Ndriçim KULLA
Pak kohë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi planin e ri urbanistik. Është i disati plan që miratohet me idenë kësaj radhe, të rilindjes urbane. Në kronologjinë e planeve urbanistike që kanë rregulluar kryeqytetin tonë janë disa që kanë projektuar të nesërmen më të mirë të qytetit të tiranasve. Por në histori kurorën e lavdisë e merr ai që hap i pari rrugën duke shndërruar Tiranën nga një qytezë në qytetin e parë modern të Shqipërisë. Ky ishte Abedin Nepravishta dhe kjo qe kryevepra e kontributit të tij për kombin e vet.
Po mbushen afro 75 vjet që kur rrjeti kryesor urbanistik i Tiranës, pra ai kompleks rrugësh dhe godinash që u ngritën në gjysmën e dytë të vitit ‘30, përfundoi së ndërtuari si themeli i një kryeqyteti modern në një vend të rilindur. Në fakt, fytyra e përjetshme e zemrës së Shqipërisë me objektet e saj fondamentale, si: sheshi “Skënderbej”, Banka e Shqipërisë, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Rruga e Dibrës, Rruga e Elbasanit, Vilat Evropiane që gjenden buzë tyre; është skalitur e gjitha nën kujdesin e një kryetari të vetëm të kësaj Bashkie, që para saj ka kontribuar madhërishëm në historinë e gjysmës së parë të shekullit të kaluar, duke qenë kryetar Bashkie dhe prefekt në disa prej qyteteve më të mëdha të Shqipërisë.
Ky personalitet qendror i historisë së asaj periudhe quhej Abedin Nepravishta dhe ka qenë kryetari i Bashkisë së Tiranës për rreth 6 vjet në vitet 1933–1939, e para saj ka qenë kryetar Bashkie, prefekt për plot 25 vjet nga viti 1912 në qytete, si: Durrësi, Shkodra, Korça, Vlora, Elbasani, Berati, Gjirokastra etj…, duke qenë kështu ndër funksionarët më jetëgjatë të administratës shqiptare të kohës. Ai është gjithashtu i burgosuri e i internuari nga Italia pas 7 prillit 1939, duke qenë kështu antifashisti i parë shqiptar që u dënua penalisht nga shteti fashist. Si për të plotësuar portretin e rrallë të këtij luftëtari të orëve të para ndaj pushtimit, Abedin Nepravishta është nga të burgosurit dhe të dënuarit e hershëm të monizmit në fillim të prillit 1945. Me 20 vjet qëndrim në burgun e Burrelit dhe me 10 vjet internim në fshatrat e Myzeqesë, ai është i dënuari i moshuar që vuajti gjatë në moshën më të thyer (60–90 vjeç), duke qenë një rekordmen i persekutimit në historinë e qelive të komunizmit shqiptar.
Historiografia e indoktrinuar e së kaluarës që u sundua nga lufta e klasave, si dhe historiografia e re që ende s’është përkthyer në kuptimin shkencor të fjalës, “ishte natyrë” që donte ta përmendnin rrallë ose aspak emrin Abedin Nepravishta. Do ishte Fjalori i Ri Enciklopedik shqiptar, që do i jepte atij “medalje ari”, duke qenë se redaksia e tij, e përbërë nga historianët më të mirë të çdo krahu, vendosi në mënyrë unanime që të pasqyrohej në faqet e tij si kryetar Bashkie i së kaluarës vetëm jeta e Abedin Nepravishtës. Po cila është shkurtimisht jeta e kësaj figure të vlerësuar nga shtypi i viteve ‘30 e të nderuar me konsideratë të lartë në kujtimet e Sejfi Vllasit e të Ahmet Zogut?
Abedin Nepravishta ka lindur në vitin 1889 në fshatin Kuç të rrethit Vlorë, ku babai i tij punonte në cilësinë e nënprefektit të nënprefekturës së Kurveleshit. Prindërit e tij ishin të ardhur aty nga qyteza e Libohovës në rrethin e Gjirokastrës, historia e së cilës përbën një përjashtim të rrallë në historinë e trevave shqiptare. Në saje të kontributit të veçantë të disa banorëve të saj në Perandorin Otomane, Libohova qysh në fillim të shek. XVIII kishte fituar një status të veçantë në shkollimin e përvitshëm të të rinjve të saj në institucionet universitare otomane. Si pasojë e këtij procesi me qindra libohovitë u bënë juristë, mjekë, oficerë etj., që punuan si funksionarë të lartë në të katër anët e Perandorisë së Gjysmëhënës.
