Klubet shqiptare do të kenë më shumë mundësi fitimesh financiare dhe sigurisht kualifikimi në arenën ndërkombëtare, pasi UEFA po bëhet gati të zyrtarizojë një turne të tretë përkrah Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës. Lajmin e ka dhënë presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, pas mbledhjes së shoqatës që bashkon klubet europiane, ECA.
“Në pritje të aprovimit përfundimtar nga Ekzekutivi i UEFA-s, ‘drita e gjelbër’ i është dhënë një kompeticioni të tretë, duke çuar në 96 numrin e përgjithshëm të skuadrave pjesëmarrëse në fazën finale të turneve duke filluar nga sezoni 2021/2022. Një vlerësim i detajuar i kalendarit ndërkombëtar duhet bërë para se të miratohet modeli i ri pas vitit 2024”, shpjegoi Anjeli në asamblenë e përgjithshme të ECA.
Turneu i ri, për të cilin UEFA kishte kërkuar mendime prej kohësh, pritet t’u japë mundësinë klubeve të vendeve më të vogla që të përfaqësohen në fazën finale të turneve europianë. Meqenëse turnetë e tjerë dominohen nga skuadrat e 5 kampionateve të mëdha, ky turne i tretë pritet t’u japë më shumë shikueshmëri klubeve të vogla dhe të rritë shanset e tyre për të ardhura më të larta nga e drejta televizive.
Si do të strukturohet ai dhe cilat janë kriteret e pjesëmarrjes, pritet të mësohet në ditët në vijim.