Në vigjilje të festave të Nëntorit, gazeta KOHA ka biseduar me artistin Shkodran Tolaj, i cili tashmë ka mbushur një vit që mban mbi supe drejtimin e Ansamblit Kombëtar të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Z. Tolaj, karriera juaj fillimisht ka nisur në Gjermani, më pas nga viti 2012 keni qenë pjesë aktive e skenës shqiptare si në sferën klasike ashtu edhe në atë të festivaleve mbarëkombëtare. Cila ka qenë pjesëmarrja juaj e fundit si solist në skenë dhe çmimi i fundit në festival?
TOLAJ: Fillimisht iu falënderoj shumë që vazhdimisht më keni mbështetur në karrierën time artistike dhe në punën menaxheriale në krye të Ansamblit. Koncerti im i fundit solistik ishte në Tetovë në korrik të vitit 2019, kurse pjesëmarrja e fundit në festival në gusht të vitit 2020 – ku në jubileun e 30-të festivalit “Zambaku I Prizrenit”, unë dhe partnerja ime e jetës dhe skenës – Besiana Mehmedi, morëm çmim të parë, duke u shpallur fitues të këtij festivali prestigjioz të këngës së vjetër qytetare shqiptare.
KOHA: Cili është dallimi i menaxhimit të karrierës individuale me menaxhimin e një institucioni?
TOLAJ: Eh… dallimi është i madh, por mendoj se pa eksperiencën individuale, pa bagazhin profesional dhe pa qenë pjesë e organizimit të evenimenteve është e pamundur që të hysh në botën institucionale, sepse është botë komplekse që do eksperiencën, punën e palodhshme, guximin dhe durimin. Më ka ndihmuar shumë që për 6 vite me radhë isha drejtor i dy evenimenteve mbarëkombëtare në Kërçovë – “Dita jonë” – Festival për fëmijë dhe të rinj, ku kanë marrë pjesë me krijimtarinë e tyre kompozitorët më në zë të viseve tona dhe është vlerësuar nga ekspertët si një nga festivalet më të arrira profesionalisht në trojet shqiptare dhe, drejtor i manifestimit “Një ditë dhe natë festive” ku kanë marrë pjesë emra të shquar të letërsisë, muzikës, folklorit, filmit që kanë shndërruar çdo vit Kërçovën në epiqendër të kulturës mbarëkombëtare. Pra, nga viti 2013 kam qenë pjesë e pandashme e organizimit të evenimenteve të mëdha kulturore në Kërçovë, protagonist i “Gala koncerteve” si ai i mbajtur më 2014 në Tetovë me bilbilin e këngës shqipe Nexhmje Pagarusha dhe orkestrën e Operës dhe Baletit të Maqedonisë, protagonist në “Gala koncertin-Drejt udhës së shkronjave për në Manastir” dhe i shumë projekteve të rëndësishme që kanë kontribuar në jetën kulturore në Maqedoninë e Veriut pa harruar çmimet dhe festivalet në Kosovë e Shqipëri ku do veçoja çmimin e parë në “Flaka e janarit” 2013 në Kosovë, çmimin e dytë në festivalin “Këngët më të bukura për flamur” në Kosovë dhe çmimin “Nexhmije Pagarusha” në Tiranë apo pjesëmarrjet në festivalin e fundvitit në RTSH. Sa i përket Ansamblit, detyrën si drejtor që në fillim e kam pranuar si mision të ngritjes artistike dhe profesionale të kësaj shtëpie kombëtare dhe assesi si privilegj. Por e vërteta është që bagazhi profesional dhe puna ndër vite më ka ndihmuar shumë. Nga nëntori 2019 kur jam emëruar drejtor, tërë energjinë time menaxheriale, artistike, organizative e kam orientuar në ansambël sepse qëllimi ishte që ky institucion në fillimet e veta të krijojë shprehi dhe norma pune, profesionalizëm dhe origjinalitet dhe në këtë mënyrë të etablohet si institucion serioz me themele të forta që do të konkurrojë dinjitetshëm me institucionet simotra në rajon. Them se ia kam arritur qëllimit me gjithë vështirësitë të cilat janë pjesë e punës andaj rruga e nisur do vazhdojë. Në fund të fundit të menaxhosh 50 persona të ndarë në sektore profesional dhe administrative nuk është e lehtë por me punë dhe ngulm të përditshëm arrihet që të vendosen kornizat bazë të funksionimit që them se tashmë janë vendosur. Mendoj se ia vlen çdo sakrificë për të shpier përpara misione të caktuara kombëtare në profesionet tona.