Nga Bagdadi deri në Sarajevë nëpunësit e saj bëjnë pjesë në Elitën e Perandorisë, duke lartësuar kështu me një reputacion special prestigjin e vendlindjes së tyre. Libohova është qyteti shqiptar që i dha më shumë intelektualë Perandorisë Otomane e si pasojë mbeti vetë deri në ditët tona një qytezë që kurrë nuk arriti të bëhej qytet. Figurativisht, ashtu si një bërthamë uraniumi mund të japë një radioaktivitet të lartë, edhe gjenerata e juristëve libohovitë që shkëlqyen në administratën otomane, “rrezatoi” gjatë jo vetëm në Turqi, por edhe në jetën e Shqipërisë pas vitit 1912. Pas Pavarësisë intelektualët libohovitë u futën në çdo qytet e institucion të shtetit, duke qenë dhe në rangun e kryeministrave, ministrave, prefektëve, kryetarit të Bashkisë etj.
Në gjurmët e kësaj plejadë shtetarësh do shfaqej edhe ylli i fateve të Abedin Nepravishtës. Ai kreu studimet në Shkollën e Lartë të Administratës në Stamboll në vitet 1908–1912. Ky qe universiteti më elitar në Turqi sipas modelit të Shkollës së Administratës në Paris, e që u ndërtua si dhuratë nga Franca në vitin 1858 në zbatim të reformave të Tanzimatit. Gjysma e pedagogëve të tij ishin francezë e në orët e tij mësoheshin 5 gjuhë kryesore të botës. Pranimi në të bëhej në një konkurs rigoroz e aty u futën vetëm 20–30 studentë shqiptarë. Lista e tyre u publikua me një krenari të ligjshme në revistën “Ylli i Dritës” në vitin 1940. Shumica e këtyre shqiptarëve që u diplomuan në këtë shkollë me Akronimin MYLKYE u bënë më pas “enfans prodigies” (fëmijët e mrekullueshëm fr.) të politikës në fillim të shekullit XX.
Abedin Nepravishta është drejtori i parë shqiptar i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e si i tillë është ndër themeluesit kryesorë të sistemit financiar të Shqipërisë në vitin 1925. Pas dy vitesh ai do emërohej prefekt i prefekturës së Durrësit në vitet 1927–1929; ishte prefekti i parë që zbuloi një komplot serb për të vrarë president Ahmet Zogun. Kjo shërbeu për ta emëruar në vitet 1929 – 1931 prefekt të prefekturës së Korçës, një pikë delikate e stabilitetit politik të Kombit, për sa iu përket raporteve ndërfetare. Gjatë dy viteve që ndenji aty prezantoi imazhin e një prefekti me origjinë fetare myslimane, por që rrezatoi një Kulturë Europiane, për të cilën u adhurua edhe nga elita ortodokse.
Më pas në vitet 1931–1933 u emërua për dy vite perfekt i prefekturës së Vlorës, një qytet edhe më i ndjeshëm për temperaturë politike të shtetit të ri shqiptar. Aty Abedin Nepravishta do zbulonte lëvizjen më të madhe të spiunazhit serb gjatë periudhës së sundimit të mbretit Zog, ose atë që në historiografinë shqiptare njihet me emërtimin “Lëvizja e Vlorës”. Ky rebelim potencial u vërtetua më vonë se ishte paguar nga konsullata serbe në Vlorë e kishte përfshirë në gjirin e tij rreth 500 vetë, çka e bënte shumë të rrezikshme për vendin. Deri më sot asnjë historian s’e ka përgënjeshtruar versionin që tregoi Abedin Nepravishta.
Në mesin e tërë shqetësimit që solli në Vlorë seria e arrestimeve masive, ai gjeti rastin për të sjellë nga Kanina në Vlorë eshtrat e Plakut të Pavarësisë Ismail Qemali, e me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë atij iu bë një ceremoni varrimi tepër madhështore. Varri që ka sot Ismail Qemali në Vlorë është ndërtuar nga Abedin Nepravishta. Ishte po ai që mbajti një fjalim prekës kur eshtrat u futën në banesën e fundit. Gjatë kohës së qëndrimit në Vlorë, meqë kryetari i Bashkisë u arrestua si anëtar i Lëvizjes, Abedin Nepravishta u emërua si kryetari i Bashkisë së Vlorës në vitet 1932–1933. Ishte pikërisht në këtë periudhë, që me rastin e 20-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, Abedin Nepravishta ndërtoi Sheshin e Flamurit e Lulishten Historike buzë tij, duke u futur në histori si autori i pashlyer i këtyre dy simboleve të shenjta të Vlorës.
Përveç tyre, ai ndërtoi edhe atë Bulevard Historik që është shëtitorja Vlorë–Skelë, ky monument urbanistik i Vlorës, që konkurron denjësisht me “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Për këto vepra të mëdha, që janë atraksionet më të shtrenjta të qytetit të Vlorës, Këshilli Bashkiak i Vlorës me shumicë socialiste i ka vënë një rruge emrin “Abedin Nepravishta”.
