Kushtrim Bekteshi kishte zgjedhur të bëjë një shfaqje me përmasa të vogla fizike por gjigande në përmasa shpirtërore, ku gjithçka e kishte zgjedhur nëpërmjet aktorëve. Disa thonë që, regjia më e mirë, është kur regjia nuk shihet në shfaqje! Unë nga përvoja ime i besoj kësaj thënie!
Nga Refet ABAZI
Ftesa për premierën e shfaqjes “Duet për NJË” më erdhi me posterin e shfaqjes, të punuar nga Ngadhnjimi! Mjaftonte të shoh se si në një sfond bojë qielli qëndronte një violinë, që të më detyrojë të shoh më thellë. Dhe aty e pashë që kjo violinë me ngjyrë të zezë ishte e ndarë më dysh dhe më pas kishin tentuar ta ngjesin, por këtë e kishin bërë jo me qepje të zakonshme, por me ngjitëse për plagë të vogla. Kjo më asocoi se kësaj violine i është bërë autopsi, por dy zemrat e kuqe që shtrëngonin telat e violinës më hapën një shteg tjetër mendimi! Autopsia zakonisht bëhet pasi krijesat e gjalla i braktis shpirti dhe duhet zbuluar shkaqet e braktisjes së shpirtit! Por në këtë rast kemi një violinë! Hëm, a mund t’i bëhet autopsi violinës, më lindi pyetja! Sigurisht që jo u përgjigja aty për aty! Dhe duke shikuar dy zemrat e kuqe që shtrëngonin telat nëpër kokë më kaloi mendimi se fjala është për një violinë të braktisur nga violinisti, nga ai që rërëfëllazën e vet shpirtërore e ka artikuluar nëpërmjet telave të asaj violine! Hëm! Bukur, thash me vete dhe prita me padurim të shoh atë që ka parë Ngadhnjimi për të dekoduar edhe më thellë mesazhet e kësaj violine!
Në premierë shkova i predispozuar për shfaqje të mirë, pasi Kushtrimi kishte kohë pa punuar në Teatrin Shqiptar, ndërsa ekipi i aktorëve garantonte punë dhe proces serioz!
Në skenën e “Qendrës e Teatrit për Fëmijë” pashë një arenë që ngjante edhe në arenën e gladiatorëve edhe në arenat sportive, me një ndryshim pasi muret që e rrethonin këtë arenë ishin nga sirtarët e shumtë. Këto sirtarë me dhanë ndjenjën e një arkivi të shumë e shumë violinave të lënduara dhe me siguri shtriheshin thellë në kohë! Dhe kjo ma përforcoi mendimin se këto sirtarë ishin brendësitë e nxjerra prej shumë violinistësh, apo krijuesish që kanë braktisur burimin e tyre shprehës apo artikulues. Këto sirtarë ishin hapësirat ku ishin burgosur; e pa thëna, e pa shprehura dhe e pa nxjerra nga vetja e shumë krijuesve, ashtu siçi trajtonte Migjeni vargjet e tij të pakënduara. Kushtrimi dhe Betimi paskan vendosur të bëjnë shfaqje me përmasa të vogla fizike, thash me vete, duke soditur ambientin ku duhej të paraqiten Vjollca (Stephanie Anderson) dhe Vebiu (Dr. Louis Feldman)! Fundja për të depërtuar në brendësinë e krijuesit nuk të duhet shumë hapësirë, mjafton vetëm një prerje, siç thonë kirurgët!
NJË VEPËR E RËNDËSISHME NË TEATRIN TIM DHE NË GJUHËN SHQIPE!
Deri sa prisja që të ulen shikuesit, që zakonisht zgjat pak si shumë, pasi publiku i premierës e ka zakon të vonohet, e çova nëpër mendje temën që trajtonte drama e Tom Kempinskit. Dramën nuk e kisha lexuar por filmin e bërënë vitin 1986, bazuar në këtë dramë nga mjeshtri Andrey Konchalovskiy, ku në role paraqiten Julie Andrews dhe Max von Sydow, e kisha parë. Dhe kjo më dha një ndjesi krenarie që një vepër aq e rëndësishme që rreth saj kishte mbledhur krijues të atij kalibri tani po shpalosej para meje në Shkup, në Teatrin tim dhe në gjuhën shqipe!
