Sheshi: Si reagojnë njerëzit e tjerë kur ju zbuloni se jeni tifoz i Newcastle United?
Alban Bajraktari: Ju thashë pra, ju vjen shumë çudi dhe disa edhe nuk e besojnë. Mandej kur thellohemi në bisedë e shohin se me të vërtetë po flasin me një tifoz të Newcastle United.
Gazeta Sheshi: A keni rivalitet me tifozët e skuadrave të tjera, sikurse kanë tifozët e klubeve të tjera të njohura mes tyre?
Alban Bajraktari: Po. Rivalitetin më të madh e kam me babain tim, meqenëse është tifoz i Arsenal dhe dihet që me Arsenal tradicionalisht kemi patur rezultate të mira. Ky është ndoshta rivaliteti që mund ta theksoj.
Gazeta Sheshi: Cili është momenti kur jeni ndjerë më krenarë që jeni tifoz i Newcastle United dhe ai që ju ka dëshpëruar më së shumti?
Alban Bajraktari: Gëzimin më të madh e përjetoj kur mposhtim Sunderland, pasi që ata i kemi rivalë të urryer. Ndërkohë zhgënjimin më të madh e kam ndjerë dy edicione më parë kur u larguam nga Premier League.
Gazeta Sheshi: Po futbollin në Kosovë a e përcjellni?
Alban Bajraktari: Patjetër që po. Unë jam një tifoz i rregullt i skuadrës së Lirisë. Ndoshta që edhe fanelat me Newcastle United kanë qëlluar të njejta dhe mundem ti përdor ato në ndeshjet e Lirisë (Qeshet).
Gazeta Sheshi: Kur jemi te fanelat, te rekuizitat sportive, si ja dilni ti siguroni, pasi që dihet që në Kosovë nuk ka shumë dyqane që ofrojnë të tilla?
Alban Bajraktari: Është shumë e vërtetë që në Kosovë nuk ka shumë dyqane ku mund ti blej. Por, për fat një e kam siguruar në Prishtinë dhe një tjetër e kam porositur në Zvicër.
Gazeta Sheshi: Çka prisni nga skudra aktuale e Newcastle United për këtë vit.
Alban Bajraktari: Do jetë një sezon i vështirë, pasi që jemi rikthyer në Premier League. Nuk kam shumë pritshmëri të mëdha, vetëm që të kemi rezultate sa më të mira dhe ta sigurojmë më herët qëndrimin në kampionat.