Urim HASIPI
Tetovë, 10 shkurt – Me qëllim të mbrojtjes dhe shpëtimit të njerëzve dhe të mirave materiale nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera, në Komunën e Tetovës është formuar njësia universale për mbrojtje dhe shpëtim, shkruan gazeta KOHA. Kjo njësi është formuar me shumicë në Këshillin e Komunës së Tetovës. Me këtë rast, plani për mbrojtje dhe shpëtim nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera në Komunën e Tetovës, përmban masa parandaluese dhe operative, aktivitete dhe procedura për mbrojtje dhe shpëtim, thotë kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Hisen Xhemaili.
“Bëhet fjalë për masa për përgatitjen e forcave për mbrojtje dhe shpëtim, masa për përgatitje që ndërmerren në shkallën e parë, dytë dhe të tretë të gatishmërisë, udhëzime për punë të kryetarit të komunës gjatë kohës së mobilizimit, udhëzime për punë me planin mobilizues për komandantin e Shtabit për mbrojtje dhe shpëtim, masa për siguri gjatë kohës së realizmit të mobilizimit, plan për strehim, plan për mbrojtje dhe shpëtim nga përmbytjet, plan për mbrojtje dhe shpëtim nga zjarret, plan për ndihmën e parë mjekësore”, tha Xhemaili.
Sipas tij, pjesë e kësaj njësie janë dhjetëra ekspert të ndryshëm të shumë sferave. “Në këtë ekip bëjnë pjesë pjesëtarë të Njësisë së Zjarrfikësve, pjesëtarë të NPK-së, mjek specialist apo gjithsej 46 persona, që do të jenë të gatshëm që të organizojnë për një kohë të shkurtë masat kundër fatkeqësive të ndryshme në rajonin e Komunës së Tetovës”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, po ashtu janë paraparë edhe masa konkrete gjatë përmbytjeve, zjarreve dhe fatkeqësive të tjera elementare natyrore. “Po ashtu pjesë e kësaj njësie është edhe mbrojtja dhe masat që duhet të merren gjatë kohës së vërshimeve dhe përmbytjeve, që të jemi të përgatitur në këto raste, ndërsa krahas kësaj detajisht është përshkruar puna dhe masat që duhet të ndërmerren gjatë zjarreve dhe shpërthimit me përmasa më të mëdha. Masat për mbrojtjen nga zjarret, shpërthimet dhe materiet e rrezikshme në objektet e Komunës së Tetovës që kanë të bëjnë me të gjitha llojet e objekteve ku numri më i madh i personave janë punësuar ose kryejnë ndonjë veprimtari të rregullt ose përkohësisht dhe te të cilat edhe persona të tjerë mund të qëndrojnë më gjatë ose një kohë më të shkurtër. Mbrojtja nga zjarret përfshinë marrjen e masave dhe veprimtarive të programit organizativ, teknik, arsimor dhe propagandues, të cilat merren me qëllim të pengimit dhe përhapjes së zjarreve, zbulimit dhe shuarjes së tyre, si dhe shpëtimit të njerëzve dhe pronës së rrezikuar nga zjarret. Mbrojtja nga zjarri organizohet dhe pa ndërprerje zbatohet në mjediset dhe vendet ku ekziston rreziku nga shkaktimi dhe përhapja e zjarrit. Po ashtu parashihet që masat të merren edhe në ndërtesa kolektive se si të veprohet në këto fatkeqësi”, nënvizon kryetari i Këshillit.
Ndryshe, dy vite radhazi, respektivisht në vitin 2015, më 2 gusht, kishte përmbytje në rajonin e Tetovës dhe më gjerë, ku kishte viktima dhe dëme të mëdha materiale, të cilët u vlerësuan mbi 20 milionë euro.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.