Futbollisti Mohamed Salah, këtë sezon ka qenë ndër lojtarët më të përfolur gjithandej, e posaçërisht në vendlindjen e tij në Egjipt, ku gëzon një respekt të madh. Në njërën prej vizitave të tij në Egjipt, Salah është njoftuar edhe me sozinë e tij, një egjiptian që ngjason shumë me futbollistin e Liverpool. Personi në fjalë është një 30 vjeçar me emrin Ahmed Bahaa nga Nagrig i Egjiptit, i cili arriti të takohet me Mohamed Salah dhe shpjegon se si reagojnë njerëzit kur e takojnë.
“Mohamed Salah u shtang në momentin që u takuam dhe më tha se po i duket sikur është duke e parë veten e tij në pasqyrë”, tha Ahmed Bahaa. Ai thotë se ndjehet i nderuar që i ngjason një personi si Mohamed Salah, pasi ai sjell gëzim të madh në Egjipt me gjithë punën e tij.
Bahaa shprehet se disa prej njerëzve që i takon, fillimisht nuk e dallojnë që nuk është Salah, por edhe në rastet kur e kuptojnë që ai është vetëm një person që ngjason shumë me futbollistin egjiptian, njerëzit duan të bëjnë fotografi me të dhe tregohen shumë të afërt.
“Afërsia që njerëzit e ndjejnë me Mohamed Salah, është për arsyen se futbollisti i shndërruar në një yll botëror, është person modest dhe ka një përulësi të një njeriu të zakonshëm dhe kjo gjë e bënë atë shumë të dashur tek njerëzit në Egjipt, por edhe në vendet tjera të botës”, deklaroi sozia i Mo Salah, Ahmed Bahaa.