Bordi i lartë zgjedhor i Turqisë ka lëshuar një listë jozyrtare të kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 24 qershorit. Sipas listës, për të cilat kundërshtimet mund të shprehen deri më 11 maj, gjashtë kandidatë do të marrin pjesë në zgjedhje për postin e presidentit në Turqi, Recep Tayyip Erdogan, Muharrem Ince, Meral Aksener, Selahattin Demirtas, Temel Karamollaoglu dhe Dogu Perinçek
Në prill të këtij viti, Parlamenti miratoi një projektligj për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme më 24 qershor duke synuar forcimin e sistemit presidencial të Turqisë të miratuar me referendum vitin e kaluar. Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti një referendum që kërkoi nga votuesit të vendosin për ndryshime kushtetuese në 18 nene për të kaluar nga sistemi parlamentar në sistem presidencial.
Sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare mbahen në të njëjtën datë në çdo pesë vite. Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP) dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në pushtet janë vendosur të hyjnë në zgjedhjet e 24 qershorit si aleancë zgjedhore, përcjell Atsh. Aleanca MHP-AK Parti mbështet presidentin aktual Erdogan, i cili kërkon mandatin e tij të dytë si president. Erdogan ka mbajtur postin e presidentit që prej vitit 2014 dhe është presidenti i parë turk i zgjedhur me votë popullore. Para kësaj, ai ka qenë kryeministër nga viti 2003 deri në vitin 2014.
Partia Popullore Republikane (CHP) ka zgjedhur Muharrem Ince si kandidatin e saj presidencial për zgjedhjet e parakohshme të 24 qershorit. Ndërkaq, Partia IYI (Mirë) ka lëshuar në qarkullim një peticion për ta nominuar udhëheqësen e partisë Meral Aksener si kandidaten e tyre në zgjedhjet presidenciale të 24 qershorit. Aksener tejkaloi 100 mijë nënshkrime për të qenë kandidate presidenciale.
Partia Saadet shpalli kryetarin, Temel Karamollaoglu si kandidatin e saj presidencial. Karamollaoglu gjithashtu tejkaloi 100 mijë nënshkrimet për të garuar si kandidat. Partia Demokratike e Popujve (HDP) nominoi ish-kryetarin e burgosur Selahattin Demirtas si kandidat presidencial. Në nëntor të vitit 2016, Demirtas së bashku me 12 ligjvënës të HDP-së u arrestuan me akuza për terrorizëm. Demirtas mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit. Dogu Perinçek, kryetar i Partisë Vatan, tejkaloi 100 mijë nënshkrime për të garuar si kandidat për president në zgjedhjet e 24 qershorit.