Vebiu doli padiktuar në skenë duke e zhdukur distancën mes skenës dhe publikut, lëvizte nëpër skenë qetas sikur i numëronte hapat e vet. Me lëvizje gati tëngathta ai i ujiti lulet nëpër vazo dhe ushqeu peshqit në akuarium! Hëm, thash me vete, më përtokë se kaq, nuk mundet! Vebiu, me të cilin kam luajtur në shumë shfaqje ku ai ka dominuar me plastikën e tij trupore dhe me energjinë eruptive fizike, po lëvizte qetas nëpër skenë! Ecja e tij e vizatoi rutinën e një njeriu që gjithçka e ka të parapërgatitur, bile edhe hapat, pasi asgjë nuk duhet ta zhvendosë nga ajo rutinë e tij! Paraqitja e Vjollcës në karrocë për invalid më solli në mendje fotografinë e violinës së çarë më dysh nga posteri! Dialogu mes tyre mu duk sikur zhvillohet në dy kohë të ndryshme, në të vërtetë ishte në dy tempo! Vebiu mbante tempon e tij bashkë me lëvizjet rutinore, koha e tij rridhte ngadalë, ndërsa Vjollca ishte nën presionin e njeriut që koha po i rrjedh shumë shpejt. Si e ka vendosur kështu dialogun Kushtrimi, pyeta veten, pasi në seancën e parë që zhvillohej para meje nuk i ikja dot përshtypjes (në gjuhën e futbollit) që Vebiu luante qetë pasi para vetes kishte kohën e plotë për 90 minuta, ndërsa Vjollca luante sikur ishte në 5 minutat shtesë të lojës, pra 90 + 5! Paraqitja e problemit, diagnoza që personazhin e Vjollcës e cila ishte arsyeja qëe kishte larguar nga violina u dha kuptim dhe logjikë këtyre dy kohëve që rridhnin në shpejtësi të ndryshme! Bukur, thash me vete dhe hodha shikimin përreth, jo për të parë dikë apo diçka, por për të marrë frymë prej anësh, jo mënga drejtimi ku zhvillohej ky dialog. Sepse ndjeva se kisha mungesë ajri në mushkëri! Aty diku, mbaroi edhe seanca e parë ku personazhët u përshëndetën dhe u larguan secili në këndin e vet! Nëndërrimin e dritave ambienti skenik tek unë mori formën e arenës së gladiatorëve. Ku dy gladiatorët e Kushtrimit në dritë hije ndërronin kostumet e bukur të Samkës! Aktorët ndërronin kostumet që në të vërtetë ishin lëkura e tyre, e që mua m’u duk sikur i ndërronin armët e luftës për seancën e radhës. Dhe ashtu ndodhi!
Vjollca hyri furishëm në seancën e dytë dhe energjia e saj tek unë ngjalli fotografi që i përkisnin një tjetër kohe, sa që më detyroi të fluturoj në kohë dhe të kthehem shumë vite pas! Në kohën kur kisha privilegjin ta njoh dhe ta ndjek kur ajo studionte aktrimin. Bota e plotë emocionale, energjia dhe intuita e saj artistike në atë kohë ishte një garanci që skenës shqiptare po i vinte një aktore e përmasave të mëdha, gjë që unë dhe dashamirët e prisnim me padurim. Por, ja që nuk ndodhi kështu!
VJOLLCA E VËRTETË QË PO SHKËLQENTE SI VENERA E BOTIÇELIT!
