Naxhi Ndoci, romanin e tij historik e ka pa të arsyeshme ta ndaj në tetë pjesë kryesore, ku secila pjesë përmban ngjarje të rëndësishme të së kaluarës sonë kombëtare, duke filluar nga viti 1908, kur siç është e njohur botërisht, Xhon-turqit, me ndihmën edhe të shqiptarëve e rrënuan pushtetin absolut të Sulltan Hamidit, dhe shpallën “Hyrijetin”, dhe përfundon me zhvillimet e dhimbshme të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, kur Tito dhe klika e tij komuniste, arriti ta ripërtërijë Marrëveshjen e vitit 1938
Nga Qerim LITA
Romani me titull “Dështimi” i Naxhi Ndocit, autor i njohur i më se dhjetë titujve në letërsinë bashkëkohore shqiptare të këtyre trojeve, është vepër me karakter të thellë historike, me ngjarje autentike të disa protagonistëve bashkëkohënik të cilët me bindje të plotë flasin për këto ngjarje, që kanë lënë pasoja të thella shoqërore e politike në hapësirat tona. Është me rëndësi të thuhet se këto të dhëna autori ka arritur t’i grumbulloj në moshë të re, përkatësisht në pjesën e parë të viteve gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, kur ai sa po kish filluar të merrej me profesionin e gazetarisë.
Edhe pse asaj kohe ka qenë e vështirë, madje thuajse e pamundur të kryesh hulumtime për të kaluarën e kombit shqiptar, autori pati fatin të ketë një familje me tradita të thelluara kombëtare. Babai i tij., Shaipi, ishte ndër shqiptarët e rallë që e kish të kryer gjimnazin e plotë, përkatësisht Idadijen e Shkupit, gjatë viteve 1908-1912. Përveç kësaj, ai për tri vite me radhë (1909-1912) ka punuar si nëpunës në hotelin më të madh të Shkupit, hotel “Jëlldës”, të Ejup Gaxhës, një atdhetar dhe intelektual i shquar shqiptar. Për gjatë asaj periudhe kohore, në Shkup kanë ndodhur ngjarje shumë me rëndësi, sidomos nga viti 1910 kur përmes këtij qyteti të lashtë dardan udhëhiqej kryengritja shqiptare. Shumë veprimtarë të kohës, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Nexhip Draga etj., takimet e tyre me diplomatët e Fuqive të Mëdha i mbanin në hapësirat e atij hoteli.
Autori, Naxhi Ndoci, romanin e tij historik e ka pa të arsyeshme ta ndaj në tetë pjesë kryesore, ku secila pjesë përmban ngjarje të rëndësishme të së kaluarës sonë kombëtare, duke filluar nga viti 1908, kur siç është e njohur botërisht, Xhon-turqit, me ndihmën edhe të shqiptarëve e rrënuan pushtetin absolut të Sulltan Hamidit, dhe shpallën “Hyrijetin”, dhe përfundon me zhvillimet e dhimbshme të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, kur Tito dhe klika e tij komuniste, arriti ta ripërtërijë Marrëveshjen e vitit 1938, të nënshkruar midis Qeverisë së Republikës së Turqisë së Qemal Ataturkut dhe Qeverisë së Mbretërisë jugosllave të udhëhequr nga Millan Stojadinoviq, e cila marrëveshje parashikonte brenda 6 viteve nga Kosova dhe viset shqiptare në Maqedoninë e sotme të shpërnguleshin 40.000 familje shqiptare.
Në pjesën e parë, autori fillimisht në pika të shkurta e përshkruan “migrimin” e paraardhëseve të tij, nga Gjakova për në Shkup, e cila ka ndodhur në vitin 1908. Një hap i tillë është ndërmarrë nga Ymer Ndoci (gjyshi i autorit), vetëm e vetëm për ta regjistruar djalin e tij, Shaipin, në gjimnazin e lartë (Idadedijen) e Shkupit. Kjo ngjarje ndodhi pikërisht në kohën e revolucionit Xhon-turk, kur rilindësit shqiptarë, u mblodhën në Manastir, dhe siç shprehet autori, “vetëm për tetë ditë, vendosën dhe ia dhuruan kombit pasurinë më të madhe, diturinë, arsimin, kulturën. Ia dhuruan alfabetin e njësuar”. Menjëherë pas kësaj, në Shkup u formua klubi kulturor-arsimor “Bashkimi”, me të cilin udhëhiqnin krerët dhe veprimtarët e shquar shqiptar të kohës, si: Hasan Prishtina, vëllezërit Draga, Bajram Curri, Shahin Kolonja, Hamdi Beu etj.
