E braktisura nga fati, nesër do vijë tek prindërit e saj! Si do i gjejë ato? Çka do ju thotë? Çfarë trishtimi mban qerpiku i saj? Po kjo dhimbje sa peshon? Çfarë do bëjë më tej dhimbja e stigma me këtë vajzë? Këto përgjigje nuk i di, por një gjë nuk do e harroj kurrë trishtimin e zanit të nanës së thelluar në dhimbje për vajzën e saj dhe lotët e vajzës e cila kish mbaruar në një kamp migrantësh hedhur zvarrë në një nga shtetet e Evropës!
Nga Adelina MARKU
Një nanë e shqetësuar më kish shkruar një letër në FB në të cilën përcillej trishtimi i saj për fatin e vajzës së vet! Nëna më kish lënë numrin e saj të telefonit me shpresën që unë do e kërkoja për ta dëgjuar shqetësimin që kishte. Nuk e mendova shumë gjatë, ia shënova numrin tim të telefonit për t’u dëgjuar me të! Tanimë e njoh mirë natyrën time altrusite dhe pa e menduar gjatë, i besova shqetësimit të nënës që më kish shkruar letrën e për asnjë çast nuk hezitova t’i dëgjoja hallin kësaj gruaje.
Rrëfimi i nanës, dënesjet e saja ishin tronditëse për mua, për shumë arsye!
E para, kisha harruar të mendoj se martesat e vajzave të reja shpesh janë dëshirë e prindërve dhe jo e vajzës. Kjo ndoshta ngjan në harresë skematike, tuj idealizu se konteksti i kësaj tradicionalizme ndër ne ka moderuar tanimë. Por a është konteksti i ri i mbijetesës, këtë, këtë nuk e kisha menduar gjatë kohë! E dyta, kisha harruar të reflektoj këtë dimension duke qenë mjaft e preokupuar me përditshmërinë time dhe atë profesionale dhe shpesh, mbi vajzat e reja tentoj të reflektoj tuj projektu veten dhe tjerat si unë: ata, vajzat e reja pra, i mendoj të guximshme për të marrë fatin e vet në duart e veta paj sado i vështirë të jetë ky vendim! E treta, mbijetesa ekonomike në vend më mban mjaft të angazhuar të reflektoj me punë e për të fituar më shumë, e si pasojë kisha harruar se jo të gjitha kanë këtë hapësirë për të bërë betejë për të fituar pak më shumë! Ekonomia e rrënduar në vend bën që fatet e vajzave të reja të jenë viktimë e skamjes, papunësisë, e pasigurisë së prindërve të frikësuar për fatin e tyre dhe fëmijëve! E katërta, rrethi ku sillem bën garën e ideve dhe jo mbijetesës, prandaj telefonata më zgjoi, më shpërtheu sytë! Jashtë këtij rrethi gjërat janë komplet ndryshe Adelinë! Pastaj brenda këtij rrethi, neve nuk flasim për skamjen …e refuzojmë me vetëdije këtë temë, sepse sikur mendojmë se na prek integritetin e dinjitetit nacional – kisha me thanë unë! Në rrethin tim flasim për më të mirët se ne! Hmmm…por, nga një komb fukara …çbëhet?
Telefonata e nanës që vinte nga një qytezë pothuajse e braktisur nga të rinjtë, më ktheu dendur brengën shqiptare të këtyre ditëve! Ajo më tha se vajzën e kishin martuar larg, e se vonë kishin kuptuar se dhëndri kish gënjyer mbi jetën e moshën e vet. Sigurisht që për mua nuk ishte e habitshme të pres konstatimin se “dhëndri” kish qenë i martuar me një të huaj atje e se familja e tij pa gjene, i kishin ushtruar vazhdimisht presion që t’a ndajnë me të huajën e me fëmijët që nuk I flisnin shqip, e t’a martojnë me një shqiptare nga qyteza e braktisur, e cila kish qenë në nevojë – jo për burrë, por për të mbijetuar vetë e familjen e vet! Prindërit e vajzës, të dyndur në skamje e në trishtim, kishin detyruar vajzën e tyre të martojë këtë burrë të moçëm (por që vajzës i kish dërguar foto nga rinia e tij), i cili kish pas fshehur gruan e huaj e për më shumë, edhe fëmijët e tij, të cilët nuk i kish mësuar të flasin shqip. Nëna e ngashëryer në trishtim, në dhimbje që më çau zemrën, më pranoi fajin ndaj vajzës: ajo nuk ndizte dot asnjë fjalë shprese nga dhimbja që i kish shkaktuar të bijës tek e kish detyruar të ëndërrojë për një jetë e cila kryekëput i kish dalur ndryshe që në momentin kur ajo kish shkelur në tokën e huaj për të takuar burrin shqiptar që kish rendit fëmijë me gruan e huaj!
