Shkup, 24 janar – Ministritë e Punës dhe Politikës Sociale, Shëndetësisë, Arsimit dhe Shkencës dhe e Drejtësisë, përmes bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përfshirjes së palëve të tjera të përfshira, të ndërmarrin qasje të koordinuar ndaj nevojave të fëmijëve dhe të rinjve në rrezik në Maqedoni i cili do të rezultojë me shërbime gjithëpërfshirëse dhe raport për zbatimin e politikave të nënvizuara. Këtë e theksuan nga Shoqata HOPS – Mundësi për jetë të shëndetshme Shkup të cilët sot i prezantuan rezultatet nga hulumtimi “Fëmijët dhe të rinjtë në rrezik në Republikën e Maqedonisë – anëtarë të barabartë të shtetit social ose kategori për krijim të politikave fiktive?”. Ministria e Shëndetësisë, theksojnë nga Shoqata, në afat sa më të shkurtët të mundur duhet ta përfundojë dhe miratojë protokollin për trajtim të fëmijëve të cilët përdorin droga, të formohet grup punues multisektorial i cili do të përpilojë program për trajtim, risocializim dhe kujdes për fëmijët të cilët përdorin droga dhe të hapen programe të integruara për trajtim, risocializim dhe kujdes të fëmijët të cilët përdorin droga. Sipas tyre, praktikë e mirë për evidentimin e të dhënave për fëmijët dhe të rinjtë në rrezik vërehet vetëm në dokumentacionin dhe punën e Këshillit Gjyqësor për parandalimin e kundërvajtjes fëmijërore dhe të Avokatit të Popullit. “Edhe pse Ministria e Shëndetësisë përpiloi protokoll për trajtimin e shfrytëzuesve të mitur të drogave, ai tashmë dy vite është në version përgatitor dhe ende nuk është miratuar. Ndërkohë HOPS duhej të formojë ekip terreni për mbështetje dhe punë me këta fëmijë. Ekipi deri tani ka kontaktuar 85 të mitur të cilët përdorin droga, prej të cilëve më i riu që përdor drogë me injektim ka vetëm tetë vjet. Vetëm në vitin 2016, ekipi i terrenit ka kontaktuar 33 fëmijë, prej të cilëve shtatë janë përdorues të rinj”, theksojnë nga Shoqata. Prej atje theksojnë se edhe krahas angazhimeve të HOPS në vitin 2016 asnjë i mitur nuk ka filluar me trajtim të varshmërisë. (koha.mk)