Suksese të mëdha gjatë viteve 1971-1974 arriti drama shqipe pranë Teatrit të Kombësive, e cila mesatarisht për çdo vjet realizonte 6 premiera dhe rreth 100 shfaqje në Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Kërçovë, Ohër, Prilep, Kumanovë dhe në qytetet tjera në Jugosllavi dhe në botën e jashtme. Gjatë këtyre aktiviteteve, drama shqipe mori çmime të lartë në festivalet “Vera e Ohrit” dhe “Vojadan Çernodrinski” në Prilep
Qerim LITA
(vijon nga dje)
Menjëherë pas kësaj Rezolute, u ndërmorën një sërë masash dhe aktivitete konkrete nga organet shtetërore që merreshin me zhvillimin dhe përparimin e kulturës. Fondi Republikan për përparimin e veprimtarisë botuese, në planin financiar për vitin 1971, veç tjerash, kishte paraparë të financoheshin disa projekte me interes për arsimin dhe kulturën shqiptare, si: libra shkollor në gjuhën shqipe për arsimin fillor, revistën “Jehona”, revista për fëmijë “Fatosi”, literaturë për fëmijë në gjuhën shqipe nga autorë shqiptarë dhe të përkthyer, si dhe blerjen e veprave letrare në gjuhën shqipe të botuara në RS të Maqedonisë për furnizimin e bibliotekave.
Për rrjedhojë, gjatë viteve 1971-1974, kemi një zhvillim më të theksuar të kulturës shqiptare, sidomos kjo në lëmin e informimit e të botimit. Nëse deri në vitin 1971, “Flaka e Vëllazërimit” dilte një herë në javë dhe në të punonin vetëm 5 gazetarë, tashti kjo gazetë dilte tre herë në javë, me një tirazh prej 6.000 ekzemplarë, me gjithsej 25 gazetarë. Njëkohësisht, në kuadër të “Flakës së Vëllazërimit”, botohej revista “Jehona” e cila dilte për çdo muaj, përkatësisht dymbëdhjetë numra në vjet me tirazh prej 2.500 ekzemplarë, si dhe revistat mujore për të rinjtë dhe fëmijët: “Gëzimi” me 10.000 ekzemplarë dhe “Fatosi” me 25.000 ekzemplarë. Në kuadër të “Flakës” u themelua njësia e veçantë e botimeve të librave, që sipas të dhënave që i ofronte Sekretariati për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të RSM-së, vetëm brenda periudhës 1971-1973, ishin botuar rreth 80 tituj nga beletristika, shkenca, literatura për fëmijë, ku gjysma e atyre ishin vepra të autorëve shqiptarë nga Maqedonia, ndërsa gjysma tjetër përkthime nga autor, maqedonas e ndërkombëtar.
Ndërkohë, zgjerim të programeve në gjuhën shqipe pati edhe në Radio dhe Televizionin e Shkupit. Risi në emisionet që transmetoheshin si nga Radio po ashtu edhe nga TV Shkupi, ishte ajo se përveç emisioneve informative, vend të rëndësishëm patën edhe emisionet që trajtonin probleme të ndryshme në jetën shoqërore, arsimore, kulturore e ekonomike të shqiptarëve në RSM-ë, si dhe emisionet që informonin për ngjarjet e ndryshme nga jeta kulturore në RPS të Shqipërisë. Veprimtaria e informimit në gjuhën shqipe gjatë periudhës kohore u begatua edhe me aktivitet programore të radio stacioneve lokale në Tetovë, Gostivar, Dibër e Strugë, Kumanovë, ku për çdo ditë nga këto stacione emetohej program i larmishëm në gjuhën shqipe në kohëzgjatje nga 40 deri më 150 minuta. Në Tetovë botohej gazeta “Pollog”, e cila ishte gazetë e përbashkët e Komunës së Tetovës e të Gostivarit dhe e cila botohej në tre gjuhë: maqedonisht, shqip dhe turqisht.
Suksese të mëdha gjatë viteve 1971-1974 arriti drama shqipe pranë Teatrit të Kombësive, e cila mesatarisht për çdo vjet realizonte 6 premiera dhe rreth 100 shfaqje në Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Kërçovë, Ohër, Prilep, Kumanovë dhe në qytetet tjera në Jugosllavi dhe në botën e jashtme. Gjatë këtyre aktiviteteve, drama shqipe mori çmime të lartë në festivalet “Vera e Ohrit” dhe “Vojadan Çernodrinski” në Prilep. Aktivitete të bujshme patën edhe shoqëritë kulturore artistike, ku duhet veçuar: SHKA “Besa” nga Gostivari, “Liman Kaba” nga Dibra dhe “Xhelain Zeqiri” nga Tetova, të cilët me aktivitetet e tyre si brenda, po ashtu edhe jashtë Republikës, kontribuuan në afirmimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve. Marrë në përgjithësi, arsimi dhe kultura shqiptare në RSM-ë gjatë periudhës kohore 1969-1974, edhe pse jo në përmasa të mjaftueshme, pati një zhvillim dhe përparim të dukshëm, sidomos nëse këtë e krahasojmë me periudhën e mëhershme. (fund)