Nëse reformat e parapara, nuk prekin në esencë ndjenjën e barabarësisë edhe për ata që nuk janë shqiptarë, ky mision do të konsiderohej i dështuar. Një shtet si Maqedonia e Veriut që pretendon të bëhet pjesë e strukturave kolektive të sigurisë, siç është NATO, është e paimagjinueshme që të anashkalojë kriterin e përfaqësimit etnik. Nëse vet NATO paraqet siguri globale për qytetarët e shteteve anëtare, edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, komponentë e sigurisë së tyre do të varej për aq sa pjesëtarët e kësaj etnie janë të përfshirë në njësitet speciale të ARM-së
Destan JONUZI
Shkup, 16 tetor – Përfaqësimi i shqiptarëve në Njësinë speciale “Ujqit” në Armatën së Republikës ë Maqedonisë së Veriut, vazhdon të mbetet një prej problemeve të pazgjidhura deri më tani. Burime të gazetës KOHA bëjnë të ditur rezistenca është e madhe që mos të përfshihen shqiptarët në këtë njësit. Në këtë linjë është edhe deklarata e profesorit universitar në Fakultetin për Siguri pranë Universitetit Evropian, Aleksandër Nacev. Ai përmes një statusi në Facebook ka sinjalizuar se Presidenti, Stevo Pendarovski edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, me “qëllim që të tregohen para elektoratit shqiptarë si të mirë do ti hapin dyert edhe për shqiptarët në njësitin “Ujqit”, ndërsa kjo në thelb nënkupton se në Njësitin “Ujqit” do të ketë vend vetëm për kuadro për të cilat do të jap dritë jeshile BDI-ja”. Sipas tij, ky hap do të ishte veprim jashtë nevojave të njësitit “Ujqit”, jashtë standardeve dhe angazhimeve të NATO-s dhe BE-së, me qëllim që të kënaqen interesat partiake dhe të koalicionit. “Përkundër faktit se analiza e sfidave të sigurisë dhe pasiguria që ato mbartin imponon nevojën që vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së të njohin nevojën për të rritur kapacitetin e njësive speciale, Shekerinska dhe Pendarovski kanë një agjendë tjetër – për të shpërbërë njësitin më elitë të Armatës. Ky hap është në kundërshtim me angazhimet euroatlantike, pasi që edhe NATO dhe BE kanë njohur nevojën për të investuar në njësi speciale të Armatës. Kjo është ide për t’i treguar elektoratit shqiptar se shqiptarët do të jenë pjesë e “Ujqve”, që është tentim për plotësimin e nevojave të BDI-së”, ka shkruar Nacev në profilin e tij në Facebook, reagim ky që ka marrë edhe vëmendjen e mediave opozitare maqedonase.
Ndërkohë nga Ministria e Mbrojtjes dhe Kabineti i Presidentit, Stevo Pendarovski thonë se nuk ka dhe nuk do të ndodhë asnjë e keqe me transformimin e Regjimentit të Njësive special të Armatës “Ujqit” dhe “Renxherët” në Batalionin për ekzekutim, zbulim, mbikëqyrje dhe përcaktim të qëllimeve (IRNOC). Presidenti Pendarovski madje ka biseduar me Komandantët e Njësitit Special “Ujqit”, por ato në asnjë mënyrë nuk kanë dashur të dëgjojnë për inkuadrimin e shqiptarëve në këtë njësi elite speciale ushtarake. Mësohet se rezistenca është e madhe që mos të përfshihen shqiptarët në njësitin “Ujqit”. Autoritetet thonë se qytetarët duhet të jenë të qetë, për arsye se nuk rrezikohet siguria e shtetit e as cilësia operative e Armatës, pasi që për këtë transformim shfrytëzohen edhe shërbime të sigurisë të NATO-së. “Batalioni për qëllime speciale, i njohur si “Ujqit” dhe “Renxherët”, tanimë kalon në Batalionin për ekzekutim, zbulim, mbikëqyrje dhe përcaktim të qëllimeve, do të vazhdojë të funksionojë por tanimë nën ombrellën e Komandës Operative, apo e njohur si Komanda e bashkuar. Këto dy njësi jashtëzakonisht janë vlerësuar në Armatë, por edhe te partnerët tonë të ardhshëm në Aleancën e NATO-s. Jo vetëm që nuk do ti shpërbëjmë, por angazhohemi që ato të jenë më të kualifikuara, për ti përsosur edhe më shumë me aftësi dhe njohuri të reja”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes.
