Teoricienët e estetikës thonë se edhe dhoma kur është e zhveshur nuk ka lezet, po edhe pylli i zhveshur të trishton, edhe zabeli pa drurë e pa shkurre nuk të krijon ndjesi pozitive!Sikur Mitrush Kuteli të ishte në mesin tonë, do të bërtiste me zemërim: “Rroftë mileti pa brekë!” Ehe, kësaj shprehje të Kutelit kushedi sa velenxa do t’i duhen!
Nga Fadil LUSHI
Sa herë që bëj përpjekje të ndërtoj vështrime për gazetë, aq herë “më duhet” (pa qejfin tim) të ballafaqohem me miqtë, me familjarët, me farefisin, me lexuesin, me redaktorin, me lektorin tim të nderuar dhe, në fund,të mos them edhe me haxhi babën, sidomos në momentet kur parashtrohet pyetja rreth stilit a mënyrës si i shpreh mendimet kur shkruaj. Ca thonë se pikëpamjet i kam të thjeshta, ca thonë se i kam paksa të fryra, me e pa “terbije”, paksa të ngatërruara, me gjemba, pak me “tarafe”, me mure prej qerpiçi, me arna, disa romantike dhe gjysmërealiste, asnjanëse, gjysmake dhe, në instancë të fundit, me tone sarkastike dhe “anadollake”. Meqenëse shkrimet e mia janë nën “vëzhgimin e veçantë” të haxhi babës prej “xhandari”, detyrohem që t’i respektoj deri në fund vërejtjet a edhe sugjerimet e tij, sidomos kur është fjala te përzgjedhja e temave dhe kryeprotagonistëve për “shkarravinat” e mia. Dhe, ky haxhi baba, një ditë sikur më tha: “Në të ardhmen duhet të heqësh mënjanë temat ku llafosen të përmuajshmet dhe menopauzat e politikanë(e)ve të dështuar, të heqësh atë temën për anatominë e bythës së pleshtit…, një herë e përgjithmonë të flakësh nga mendja atë prapanicën e viçit të bezdisshëm, të përgojuar dhe të përkëdhelur, të heqësh mënjanë edhe temën që llafos koqet e kandarit…, qofshin ato të jenë të miat, të heqësh mënjanë edhe ato shprehjet e tipit provincialisti, folk-patrioti, komunisti, hafija, rrospia, fiqiri, i rrjedhuri, opinga, kalorësi i vonuar i revolucionit, oborrtari, atdhetari, fukarai, teneqexhiu, sekseri, aristokrati, shehërliu, kasabaliu, daullexhiu…, shporre edhe atë filozofinë e shovinizmit oksidental që padrejtësisht e prodhon a e ushqen ekstremizmin oriental…,hiq mënjanë edhe atë modestinë dhe sinqeritetin tënd të tepruar, që kohë pas kohe shkon në skajshmëri brutale dhe mandej vetvetiu shndërrohet në kompleks inferioriteti…,së fundi të heqësh edhe shprehjet e tjera prej rrugaçësh dhe ca të tjera proverbiale. Meqenëse ca shkrime i ke lakuriqe, për hir të kodit etik të gazetarisë, do të duhet që ato t’i veshësh me kostume që do t’u shkojnë për shtati…, mos harro se kohë pas kohe do të kesh nevojë që ato edhe t’i zhveshësh!”
Nëse unë do t’i respektoj këshillat dhe sugjerimet e haxhi babës, assesi nuk kam të drejtë ta zhgënjej. Për këtë dhe të tjera arsye, unë i parashtrova pyetjen. Po si do të bëhet kjo punë, kur ti “padrejtësisht ma more a ma zaptove toptan fjalorin tim, edhe ashtu të zbehtë a të kufizuar!”.Po si do të shkruaj kur nuk do t’i kem pikëmbështetjet për opinionet e radhës…, a nuk do më mungojë tërësia e togjeve dhe e thënieve a e shprehjeve të qëndrueshme të gjuhës sime…, a nuk do të kem nevojë për frazeologjinë time “oportuniste e demagogjike”, a nuk do të kem qasje në atë të folmen time krahinore…, a nuk do më lejosh që të huazoj shprehje nga lirika erotike! Kurse ai ma ktheu: “Ty të mjaftojnë vetëm fjalë të tilla si: pazarllëqe me hile,muhabete pa lezet dhe të tjera llafe të pathemelta!” Hajde mendje, hajde!
Kur haxhi babës (të cilit nuk i ka kaluar kabulli i të qenit pelegrinazh!) i kërkova shpjegime më të hollësishme për këtë mesele, ma ktheu: “…a e pe se këtij botërori (RUSSIA 2018) toptan i doli lezeti…, a e pe që këta autoritetet e FIFA-s kundërshtuan dhe njëkohësisht deshën me çdo kusht të eliminojnë çdo hile në lojë…, a nuk t’u duk se ky botëror në fund na doli njësoj sikur të bësh seks me mushama! Ore, qerrata! Do shkruash pak edhe për njeriun i cili sabah e aksham trumbeton me të madhe kinse është fetar, pavarësisht se asnjëherë “nuk mësoi se ku i binte dera e xhamisë, kishës dhe teqesë”, shkruaj edhe për provincialistin i cili ditë e natë bën politikën e arsimit universitar, ndonëse asnjëherë në jetën e tij “nuk mësoi se ku i binte rruga” që të shpie te shkolla fillore e lëre më atë të mesmen…, shkruaj edhe për atë taze politikanin (i cili për një lugë çorbë pushteti i përkulet me temena kryeparit të partisë politike)…,që vepron njësoj si ajo evgjitja e dashur që ta shikon filxhanin e kafesë, vijat e pëllëmbës së dorës dhe mandej ta ndërton atë parashikimin e rremë e krejt të pathemeltë për të ardhmen e këtij dovleti,përfshirë aty edhe gjithë Gadishullin Ballkanik…, shkruaj edhe për kryekungullin që zapton hapësirat publike…, dhe, së fundi,të shkruash edhe për atë velenxën për prapanicën e zhveshur të Madonës shqiptare!”Ehe, nga na doli tani kjo velenxë dhe kjo prapanicë e zhveshur. Dhe haxhi baba iku!