Pjesa e dytë e romanit ndalet për një ngjarje shumë tragjike që u kishte ndodhur pronarëve të dy hoteleve të Shkupit, Ejup dhe Emin Gaxhës. Ndërsa pjesa e tretë, bënë fjalë për një ngjarje shumë madhore që ndodhi në vitin 1911 në Shkup, kur me nismën e rilindësit të njohur shqiptar, Jashar Erebarës në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, pra në Shkup, filloi të del gazeta e parë në gjuhën shqipe, që u emërtua me emrin “Shkupi”. Kjo gazetë, edhe pse dilte një herë në javë, dhe vetëm prej katër faqesh, sillte lajme më të freskëta e më interesante nga jeta politike e shoqërore nga mbarë PerandoriaOsmane, sidomos fjalimet e deputetëve shqiptar në Stamboll, të cilët “me argumente të plota e me arsyetime guximtare” asaj kohe kërkonin të drejtat e shqiptarëve. Ja se si e përshkruan daljen e gazetës Shkupi, Shaipi në rrëfimet dhënë autorit të romanit:
“…Puna e palodhshme e rilindësve tanë në realizimin e të drejtave tona kombëtare, të gjuhës, zakoneve dhe çdo gjëje që na cilësonte si komb, me botimin e gazetës “Shkupi” këtu në Shkup, në kryeqitetin e Vilajetit të Kosovës, në kryeqytetin e Dardanisë antike, vërehej një zgjim i përgjithshëm kombëtar. Zgjohej shqiptari nga letargjia shekullore, e që ishte verbuar nga një politikë e egër shkombëtarizuese… çdo fjalë e shkruar në gazetën tonë, sepse ashtu e quanim gazetën ‘Shkupi’, ishte zgjim për ne, nxitje për përforcimin e bindjes se erdhi koha që ne vetë ta marrim në dorën tonë fatin tonë…” Në pjesën e katërt, autori në mënyrë autentike na i përcjell rrëfimet e babait të tij, i cili, flet me entuziazëm për Shkupin e rinisë së vet, për këtë qendër të Vilajeit të Kosovës, për Shkupin si qendër e arsimit e kulturës, për rëndësinë e tij ekonomike e strategjike në Ballkan etj.
Pjesa e pestë që përbën edhe pjesën më të rëndësishme të veprës, autori na ofron të dhëna autentike, të cilat ia ka përcjell babai i tij, Shaipi, për Kryengritjen e Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912, për jehonën e madhe të saj nga shqiptarët në përgjithësi, e të nxënësve shqiptarë të Idadijes së Shkupit, në veçanti, për takimet e shumta të Hasan Prishtinës me diplomatët e Fuqive të Mëdha në Shkup, para, gjatë dhe pas përfundimit të saj, për ardhjen e 35.000 kryengritësve shqiptarë dhe qëndrimin e tyre dinjitoz plot një javë në Shkup, për mbledhjen e parisë shqiptare e cila është mbajtur në shtëpinë e vëllezërve Draga, për “tradhtinë” e Riza bej Kryeziut, për komunikatën e papritur e tepër dëshpëruese për shqiptarët, të Hasan Prishtinës, i cili në cilësinë e udhëheqësit kryesor të kryengritjes, më 19 gusht, njoftoi opinionin e gjerë shqiptar dhe jo vetëm, se Porta e Lartë i ka pranuar 12 nga gjithsej 14 kërkesat e tij, dhe se me këtë janë realizuar aspiratat e shqiptarëve, prandaj urdhëroi shpërndarjen e kryengritësve etj. Kjo deklaratë e Hasan Prishtinës, siç rrëfen Shaipi, befasoi dhe tronditi thellë zemrat e mbarë shqiptarëve liridashës, të cilët pritnin me padurim shpalljen e pavarësisë së plotë të Shqipërisë.
“Me një tregti kaq të zhvilluar – shprehet Shaipi në rrëfimin e tij -, ky qytet i lashtë dardan u sulmua, u pushtua, u shkatërrua, por gjithnjë ngjallej për t’u zgjeruar e begatuar. Kështu ngeli i gjallë deri në ditët tona. Po, edhe me shkatërrime të ndryshme, populli vendas, dardanët, stërgjyshërit tanë, kanë përjetuar ditë të liga. Por, ligështia më e madhe, më fatkeqe e Shkupit, është dështimi që përjetoi në vitin 1912. Ky dështim katastrofal, për fat të keq, është rezultat i pamundësisë së vetë udhëheqësve të kryengritjes së madhe të vitit 1912, kur duhej të viheshin bazat e shtetit shqiptar që pritej me shekuj. Dështimi i bërë na njollosi keq. Historia, kurrën e kurrës s’do ta harrojë këtë akt fatkeq. Ramë në pamëshirën e popujve fqinj. Dështimin po e ndjejmë në kurriz, tani e pesëdhjetë vjet”. “Dështoi qëllimi hyjnor i çlirimit – vazhdon rrëfimin e tij Shaipi…Ëndrra e çlirimit, e pritur me shekuj u asgjësua si flluska e sapunit. Të gjithë ngelëm të shtangur. Na kapi një e dridhme e papërshkruar në shpirt. Dëgjohej nga goja e njerëzve vetëm pyetja: ‘Çka u bë more?’. Kurkush nuk dinte të japë përgjigjen. Brenda ditës u ndërrua situata. Shkupi u shndërrua në fantazmë të vërtetë. Nëpër rrugë s’shihej njeri. Çarshia e Vjetër mbeti pa njeri të gjallë. Na pllakosi zymtësia e vetmisë. Prej jetimit u shndërruam në bonjakë…”.