Por, gjithsesi, ai me modestinë legjendare që mund të ketë patur një politikan shqiptar, si aktin e tij më të ndritur në Vlorë kujtonte zbulimin e “Lëvizjes së Vlorës”, si komploti më i madh serb gjatë periudhës së Mbretit Zog, ashtu edhe “Lëvizjen e Delvinës” si komploti më i madh italian gjatë kësaj periudhe, që u zbulua po nga Abedin Nepravishta disa vite më vonë në vitin 1937, janë kurora nderi që zbukurojnë biografinë e atij që e deshi aq shumë atdheun e vet. Por kryekurora që i “thuri” vetes qe vepra që ai bëri si kryetari i Bashkisë së Tiranës 1933–1939…
Abedin Nepravishta qe nëpunësi i vetëm në detyrë në ditën e pushtimit në 7 prill 1939. Ndonëse iu ofrua, ai e refuzoi me mirësjellje arratinë duke qenë i ndërgjegjshëm për fatin e pritshëm.
Qe ndoshta i vetmi që refuzoi të ikte me Asamblenë, e cila pranoi bashkimin me Italinë dhe u bë i burgosuri i parë i Italisë fashiste duke qenë dhe antifashisti i parë i internuar.
Pasi u kthye në Shqipëri në vitin 1942, aderoi në menjëherë lëvizjen antifashiste e për këtë u ftua në Konferencën e Pezës përmes mikut të Enver Hoxhës, Syrja Selfo. Për moshën e tij 60-vjeçare qe vonë për t’u marrë fizikisht me politikën aktive të kohës, por ai vuri në dispozicion disa shtëpi të tij si baza të luftës kundër fashizmit. Në një shtëpi pronë të tij në Lushnjë në dhjetor 1942 u krijua këshilli antifashist i Myzeqesë me kryetar komandantin e ardhshëm të ushtrisë nacionalçlirimtare, Spiro Mojsiu. Në një shtëpi tjetër të tij në Tiranë u strehuan gjatë luftës ilegalë të njohur antifashistë, si kryetarja e rinisë antifashiste Liri Berishova e sekretari qarkore i Durrësit Masar Shehu.
Ndonëse iu ofrua post, ai e refuzoi duke pëlqyer që të merrej në ato vite vetëm me tregti. Pothuaj të gjithë anëtarët e fisit të tij u aktivizuan me Frontin Nacionalçlirimtar, ndërsa një vëlla e tre nipër u radhitën me armë në formacionin partizan. Vëllai i tij Xhevdet Nepravishta ra dëshmor në vitin 1944 nga trupat gjermane të pushtimit. Ai strehoi në shtëpinë e tij me një kontratë fiktive qiraje edhe vajzën e madhe me fëmijë, kur burri i saj, doktor Fejzi Hoxha, doli ilegal për t’u bërë mjeku i ardhshëm i diktatorit.
Në mesin e muajt nëntor 1944, kur ende nuk qe pastruar Tirana nga gjermanët, një patrullë partizane do ta arrestonte si i piketuar për t’u vrarë me 36 viktima të tjera, por qe këmbëngulja e komandantit Mane Sovrani me origjinë nga Skrapari, që gjatë luftës kishte qenë shoku i ngushtë i vëllait të vet, Xhevdet Nepravishta, që e shpëtoi nga një vdekje e sigurt, duke e çuar për ruajtje në burgun e Tiranës e duke e bërë Abedin Nepravishtën të burgosurin e monizmit.
Abedin Nepravishta qe po ashtu i dënuari i parë shqiptar që u gjykua në fillim të Prillit 1945. Ai është ndoshta i dënuari i vetëm në historinë e komunizmit shqiptar, që iu dhanë vitet e burgut, por që s’i gjetën asnjë lloj vendimi për dënimin e tij. Me gjithë kërkesat e të afërmve, ende edhe sot nuk gjendet në arkiva asnjë vendim penal për të. Ndoshta prania e misionarëve anglezë dhe amerikanë e vuri në vështirësi trupin gjykues.
Abedin Nepravishta vuajti 20 vjet në burgun më të egër në Europë, në atë të Burrelit. Aty u bë nga të dënuarit më të vjetër duke i thënë me shaka “Rektori i Universitetit të Burrelit”. U lirua nga mesi i viteve ‘60 dhe u vendos në Tiranë te fëmijët që i kishte lënë të mitur. Por e liga e Shqipërisë, ai fat mizor që s’kurseu inteligjencën antikomuniste, s’mund ta falte as atë djalin e Libohovës që u bë më tiranas se tiranasit, duke e degdisur shpejt në internim atje në Myzeqenë e “Lumit të vdekur” të Jakov Xoxës. Vdiq në Fier në vitin 1975, ku i mbylli qepallat me Tiranën përjetësisht në retinën e syve të tij. (mapo)