Islamabad, 11 korrik – Të paktën 11 njerëz e kanë humbur jetën, ndërsa mbi 70 janë lënduar pasi një tren transportues sot herët në mëngjes ka përplasur një vagon transportues, i parkuar në hekurudhë, në pjesën lindore të Pakistanit, kumtuan përfaqësues zyrtar.
“Treni ka udhëtuar nga qyteti lindor Lahore deri në pjesën jugperëndimore të provincës Baloçistan”, deklaroi shefi i policisë Umer Salamat, duke shtuar se gjatë përplasjes motori i trenit është dëmtuar tërësisht, ndërsa tre vagonë kanë dalë prej binarëve.
Sipas nëpunësit policorë Hafez Bugi numri i viktimave mund të rritet, duke pasur parasysh se tre prej të lënduarve janë në gjendje kritike, ndërsa ka edhe udhëtarë që janë të bllokuar në brendinë e vagonëve të dëmtuar.
Ekipet e shpëtimit po përpiqen me mjete elektrike të krijojnë hapësirë dhe qasje te udhëtarët që janë brenda.
“Arsyeja për fatkeqësinë hekurudhore ende nuk dihet dhe kjo do të hetohet pasi të përfundojë operacioni i shpëtimit”, tha shefi i administratës lokale Xhamil Ahmed.