Vajza, jo më shumë se 20 vjeçare, kish marrë rrugën e botës. Për shumë pak kohë kishte gjetur veten e braktisur edhe atje nga “burri i saj” i moçëm, i cili kish fshehur gruan e huaj e bashkë me të edhe fëmijët që nuk i flisnin shqip. Ky burth i kish asimiluar fëmijët e tij nga frika e dëbimit nga shteti ku kish punuar për të mbijetuar. Vajza, pas disa muajve bashkëjetesë me burrin e rrejshëm, kish mbetur në rrugë! Në mes Evrope. Në rrugë evropiane …e braktisur nga I veti!
Ai e kish dëbuar! Telefonata e nanës më përmbysi idealin mbi vajzat e reja e të pashpresë ekonomike, e ku më me dëshirë për të festuar veten me burrin që do e zgjidhnin vetë përkrah vetes! Ajo dëbohej nga shteti ku kish menduar se do ndërtonte jetën e re, e përmes së cilës jetë do iu ndihmonte prindërve të saj që të mbijetojnë gjysëm muajin deri në muajin e ri, kur do iu dërgonte ca të holla për një kore bukë!
Nanës të zhytur në dhimbje e trishtim i premtova që do i ndihmoja! Vajza 20-vjeçare, të syrgjynosurën nga frika e trishtimi dhe vuajtja e gjatë, do ia ktheja prindërve ditëve në vijim. Ajo të paktën do kthehet tek prindërit e vet, por tani e kthyera do fillojë të mendojë se si do e përballojë stigmën e ngjitur nga rrethi: vajzë e braktisur, e njollosur, e syrgjynosur! Ky rrëfim që më çau plagë ditën sot, më plagosi idealin për të gjitha vitet e mia të mbetura në vijim! Sa vajza të tilla e më këtë fat janë atje? Sa mijëra fate të këtilla vajzash shqiptare janë atje? Kush mendon për to? Kush iu fal ngrohtësi, dashuri? Po ëndrra e tyre çfarë boje mban? Çfarë nënash do bëhen këto vajza të robëruara nga fati i dhunshëm? Këto e sa pyetje të tjera më dilnin syve e përgjigje s’pata e s’do kem edhe për shumë kohë!
Tek i kthehem përditshmërisë sime që shpesh merr trajta egocentrike e në kërkim jete më të mirë, pyes veten nëse kam bërë diçka për këto vajza ? Pyes veten sërish se çka duhem të bëj për këto vajza? Për të satën herë më kujtohet im atë e gjyshi im, i cili nanës sime i kish rrëfyer mësimin e shkollimit e im atë mua, mësimin e guximit! Por asnjëherë mësimin e mbijetesës, përkundrazi të mbindërtimit! Harroj e kisha harruar se rrëfimi im është vetëm imi, por jo edhe i vajzës të tërhequr zvarrë nga mëshira e mbijetesës! E braktisura nga fati, nesër do vijë tek prindërit e saj! Si do i gjejë ato? Çka do ju thotë? Çfarë trishtimi mban qerpiku i saj? Po kjo dhimbje sa peshon? Çfarë do bëjë më tej dhimbja e stigma me këtë vajzë? Këto përgjigje nuk i di, por një gjë nuk do e harroj kurrë trishtimin e zanit të nanës së thelluar në dhimbje për vajzën e saj dhe lotët e vajzës e cila kish mbaruar në një kamp migrantësh hedhur zvarrë në një nga shtetet e Evropës!
(Autorja është kolumniste e rregullt e gazetës KOHA)