KOHA: Ansambli është krijuar vitin e kaluar dhe ajo që bie në sy janë programet e ngjeshura premierë, sukseset e njëpasnjëshme. Si e keni arritur këtë duke marrë parasysh vitin e vështirë kur shumica e institucioneve me traditë të gjatë nuk ia kanë dalur të gjenden në këtë situatë?
TOLAJ: Kur ka filluar periudha e vështirë e marsit të këtij viti deri diku e papritur për të gjithë ne, ansambli po përjetonte sukseset e njëpasnjëshme- koncertin e parë në Mal të Zi me 8 mars dhe jehonën e madhe që pati nga koncerti i 17 shkurtit-Ditës së Pavarësisë së Kosovës, koncert I transmetuar në tv 21 dhe i ndjekur nga mijëra shqiptarë. Urata, duartrokitje, mirënjohje nga kryetari i Komunës Nik Gjeloshaj, mesazhe pafund nga Diaspora krijonin aq energji dhe motiv sa lajmi se duhet të nderpritet puna na gjeti në një gjendje “shoku” të gjithëve. Kam menduar se çfarë duhet të bëjmë ose cila është mënyra që mund të funksionojmë. Kam mbledhur bordin drejtues dhe kam propozuar platformën online e cila është mbështetur njëzëri dhe më vjen mirë që ishim i pari institucion në rajon që filloi platformën online, sepse humbja e kohës, ditëve, javëve, muajit ansamblit tonë të ri i kushton shumë. Institucionet tjera me eksperiencë dekadëshe kanë në bagazhin e tyre qindra koncerte, valle dhe repertor të gatshëm kurse neve na duhet çdo sekondë për ngritjen cilësore dhe artistike. Më duhet ta falënderoj shumë profesorin nga Tirana, koreografin Artan Ibershimi, i cili ka punuar pa ndalë teknikën korografike të Sadik Batkut – online me valltarët. Është angazhuar prof. Valton Beqiri për orkestrime të reja dhe të gjitha janë përgatitur online nga orkestra e këngëtarët të cilët i realizuan edhe si video shumicën e tyre kështu që çdo javë në termin të rregullt ne kemi patur të shtunave programin tonë përmes faqeve tona zyrtare. Kemi realizuar suksesshëm projektin “Triumfi I jetës” apo “Këngë moj” të përkthyer në anglisht si shpresë për ditë të mira me mesazhin se jeta do të triumfojë. Gjatë kësaj periudhe është përgatitur dhe material solidarizues në të gjitha gjuhët e botës për vendet e prekura nga Covid 19 dhe u është dërguar ambasadave në vend. Pra është bërë një punë e pandalshme e cila solli dhe rezultate andaj me lejimin e punës sipas masave të parapara dhe protokolleve të Komisionit të Sëmundjeve ngjitëse, M. Kulturës dhe Qeverisë, ne kishim gati koncertin tematik premierë dedikuar kompozitorit Musa Piperku, një koncert për të cilin kanë arritur vlerësimet më të larta nga kompozitorë, këngëtarë,intelektualë, bashkëpunëtorë e familjarë të dibranit tonë Musa Piperku.
KOHA: Opinioni i gjerë dhe mediat serioze e dinë se çfarë pune po bën Ansambli, madje në pikëpamje të cilësisë ndonjë i huaj mund të mendojë për një institucion që funksionon me vite të tëra, megjithatë në botën shqiptare janë çdokund prezent ndonjëherë ndërkëmbëzat, shpifjet apo nxitjet e qëllimshme. Megjithëse janë sporadike dhe të parëndësishme, a ju duket sikur ka një luftë të vazhdueshme ndaj vlerave dhe njerëzve punëtorë ndër shqiptarë?
TOLAJ: Mbase në fillimet e karrierës sime jam shqetësuar shumë për çdo fjalë por me kalimin e kohës e kam kuptuar se të jesh njeri publik është të pranosh se aq sa të duan edhe të urrejnë. Megjithatë, kur ka tentativa të mundshme sporadike për të “vënë shibla” për një punë e cila bëhet me shumë përkushtim janë tejet të ulëta dhe gjeste të pamatura të atyre që nuk mendojnë përtej “hundës” së vet. Jo tek shqiptarët por në çdo vend dhe komunitet ka karaktere që mund të pandehin se në forma të tilla sado pak të zbehet suksesi dhe puna e dikujt ose të arrihen qëllime personale. Duke marrë parasysh që jemi edhe në një “katrahurë” shoqërore kur secili shkruan çfarë të dojë dhe madje edhe anonim nuk ia vlen farë të humbet energji për teza hipotetike. Energjia është e vlefshme të shfrytëzohet për punë dhe realizim të projekteve që duhet të dalin në skenë që është arena dhe treguesi më i mirë i punës, menaxhimit e suksesit. Megjithatë po mos merret askush me ne si drejtues apo njerëz publik duhet të shqetësohemi sepse atëherë jemi të heshtur dhe të fjetur. Mos harrojmë se të mençurit kanë thënë “pas çdo suksesi dhe pune të mirë ka edhe zhurmë”.
