Evis HALILI
Shkup, 16 janar – Autorë të huaj dhe emra të spikatur të dramaturgjisë bashkëkohore do të jenë pjesë e repertorit të teatroreve shqiptare gjatë këtij viti. Në skenat shqiptare rikthehet Dino Mustafiq, Ilir Bokshi…, ndërsa Shekspiri është një prej dramaturgëve të preferuar që nuk do të mungojë edhe këtë vit, shkruan gazeta KOHA.
Teatri i Tetovës dhe Teatri Shqiptar i Shkupit që i kanë mbyllur projektet e vitit të kaluar janë duke u përgatitur për shfaqjet e para të 2018. Në Teatrin e Tetovës viti nis me Shekspirin, shfaqje kjo që do të realizohet nga regjisori Sulejman Rushiti dhe provat nisin të hënën. Në repertorin e këtij viti Teatri i Tetovës ka planifikuar gjithsej pesë shfaqje në gjuhën shqipe dhe dy në maqedonisht, ndryshe nga viti i kaluar kur u realizuan vetëm dy projekte, një në shqip dhe maqedonisht. Drejtoresha Blerta Mamudi thotë se javën e ardhshme nisin provat për projektin e parë të këtij viti, premiera e të cilit pritet të shfaqet në muajin mars.
“Pavarësisht se ende nuk është miratuar programi i këtij viti nga Ministria e Kulturës ne jemi gati për të filluar me provat për shfaqjen e parë për këtë vit. Dominojnë autorë të huaj dhe regjisorë nga vendi dhe Kosova. Për momentin Teatri i ka mbyllur edhe problemet me llogaritë e papaguara dhe funksionojmë normalisht. Në programi ne këtij viti po ashtu parashikohet edhe realizimi i Festivalit të Teatrove”, thotë Mamudi.
Ndërsa për Teatrin Shqiptar të Shkupit repertori i këtij viti premton të jetë spektakolare. Jo vetëm për shkak të shfaqjeve të përzgjedhura dhe emrave të njohur që do të realizojnë projektet, por edhe për hapjen e teatrit dhe përfundimin e punimeve që do të shoqërohen edhe me një logo të dizajnuar apostafat për fillimin e ri. Janë gjithsej tre projekte që do të sjellin në skenë aktorë dhe regjisorë të njohur, si Refet Abazi, Dino Mustafiq, Kushtrim Bekteshi e Ilir Bokshi. Përveç shfaqjes “Vdekja e Dantonit” regjisorit Mustafiq do t’i besohet edhe kolazhi nga shfaqje të zgjedhura që do të realizohet me rastin e inaugurimit të ndërtesës së rikonstruktuar të teatrit, që besohet në muajt e fundit të këtij viti. Po ashtu Teatri Shqiptar do të jetë pjesë e një megaprojekti që financohet nga Bashkimi Evropian për realizimin e një shfaqje ku marrin pjesë pesë teatro nga rajoni.
Ndërsa në sektorin e Dramës Shqipe në Kumanovë të martën jepet premiera e fundit për vitin 2017. Në repertorin e këtij viti Drama Shqipe ka aplikuar me gjithsej katër projekte, një prej të cilave është shfaqje për fëmijë, ndërsa tre të tjerat janë të zhanreve të ndryshme.
Edhe pse nga Ministria e Kulturës ende nuk është miratuar programi vjetor për çdo institucion, në teatro ka filluar puna për realizimin e projekteve të reja.
Se cilat projekte dhe sa në total do të realizohen për çdo teatër do të shihet në fund të këtij muajin, kur shpallen edhe rezultatet e konkursit vjetor. Përveç këtyre teatrove edhe në qytete të tjera, si Dibër, Strugë, Shkup e Gostivar do të realizohen edhe projekte alternative. Festivali i Teatrove Mbarëshqiptare si edhe Festivali i Kukullave në Dibër, në Gostivar Festival i Teatrit Otello, K’tu fest në Strugë, Skupi Fest në Shkup, Festivali i Teatrove në Tetovë, e të tjera. (koha.mk)