Real Madrid ka arritur marrëveshjen në të gjitha detajet me Chelsea dhe Eden Hazard duke i hapur rrugë kalimit të belgut në Madrid në sezonin e ardhshëm, sipas gazetës spanjolle “Marca”.
Gazeta më e madhe në Spanjë shkruan se këto ditë klubet kanë arritur të zgjidhin të gjitha detajet e kontratës, po ashtu edhe mesfushori me tipare sulmuese ka rënë dakord për kalimin e tij në “Bernabeu” dhe në ditët e ardhshme pritet që të finalizohet marrëveshja.
Hazard do të firmosë kontratë 6-vjeçare me “Los Blancos” dhe në javët e ardhshme do të udhëtojë drejt kryeqytetit të Spanjës, për të filluar të gjejë akomodimin e tij për vendin e ri ku do të jetojë.
Sapo të mbyllet ky sezon, belgu do transferohet direkt në Madrid, në mënyrë që të përshtatet më mirë me jetesën në Spanjë dhe të jetë gati të fillojë sezonin e ri me fanellën e bardhë, që e ka ëndërruar që në fëmijëri.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Eibar, trajneri Zinedine Zidane e deklaroi hapur se Hazard është ndër ato lojtarë që e pëlqen shumë, madje tha se e njihet edhe personalisht 28-vjeçarin.
Kujtojmë që më herët Chelsea i kërkoi 200 milionë euro Realit për ta lënë të lirë yllin e tyre, mirëpo klubi spanjoll refuzoi të japë këto shifra dhe vullneti i lojtarit për të shkuar në Madrid ka detyruar “Blutë” e Londrës që të pranojnë ofertën e re, që në shifra akoma nuk është zbuluar.