Vjollca pas diplomimit dhe rrugëtimit të saj deri tek punësimi në Teatrin Shqiptar u mbyll si në një guaskë. I gjithë potenciali i saj sikur ngeli diku në një tjetër kohë, ajo luante disi si e fanitur, duke kyçur brenda vetes energjinë e saj krijuese. Sikur nuk dëshironte ta ndajë me publikun atë që kishte brenda! Ndoshta ka vendosur kështu pasi mendon se publiku nuk e meriton një komunikim shpirtëror, thosha shpesh sa herë që e shihja në shfaqje. Dhe për këtë e kam qortuar shpesh, me aq sa mund të qortoj duke këshilluar një koleg me më shumë përvojë! Dhe ja, para meje po shihja Vjollcën që kishte vendosur që atë guaskë ku qe mbyllur shpirtërisht kishte filluar ta hapë dhe prej asaj guaske po dilte ajo – Vjollca e vërtetë që po shkëlqente si Venera e Botiçelit! Edhe pritja ka kuptim, kur nuk e pret Godonë, thashë me vete! Por Vjollca nuk do mund të shkëlqente nëse partner nuk do kishte një aktor me përvojë, siç është Vebiu. i cili, duke parë llavën vullkanike të Vjollcës, kishte vendosur t’i bëjë ballë me të kundërtën e asaj që bënte partnerja në skenë, me qetësi! Qetësia, apo thënë më mirë mjeshtëria e të dëgjuarit (shumë e munguar tek ne) e Vebiut u bë shtrati ku derdhej dhe kanalizohej gjithë ajo llavë vullkanike që dilte nga Vjollca! Aty e lexova saktë titullin e tekstit “Duet për NJË”, vërtet të dy aktorët ishin një duet, në fakt ishin një trup i vetëm i çarë në mes. Shumica e aktorëve të prirur për t’u dukur, që të dominojnë, apo duan të tregojnë se janë më të mirë se partneri, do kishin zgjedhur që të bënin zhurmë bile edhe të jashtme në një situatëkur partneri derdh nga shpirti llavën vullkanike, po jo Vebiu! Të lumtë, thash qetas me vete! Paske zgjedhur mënyrën më të vështirë, jo mënyrën e rezistencës më të vogël! Derisa lufta e gladiatorëve të Kushtrimit po ecte përpara unë depërtoja më thellë në brendësinë e arkivit të kujtesës së tyre duke pritur që të hapen edhe sirtarët që mbanin të fshehtat më të thella. Në pjesën e fundit, pasi Vjollca shpalosi pothuajse gjithçka, ajo sikur e përmbylli kohën e saj dhe i ngeli Vebiut të luajë në kohën shtesë (90 +5 minuta). Dhe këtë kohë Vebiu e shfrytëzoi jo për të bindur Vjollcën për të vërtetat e tij, por për të shëruar vetveten. Pasi shërimi është aty tek secili njeri, mjafton sinqeriteti që shtyp butonin (që duhet të jetë diku në tru) dhe helmet të nxirren nga brendësia e secilit dhe shpirti vet shërohet. Vjollca dhe Vebiu e arritën këtë! Vebiu dëshmoi se jo rastësisht ka qenë pjesë shumë e rëndësishme ( ku edhe ka vulën e vet krijuese) e të gjitha shfaqjeve që tashmë janë emblemë e Teatrit Shqiptar, ndërsa Vjollca për mua erdhi në skenën e Teatrit Shqiptar. Dhe nuk ka gjë më të mirë kur në skenë sheh procesin e natyrshëm të ndërrimit të gjeneratave, kur aktorët në moshë, aty, në skenë, përcjellin përvojën e tyre tek kolegët e ri. Dhe ashtu siç është në jetë me raportet prind – fëmijë, u takon të rinjve (fëmijëve) që atë përvojë ta përçojnë më tej në kohë, tek gjenerata që duhet të vijnë!
TEATRI SHQIPTAR ME KËTË SHFAQJE DËSHMOI POTENCIALIN QË KA
Dhe… shfaqja po përfundonte me po të njëjtat lëvizje të ngadalta të Vebiut duke përsëritur të njëjtën rutinë nga fillimi i shfaqjes. Ndërsa tek unë u shfaq dëshira që shfaqja nuk duhej të përfundonte. Isha i bindur se shumica nga ne shikuesit ishim në gjendje të kërcejmë në skenë dhe të vazhdojmë këtë seancëgjigande shpirtërore duke rrëfyer të fshehtat që secili bart në vete! Por, jo! Shfaqja përfundoi dhe kjo dëshirë imja, besoj edhe e një numri të konsiderueshëm të shikuesve,mbeti ta realizojmë vetë, ndoshta edhe para pasqyrës, duke e çarë veten tonë në dysh dhe duke u bërë“Duet për NJË”! Për Kushtrimin, nuk fola shumë, fundja edhe nuk kishte çka të flitet pasi puna e tij edhe nuk u duk dhe nuk dominoi në shfaqje! Ai kishte zgjedhur të bëjë një shfaqje me përmasa të vogla fizike por gjigande në përmasa shpirtërore, ku gjithçka e kishte zgjedhur nëpërmjet aktorëve. Disa thonë që, regjia më e mirë, është kur regjia nuk shihet në shfaqje! Unë nga përvoja ime i besoj kësaj thënie! Teatri shqiptar me këtë shfaqje dëshmoi potencialin që ka për të qenë pjesë e kulturës së përgjithshme botërore, dhe jo vetëm e mëhallës sonë! Pasi teatri atë mision ka, që publikun (shoqërinë) ta ballafaqojë me vlera që janë emblema monumentale të kulturës botërore, siç është kjo vepër. Ju faleminderit për shfaqjen. (koha.mk)