Milani i ri do të jetë shumë kroat, duke parë lëvizjet e fundit të klubit kuqezi, që ka kthyer në shtëpi Zvonimir Boban tashmë si drejtues. Ky i fundit kërkon të afrojë disa lojtarë kroatë dhe pas bisedimeve të nisura për Dejan Lovren, tashmë është një hap larg sulmuesi Andrej Kramaric.
28-vjeçari, titullar me kombëtaren kroate, po shkëlqen prej 3 sezonesh e gjysmë me Hoffenheim në Bundesligë, ku ka shënuar 50 gola në 113 ndeshje. Sulmues që luan në disa role, Kramaric do ishte perfekt për sulmin kuqezi, sepse do përshtatej shumë mirë me Piatek.
Sipas Sky Sport, drejtuesit e Milanit kanë arritur marrëveshjen me agjentin e sulmuesit kroat dhe tashmë Boban do të nisë bisedimet me Hoffenheimin.
Kramaric ka kontratë deri në 2022 dhe vlera e tij në Transfermarkt është 38 milionë euro, por natyrisht Milani shpreson të mbyllë gjithçka për më pak se aq, ndërkohë që paratë për kroatin do të vinin nga shitja e Susos apo Cutrones.