Njohësit e mirëfilltë të historisë së natyrës thonë se kur Perëndia krijoi Ademin dhe Havën (a.s.), atyre u dha nga një gjeth xheneti…, kur krijoi majmunin, ia shtoi bishtin, kur krijoi kërmillin,i dha guaskën, kur krijoi kodrat,i veshi me pemë, kur krijoi arat, i veshi me bimë, kur krijoi sytë, u dha qepallat, kur krijoi breshkën, ia shtoi samarin dhe çdo gjë tjetër që krijoi e veshi me ato që u takonte…, dhe kjo nuk ishte rastësi e thjeshtë, përkundrazi ishte një domosdoshmëri objektive. Dikur moti “… kur Madona kishte shkuar në Moskë për të dhënë koncert, një zyrtar (fetar) rus i qe drejtuar me një kërkesë: ose hiq kryqin ose vish brekët!” Mos vallë, ky zyrtari moskovit kishte kërkuar etikën e munguar të këngëtares me shtetësi amerikane dhe kodin e veshjes së saj në ambiente publike! Unë, sinqerisht nuk e di. Unë mund të them se gjithsecili nga ne, o do të bëjë punën për çka është i ngarkuar e i paguar, o do të duhet ta braktisë atë…, o do të duhet ta mbyllë gojën. Ndryshe nuk bën. Ne, që kemi moshë të shkuar, padyshim se gjendemi në pikën më të largët e më fundore të paragjykimeve a edhe të thashethemeve. Një mbrëmje tek po ndiqja lajmet qendrore në një televizion kombëtar, më ra në sy një detaj ku dukej presidenti i një shteti shqiptar. Nuk më interesonte kryepari, sa më shqetësonte kureshtja ta shoh se ç’surrat të shëmtuar kishte shefi i protokollit të presidencës, të cilin si dukej toptan e kishte lënë mendja…, një protokollist prej province që me pa të drejtë kishte lejuar që një soliste e re dhe bythëzbuluar të takohej me kryetarin e “dovletit taze!”Kjo gocë me prejardhje shqiptare, në krahasim me mbretëreshën e muzikës amerikane, nuk kishte kryqin por ama i mungonin veshjet e brendshme! Parashtrohet pyetja se si ndodhi që kjo gocë e llastuar me kësisoj konstrukti fizik, mental dhe moral të futej në hapësirat e rezidencës së presidentit. Mos vallë ky shefi i protokollit të presidencës është aq shumë “perëndimor dhe i moderuar”, saqë nuk paskësh nevojë që punët t’i merr me terezi… dhe kur do t’i mungojë terezia e fiqirit, o do të kopjojë origjinalin, o do të na marrë për budallenj, o do të zgërdhihet, o do të fusë gishtin në hundë dhe, së fundi, toptan do të na paragjykojë pse nuk i themi se veprimet i ka me tamam!?
Si bëhet që sot e gjithë ditën e Perëndisë të mbyllim sy e gojë dhe më pastaj të lejojmë që gjithsecili të udhëheqë protokollin e institucionit të presidencës, si mund t’i mundësojmë një çerek analfabeti të zhveshë të gjitha virtytet dhe vlerat që ka një institucion, qoftë ai të jetë shkencor, fetar, politik, arsimor e artistik.. dhe, në fund, hiç fare të mos i kërkojmë llogari për punën e tij prej diletanti…, si nuk i themi:“Ore, ki parasysh se para hundës nuk ke prapanicën e Madonës dhe të asaj gocës me prejardhje shqiptare!”Si nuk i shkoi ndërmend asnjërit që këtyre njerëzve, me ADN-në e papërcaktuar, t’ua zhvesh paaftësinë vetjake…, si nuk na shkon ndërmend që këta t’i sikterisim andej nga kanë ardhur! Teoricienët e estetikës thonë se edhe dhoma kur është e zhveshur nuk ka lezet, po edhe pylli i zhveshur të trishton, edhe zabeli pa drurë e pa shkurre nuk të krijon ndjesi pozitive!Sikur Mitrush Kuteli të ishte në mesin tonë, do të bërtiste me zemërim: “Rroftë mileti pa brekë!” Ehe, kësaj shprehje të Kutelit kushedi sa velenxa do t’i duhen! Teksa isha duke përfunduar shkrimin, gruaja e shtëpisë më tha: “Ore, ç’pate sot që nuk e hape gojën!” Ia ktheva: Po ç’pate ti, që sot e gjithë ditën e Perëndisë nuk e mbylle fare atë tënden gojë! (koha.mk)