Pjesa e gjashtë e romanit e përshkruan situatën e përgjithshme të shqiptarëve pas rënies së Perandorisë Osmane dhe pushtimin e këtyre tokave shqiptare nga pushtuesit serb. Ngjashëm sikurse pjesët tjera, edhe këtu autori si burim përdorë rrëfimet e babait të tij, i cili përveç vështirësive të shumta ekonomike që i kishin ndodhur atij dhe familjes së tij gjatë periudhës tridhjetëvjeçare të sundimit serbo-jugosllav, nuk harron pa i përmendur edhe planet dhe elaboratet e shumta serbo-madhe, të cilat për qëllim kishin pastrimin etnik të shqiptarëve nga këto toka dhe kolonizimin e tyre me elemente sllave. Në kuadër të kësaj ai vë në dukje rolin tejet negativ të udhëheqësit të Turqisë moderne, Qemal Ataturku, i cili siç do të shprehet, bashkëpunoi me Beogradin për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta.
Ngjashëm sikurse pjesa e pestë, edhe pjesa e shtatë ndalet në dështimin e madh që u ndodhi shqiptarëve në muajin gusht të vitit 1912. Për dallim nga pjesët tjera, autori në këtë pjesë të veprës së tij mbështetet në rrëfimet autentike të ish truprojes së Riza bej Kryeziut, Dan Nukës, i cili si protagonist i drejtpërdrejt, pas më shumë se 50 viteve ia ka përcjell autorit të gjitha ngjarjet më të rëndësishme që kishin ndodhur asaj kohe. Kështu sipas Nukës, në prag të shpërthimit të kryengritjes, papritmas, dhe në mënyrë të befasueshme për të, qarqet qeveritare serbe, në Sarajin e beut të Gjakovës dërgojnë sasi të madhe të armatimit, municionit dhe të arit. Tërë kjo e ka futur në dyshim Nukën, se mos vallë Riza beu, është shndërruar në vegël të qarqeve serbomadhe. Në vazhdim të rrëfimit, Dan Nuka ndalet në mbledhjen që është mbajtur më 18 gusht të vitit 1912 në Shkup, në shtëpinë e Nexhip Dragës, dhe tradhtinë e Riza beut. Tërë këtë e nxjerr në pah djali i tij, Aliu, i cili “paska dalë nga mbledhja i përlotur, i paska shikuar të pranishmit rreth e përqark e u paska thënë: “Hyni e vritmani babanë se na tradhtoi. Unë s’po kam zemër”. Menjëherë pas kësaj, Riza beu me njerëzit e tij të armatosur, me tren udhëton për Qypërli (Veles), ku për destanicion të fundit kishte pasur Selanikun, për ta liruar nga burgu, siç do shprehet Nuka “Babën Sulltan”, Sulltan Abdylhamidin e II, të cilin në vitin 1909 e kishin burgosur Xhon-turqit. Mirëpo, kjo u pamundësua nga autoritetet ushtarake turke, të cilat e kishin detyruan beun e Gjakovës të kthehet nga Qupërlia për në Shkup.
Pjesa e tetë dhe e fundit autori i romanit historik “Dështimi”, Naxhi Ndoci, na i përcjell gjykimet e njërit ndër historianët më me zë në mbarë trojet shqiptare, të ndjerit Prof. Dr. Zekiria Cana, me të cilin autori, krejt rastësisht është takuar në Zagreb, gjatë një qëndrimi të tij zyrtar, si gazetar i gazetës shqipe të kohës “Flakae Vëllazërimit”. Me atë rast, autori Ndoci, profesor Canës, i parashtron një sërë pyetjesh, në mesin e tyre edhe për “Memorandumin katërmbëdhjetë pikësh të Hasan Prishtinës”, që një akt i tillë, e fusin në një dilemë të madhe autorin e kësaj vepre. Profesor Cana tërë atë e arsyeton me “vlerësimin e situatës së përgjithshme. “Situata politike – shprehet Cana- ka qenë e tillë që nuk ka lejuar kërkesë për pavarësi të plotë”.
Për sa u tha më sipër, mendoj se Naxhi Ndoci, me botimin e këtij romani historik, përveç se ka bërë një punë të madhe në zbardhjen e disa ngjarjeve me rëndësi për historiografinë shqiptare në përgjithësi, e të trojeve shqiptare nën pushtimin jugosllav në veçanti, ai me vet faktin se nxjerr në pah disa të dhëna të reja dhe të panjohura deri më tash, vetvetiu nxitë studiuesit e ri shqiptarë që të bëjnë hulumtime më të thelluara rreth dilemës së shprehur jo një herë nga autori se vallë, Hasan Prishtina, si prijësi kryesor i Kryengritjes së vitit 1912, a nuk pati rrugë tjetër përveç se të dakordohet me ato të drejta gjysmake që Porta e Lartë u ofroi shqiptarëve? Apo, ndoshta mund të ketë diçka tjetër, për çka historiografia shqiptare deri më sot nuk ka arritur ta zbuloj. (koha.mk)