KOHA: Sa jeni i kënaqur me trupën e Ansamblit?
TOLAJ: Secili nga punëtorët e Ansamblit mendoj se është krenar që është pjesë e një institucioni kombëtar që është ëndërruar me shekuj dhe them se kanë patur fatin që të jenë pjesë e trupës. Natyrisht e mira nuk ka fund dhe artistët e Ansamblit veçse janë në krijim e sipër të personaliteteve të tyre artistike por është bërë dhe po bëhet punë shumë e mirë dhe serioze.
KOHA: Cilat i konsideroni sukseset më të mëdha të Ansamblit në vitin 2020?
TOLAJ: Të gjitha evenimentet janë të rëndësishme dhe nuk do i ndaja duke marrë parasysh se janë punuar me një koncept ideor që është dorëzuar si plan i punës katërvjeçare në momentin që kam marrë mandatin si drejtor dhe këtu do veçoja punën që është bërë në rikthimin e verave tona në skenë, ose më saktë në gjurmimin e karrierës së personaliteteve të harruara dhe të lëna pasdore në mungesë të një institucioni siç është Ansambli. Veçoj koncertin me krijimtarinë e Musa Piperkut transmetuar në të gjitha rrjetet në Tv 21 që për herë të parë përmblodhi këngët më të bukura-perla të muzikës shqiptare të kompozuara nga Piperku, koncertin tematik të Lorenc Antonit në të cilin është bërë punë e mrekullueshme me realizimin e krijimeve korale, koreografisë së suitës “Malësorja” si dhe këngëve dhe dokumentarit origjinal për të. Ishte koncerti i parë që iu dedikua këtij kolosi të muzikës dhe themeluesit të shkollës në Prizren më 1948. Po ashtu veçoj koncertin për Trio Zajazin që ka sjellur këngët specifike, veshjen kërçovare dhe koreografinë premierë” Trashëgimtarët e Uskanës” duke rikthyer Trio Zajazin dhe këngët e tij në një formë shumë të shqiptarizuar në aspektin muzikor dhe orkestral. Pra kemi arritur të arkivojmë në pikëpamje biografike dhe profesionale karrierën e kolosëve të parë të muzikës në RMV dhe kjo do të vazhdojë edhe në vitet tjera. Pesë koncertet vjetore që janë në plan të mbahen deri në fund të vitit shpresoj ti realizojmë me uratat që të kemi ditë të qeta dhe me gjendje më të stabilizuar shëndetësore. Nga ato pesë koncerte kemi realizuar koncertin në Kërçovë transmetuar në TVM2 dhe tashmë kemi përgatitur koncertin tematik dedikuar 28 nëntor që do të mbahet pa publik por do të jepet në “live-stream” në sheshin Skenderbeu me 28 nëntor në orën 12:30 dhe në TVM2 në orën 22:30. Ky koncert mbahet nën Patronatin e kryetarit të Komunës së Çairit dhe do të sjellë program shumë serioz dhe dinjitoz marrë parasysh dhe emrat e ftuar të mysafirëve si Ilir Shaqiri, aktori Basri Lushtaku e artistë të tjerë të vendit. Sivjet 28 nëntori për dallim nga viti i kaluar nuk do mund të festohet me duartrokitjet frenetike të publikut që na ka mbështetur në çdo hap por do të japë mesazhin e fuqishëm se shqiptarët janë bashkë në ditë festash, gëzimi, vështirësie e dhembje dhe më tepër ka për qëllim përçimin e një mesazhi fisnik e moral ndaj shqiptarëve kudo që jetojnë. Ansambli ynë ka marrë bekimin nga duartrokitjet e mijëra shqiptarëve dhe atyre që me lot në sy po përjetonin në nëntorin e kaluar realizimin e ëndrrës shekullore – jetësimin e këtij institucioni andaj ndjeja për obligim e borxh moral që edhe në këtë 28 nëntor të gjejmë formën më të mirë dhe të realizueshme që përmes ekranit të jemi pranë artdashësve të artit të mirëfilltë autokton.