Shkup, 30 maj – Institucioni Avokati i Popullit sot shënon 20 vjetorin e fillimit me punë. Është vendosur me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë në vitin 1991, por fillon me punë shtatë vite më vonë në vitin 1998, pas miratimit të Ligjit për avokatin e popullit dhe zgjedhjen e avokatit të parë të popullit dhe zëvendësve të tij.
“Përgjatë viteve, pa rezervë investuam në përforcimin e Avokatit të Popullit si institucion dhe pranimin e tij si luftëtar për të drejta dhe drejtësi, si zë i popullit kundër organeve dhe institucioneve joefikase që u vlerësua si një nga shtyllat më të fuqishme të sistemit të Maqedonisë, për integritet me nivel të lartë të transparencës dhe llogaridhënies”, theksoi Avokati i Popullit Ixhet Memeti në ceremoninë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Këto 20 vite 125.320 qytetarë kanë dorëzuar ankesa deri te Avokati i Popullit. Është vepruar në 58.987, që kishin të bëjnë për 76.730 qytetarë.
“Për këto dy dekada konstatuam 17.711 shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut, ndërsa në 13.766 raste arritëm t’i mbrojmë të drejtat e qytetarëve që na bën krenar, por na inkurajon të vazhdojmë më tutje”, tha Memeti, i cili dy mandate gjegjësisht 14 vite është në krye të këtij institucioni.
Si institucion, tha ai, më vonë në deklaratë për mediat, shohim mundësi që të gjitha dallimet të shkrihen pa dallim se si qytetarë, si kombe, si fe, gjuhë… por edhe si politikë dhe si institucion.
“Këtë mendoj se dalëngadalë po e arrijmë. Me vet faktin se sot kryetari i Kuvendit na nderoi që kjo ngjarje të mbahet këtu, kryetari i Qeverisë na siguroi se do ta ndjek dhe do ta implementojë, është inkurajim i madh që ne edhe më fuqishëm të ecim më tutje”, tha Memeti.
Me ndryshimet e reja të ligjeve, me të cilat Avokati i Popullit merr mandate të reja në lidhje me kontrollin qytetar ndaj policisë, mik i gjykatës, promovim i të drejtave dhe lirive të njeriut, Memeti thotë se ai dhe ekipi i tij përballen me sfida tjera.
“Besoj se nëse e kemi mbështetjen fillimisht nga qytetarët, pushteti ligjvënës, ekzekutiv, e sidomos nga mediat, do të arrijmë me shumë cilësi dhe shumë më lehtë të shkojmë përpara, tha Avokati i Popullit.
Ai paralajmëroi vazhdim të monitorimit të procedurave të administratës, përcjellje konsekuente e pulsit të qytetarëve dhje nevojat e tyre, por edhe ndjekje e synimeve botërore, për humanizëm të raporteve njerëzore dhe vendosje e sistemit shoqëror që do ta karakterizojë me parime të larta dhe ndërgjegje për nevojat e respektimit të të drejtave të njeriut.
Avokati i popullit është një nga hallkat më të të rëndësishme në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe do të kontribuojë me gjithçka që është në kompetencën tonë që të avancohet puna e tij”, theksoi kryeministri Zoran Zaev, i cili është patronat i shënimit.
Zaev potencoi se përforcimi institucional i Avokatit të popullit ka qenë mes prioriteteve të reformave në sistemin juridik dhe në shërbimet e inteligjencës dhe të sigurisë në planin 3-6-9 të Qeverisë dhe paralajmëroi se ata do të mbeten në këtë listë të prioriteteve.
Theksoi se janë aprovuar dhjetë punësime të reja tek Avokati i Popullit, se ombudsmani është anëtar i Këshillit për përcjellje të implementimit të reformave në jurisprudencë dhe i janë dhënë ingerenca prokurorisë për kornizë juridike për ndërtim të mekanizmit të jashtëm të pavarur për mbikëqyrje të punës së policisë.
PSP për krim të organizuar dhe korrupsion do të formojë sektor të nevojshme vetëm për vepra që do t’i kryejnë të punësuarit në MPB dhe burgjet, ndërsa sektor të këtillë të veçantë do të formohet edhe në Avokaturën e Popullit”, tha Zaev.
Kryeministri apeloi deri te të gjitha institucionet në shtet për transparencë më të madhe me Avokaturën e popullit. Zaev tha se Avokatura e popullit e ka përkrahjen e qytetarëve dhe nga Qeveria, e po ashtu të punësuarit në këtë institucion do të duhet të përgjigjen me punë të ndërgjegjshme dhe të ndershme.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se gjatë 20 viteve të kaluara punë dhe ekzistim, Avokati i popullit u konfirmua si institucion i pavarur dhe me profesionalizëm të lartë, i cili në punën e vet niset nga parimet e barazisë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, pa dallim të gjinisë, ngjyrës, racës, besimit, përkatësisë politike e tjerë.
Por, Xhaferi vlerëson se do të ishte farsë nëse mbrojtja e të drejtave të njeriut i lihet vetëm institucionit Avokati i Popullit. Lidhur me vendin dhe rolin e Parlamentit në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, i përmendi dimensionin ligjdhënës të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit.
Kryetarja e Asociacionit të Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) dhe ombudsman i Shqipërisë, Erinda Balanca tha se në 28-të vendet anëtare të organizatës ka përparim të të drejtave të njeriut në krahasim prej para dhjetë viteve.
Me rastin e 20-vjetorit të Avokatit të popullit, në Kuvend u mbajt panel diskutim me temë “Institucioni Avokat i Popullit në Republikën e Maqedonisë: fillimet, zhvillimi dhe sfidat”, ku morën pjesë ish kryetari i Kuvendit Tito Petkovski, kryetari i Rrjetit evropian të institucioneve kombëtare për të drejtat e njeriut, Lora Vidoviq – Obudsman i Kroacisë, Jasminka Xhumhur, ombudsman i BeH-së, si dhe ish ombudsmani i Shqipërisë, Ermir Dobjani.
Sot dhe nesër në Shkup mbahet edhe mbledhja e dhjetë jubilare e Asociacionit të ombudsmanëve të Mesdheut, në kuadër të të cilit do të mbahet konferenca me temë “Avokati i popullit si mbrojtës i të drejtave sociale, kulturore dhe ekologjike”.