Nga ana tjetër, zbehja e atmosferës në Tetovë vërehet këtyre ditëve pasi që mungojnë ardhjet e zakonshme të mërgimtarëve në vendlindje për festat e fundvitit
Urim HASIPI
Tetovë, 21 dhjetor – Ky vit po përfundon pothuajse pa asnjë eveniment dhe organizim kulturor. Pandemia e cila ka kapluar tërë botën, paralizoi jetën kulturore edhe në Tetovë. Shumë pak institucione kishin guximin për të mbajtur ndonjë ngjarje kulturore, kryesisht ndonjë ekspozitë në Galerinë pamore, por edhe në këto ekspozita prezenca e mysafirëve ishte e kufizuar. Nga ana tjetër, këtë vit nuk u mbajt asnjë organizim kulturor në kuadër të komunës së Tetovës, sidomos munguan manifestimet “Tetova feston nëntorin” që mbahej çdo vit. Në këtë drejtim, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi pohon se kanë respektuar vendimet e autoriteteve shëndetësore që të mos ketë tubime në vende publike. “Këtë vit nuk kemi organizuar asnjë manifestim kulturor për shkak të gjendjes. Nuk kishim asnjë eveniment nën ombrellën tonë duke përfshirë këtu edhe festat e Vitit të Ri. Gjithë buxhetin për festat e fundvitit për zbukurimin e qytetit, për ngjarje që kanë të bëjnë me organizimet e fundvitit, ne i kemi vendosur në programin për ndihma sociale. Ne në këtë mënyrë i jemi bashkuar thirrjeve që janë bërë që të mos ketë tubime pasi që është rrezik për përhapjen e virusit” deklaroi Arifi.
Në ndërkohë, ajo pohon se festat këtë vit nuk kanë kuptim sepse shumë njerëz kanë humbur jetën dhe ky vit ishte plot dhimbje. Sipas saj, kryesorja mbetet shëndeti i njerëzve, kurse për festa ka kohë. “Po ashtu në anën tjetër dihet se kemi humbur shumë njerëz dhe në një farë formë festat janë të zbehta pa njerëzit e afërm që nuk i kemi në mesin tonë. Mendoj se ky ishte një vit me shumë dhimbje, dhe nuk kemi pse të festojmë. Ajo që është kryesore është që të jemi të shëndoshë, dhe të dalim mirë nga kjo pandemi, kurse kohë për festa do të ketë pasi që tashmë është shumë e rrezikshme çdo lloj tubimi në çdo formë” tha Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës.
Nga ana tjetër, zbehja e atmosferës në Tetovë vërehet këtyre ditëve pasi që mungojnë ardhjet e zakonshme të mërgimtarëve në vendlindje për festat e fundvitit. Kësisoj, nuk janë të zakonshme kaoset në komunikacion dhe gjallëria e qytetarëve nëpër pjesët qendrore të Tetovës. Zbehja pritet të jetë më shumë evidente edhe gjatë ditëve në vijim, kur do të kufizohet akoma më shumë orari i punës së lokaleve nga ora 18:00. (koha.mk)