Indeksi i kapitalit njerëzor i Bankës Botërore tregon se një fëmijë i lindur sot në Maqedoni, do të arrijë vetëm 53 për qind të kapitalit potencial njerëzor kur do të rritet, në raport me atë se çka mund të arrijë nëse ka arsim cilësor dhe është plotësisht i shëndoshë
Nga Fisnik PASHOLLI
Në ish shtetin jugosllav, nxënësit në shkollë mësonin se jemi ndër të parët në botë me pasuri të ndryshme natyrore, se kemi male, fusha, lumenj, liqene, për dallim prej nxënësve në Japoni që mësonin se shteti i tyre është i varfër me resurse natyrore dhe duhet shumë të punojë që kompensojë këto mungesa të pasurive natyrore.
Në shtetet e Ballkanit perëndimor përfshi edhe Maqedoninë e veriut sikur akoma mbretëron një ide e tillë se resurset humane apo njerëzit nuk janë kapitali dhe potenciali kryesor i një shteti, por ato mbeten xehet, pyjet e kështu me radhë. Në favor të kësaj flasin edhe të dhënat e ikjes së madhe të popullatës jashtë shtetit, joshjes së investitorëve të huaj që për paga të vogla të vijnë të investojnë në rajon , hapja e shkollave të larta në çdo qytet më të madh në Ballkan, hiperinflacioni i diplomave që nuk nënkuptojnë edhe dije, mastera dhe doktoratura të panumërta që nuk i valorizon tregu i punës etj
Bile edhe analizat e Bankës Botërore tregojnë se dituria, shkathtësitë dhe shëndeti, që njerëzit e fitojnë përgjatë jetës së tyre paraqet faktor kryesor për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe ulje të varfërisë në më shumë shtete të botës. Indeksi i kapitalit njerëzor i Bankës Botërore tregon se një fëmijë i lindur sot në Maqedoni, do të arrijë vetëm 53 për qind të kapitalit potencial njerëzor kur do të rritet, në raport me atë se çka mund të arrijë nëse ka arsim cilësor dhe është plotësisht i shëndoshë.
Nga ana tjetër, për dallim prej pasurive të tjera të një shteti që harxhohen dhe zvogëlohen, vetëm dituria paraqet një resurs i cili përkundër harxhimit mund të rritet dhe zgjerohet. Sfidë mbetet për ne , edhe tejkalimi i problemit me eksportin e njerëzve të shkolluar si mjekë apo inxhinierë në shkollimin e të cilëve shteti ka investuar me qindra mijë euro, nga njëra anë dhe importin edhe të prodhimeve bujqësore që mund ti prodhojmë këtu si gruri, qumështi, mishi, grosha.
Nevojitet edhe që tu ofrohet shans nga ana e shtetit e 10 për qind të nxënësve dhe studentëve më të dalluar që nesër do ti pret një vend i sigurt i punës, apo të angazhohen pas diplomimit, studentët më të dalluar të fakulteteve ekonomike apo juridike, në institucionet më të rëndësishme të shtetit apo edhe në ndërmarrjet më të mëdha në pronësi të shtetit. Bile edhe një Norvegji si një nga shtetet më të pasura të botës që posedon burime të mëdha të naftës, mendon për ardhmërinë e banorëve të saj duke investuar shuma të mëdha për arsim ku renditet ndër të parat në botë.
Tek ne mbështesim dhe stimulojmë industri të bazuara në punën me dorë, hapjen e qendrave të mëdha tregtare, ndërtimin e banesave që nesër nuk do të ketë kush ti blejë, ndërsa kemi probleme edhe me hapjen e vendeve të punës nga ana e afaristëve vendor, mbajtjen mezi gjallë të sipërmarrjes dhe sipërmarrësve apo zanateve , eksportit të prodhimeve me vlerë të shtuar në vend të lëndëve të para , derdhjen e qindra e qindra milion euro në subvencione bujqësore dhe rritjen të prodhimtarisë në pak degë të rëndësime bujqësore, importit të qumështit dhe mishit dhe uljes së fondit të kafshëve. Problem më vete është edhe mos investime në prodhimin e energjisë elektrike për nevojat e amvisërive dhe industrisë , dhe importit të madh të rrymës ku për çdo vit harxhohen shuma jo të vogla të të hollave, ku dihet se nuk ka zhvillim ekonomik pa pavarësi energjetike, por kjo mbetet çështje debati për ndonjë herë tjetër. (koha.mk)