Nga ana tjetër, nga Kabineti i Presidenti Stevo Pendarovski thonë se Presidenti tanimë e ka nënshkruar dekretin për formacionin e strukturës së re të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. “Regjimenti për operacione speciale nuk shpërbëhet, por transformohet në Batalion të forcave speciale, i cili do të jetë nën Komandë Operative, e jo si deri më tani nën komandë të Gjeneral Shtabit. Sipas planit strategjik të Mbrojtjes, të miratuar në vitin 2018, Batalioni i njësive Speciale do të kryejë detyra special në pajtueshmëri me doktrinën dhe praktikën e forcave special të NATO-s. Përveç Komandës, do të përbehet edhe nga dy skuadra të forcave special (ekipe) dhe skuadër logjistike”, deklaruan për KOHA, nga Kabineti i Presidentit Pendarovski.
Por, ajo për të cilin zhvillohet debate më i madh këto ditë në Maqedoninë e Veriut është përfaqësimi i shqiptarëve në këto njësi Speciale., por edhe rezistenca që shfaqet aty këtu kundër këtij përfaqësimi.
Siç mëson KOHA ekipe të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Gjeneral Shtabit janë duke finalizuar modalitet për përfshirjen edhe të shqiptarëve një njësitin Special “Ujqit”, njësit ky që në të kaluarën ka qenë i mbyllur për shqiptarët pasi që në të nuk ka asnjë pjesëtarë shqiptar.
“Ne edhe si subjekt politik (BDI) kemi qenë gjithnjë që ta zgjidhet çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve edhe në Njësit ku nuk ka përfaqësues shqiptarë. Në këtë drejtim sidomos unë kam punuar me të madhe, pavarësisht gjitha shkrimeve që po ndodhin. Ideja dhe qëllim është se ne duhet ta kryejmë këtë si çështje. Tani gjithçka varet, jo se nuk ka disponim nga ministrja, ministria nga unë ose Presidenti i shtetit, por është çështje që është në ingerenca të Shtabit të Përgjithshëm. Do të duhet që këtë çështje ta kryejmë në mënyrën më të mirë të mundshme pa mos krijuar trazira. Edhe reformat e fundit kanë shfaqur disa paqartësi në opinion sidomos te kjo njësia e “Ujqit” me pretekstin se ndoshta dikush do humbë diçka etj. Duhet ta kryejmë këtë proces në mënyrë të butë dhe të qetë pa shumë pompozitet”, deklaroi për KOHA, zëvendësministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti.
Ndërkohë, nga Kabineti i Presidentit Pendarovski, kanë konfirmuar se ato mbështesin çdo angazhim për avancimin e përfaqësimit të bashkësive etnike në Armatën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe mbështesin reformat me të cilat sigurohet mirëqenie dhe profesionalizëm më të madh për ushtarët. “Lidhur me kapacitetet kadrovike, punësimeve dhe sistemimeve të pjesëtarëve të Njësive të Armatës, Presidenti si Komandat Suprem do ti mbështes gjitha angazhimet për jetë më të mirë, kualitative dhe punë të ushtarëve, pajisjen e tyre dhe përgatitjen profesionale, qëllime të cilat janë shumë të rëndësishme në prag të anëtarësimit tonë në NATO. Përfaqësimi adekuat i të gjitha bashkësive etnike në Armatë është princip i cili detyrimisht duhet të respektohet. Edhe pse presidenti nuk ka ingerenca mbi Konkurset e shpallura për punësim në Armatë, si Komandat Suprem mbështet politikat nëpërmjet të cilave do të mundësohet përfaqësimi i drejt dhe adekuat i të gjithë bashkësive në Armatën dhe principin se cilido ushtarë, në cilin do pozicion që do të konkurroj të zgjidhet në bazë të aftësive dhe përgatitjeve të tij profesionale”, thonë nga Kabineti i Presidentit.
Numri i të punësuarve në Njësitë Speciale konsiderohet si informatë e klasifikuar, ndërsa numri në total i të punësuarve në Ministrin e Mbrojtjes dhe Armatë është 7100 në letër, kapacitet ky që nuk është plotësuar asnjëherë, por ka arrit të plotësohet deri në 85 për qind. Sipas reformave dhe rekomandimeve të NATO-së numri i përgjithshëm i të punësuarve në Armatë do të zvogëlohet për 200 por, siç thonë nga kjo ministri asnjë i punësuar nuk do të ngelet pa punë. Aktualisht numri i të punësuarve në Ministrin e Mbrojtjes dhe Armatë është 6900 ndërsa do të reduktohet për 200 të punësuar.
Nëse reformat e parapara, nuk prekin në esencë ndjenjën e barabarësisë edhe për ata që nuk janë shqiptarë, ky mision do të konsiderohej i dështuar. Një shtet si Maqedonia e Veriut që pretendon të bëhet pjesë e strukturave kolektive të sigurisë, siç është NATO, është e paimagjinueshme që të anashkalojë kriterin e përfaqësimit etnik. Nëse vet NATO paraqet siguri globale për qytetarët e shteteve anëtare, edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, komponenta e sigurisë së tyre do të varej për aq sa pjesëtarët e kësaj etnie janë të përfshirë në njësitet speciale të ARM-së. (koha.mk)