“Kastrimi kimik si sanksion penal”, studim voluminoz dhe i vetmi i këtij lloji në Maqedoni, ka marrë vlerësime të shkëlqyeshme nga Komisioni për vlerësimin e punimit të doktoratës të Vedije Ratkocerit
Shkup, 22 qershor – Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore, ditë më parë u bë mbrojtja publike e disertacionit të doktoratës me titull “Kastrimi kimik si sanksion penal” e kandidates Vedije Ratkoceri me mentor prof.dr. Besa Arifi dhe me anëtarë të Komisionit prof.dr. Ismail Zejneli (UEJL), prof.dr. Rexhep Murati (Universiteti i Prishtinës), prof.dr. Blerim Reka (UEJL), si dhe prof.dr. Afrim Osmani (Universiteti i Tetovës).
Trajtimi i abuzuesve seksual të fëmijëve e veçanërisht pedofilëve është një temë tejet e rëndësishme për ligjvënësit, mjekët, profesionistët dhe shoqërinë në përgjithësi, thuhet në hyrjen e vlerësimit të Komisionit të profesorëve që ndoqën nga afër studimin e Vedije Ratkocerit.
“Në dy dekadat e fundit, kemi një tendencë të inkorporimit të kastrimit kimik si sanksion penal, përkatësisht si një formë e trajtimit mjekësor farmakologjik për abuzuesit seksual të fëmijëve, veçanërisht pedofilëve në legjislacionet penale përfshirë edhe legjislacionin e Republikës së Maqedonisë. Në kuptimin më të thjeshtë, kastrimi kimik nënkupton përdorimin e medikamenteve anti-hormonale për të ulur nivelin e testosteronit që çon në një rënie të epsheve seksuale devijuese dhe jo-devijuese. Tretmani i këtillë i abuzuesve seksual përdoret që nga vitet e 1940-ta, por me kalimin e kohës – medikamentet që janë përdorur dhe sasia e tyre ka ndryshuar. Kjo procedurë mjekësore e trajtimit të kësaj kategorie të kryerësve të veprave penale në dekadat e fundit erdhi si zëvendësim i procedurës fizike, të pakthyeshme dhe barbare – kastrimit kirurgjikal. Të dyja këto procedura konsiderohet se arrijnë rezultatin e njëjtë, uljen e epshit seksual të abuzuesit seksual dhe uljen e normës së recidivizmit të këtyre veprave penale vetëm se kastrimi kimik nuk ngërthen në vete intervenim kirurgjikal dhe efektet e tij janë të kthyeshme, shpesh përmes ndalesës së thjeshtë të përdorimit të medikamenteve. Meqenëse, parafilia nga shkencat psikologjike konsiderohet si një çrregullim mental vetëm burgu nuk mund t’i risocializojë kryerësit (pedofilët) që vuajnë nga ky çrregullim andaj është e domosdoshme përdorimi edhe i tretmanëve mjekësore dhe terapive psikologjike të cilat do të ndihmonin në trajtimin e këtyre individëve dhe parandalimin e recidivizmit”.
Qëllimi i këtij studimi, i vetëm në Maqedoni, është që të shqyrtohet kastrimi kimik si sanksion penal në legjislacionet penale bashkëkohore si masë e domosdoshme preventive për parandalimin e abuzimit seksual të fëmijëve. Në mendimin dhe vlerësimin e Komisionit për vlerësimin e punimit të doktoratës, u tha se në këtë punim, kandidatja ka trajtuar një temë sfiduese dhe shumë pak të hulumtuar në vend dhe rajon siç është përdorimi i kastrimit kimik si sanksion penal.
“Qëllimi themelor i këtij punimi, siç thekson edhe vetë autori, është përpjekja për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve adekuate për të luftuar dhe veçanërisht për të parandaluar abuzimin seksual të fëmijëve (pedofilinë) në përgjithësi. Te veprat penale të abuzimit seksual të fëmijëve, objekt sulmi janë fëmijët nën moshën 14-vjeçare, të drejtat dhe interesat e të cilëve paraqesin një ndër detyrat prioritare të shoqërisë. Pikërisht ky interes i caktuar për sigurimin e mbrojtjes sa më efikase nga forma të ndryshme të abuzimit seksual dhe ndikimeve jo normale në formimin e tyre si individë të shëndoshë, nga njëra anë dhe ulja e normës së recidivizmit që te këto vepra konsiderohet të jetë shumë e lartë nga ana tjetër, e aktualizon çështjen e mekanizmave të mbrojtjes juridiko-penale në përpjekje për të luftuar dhe parandaluar këtë lloj të kriminalitetit”, thuhet në vlerësimin e Komisionit për punimin e Vedije Ratkocerit. Pedofilia, vazhdon më tej vlerësimi, është një sëmundje, një fenomen ligjor dhe social me pasoja kriminale.
“Vetëm burgimi apo tretmani psikologjik nuk janë të mjaftueshme për të kontrolluar këtë fenomen dhe për të parandaluar përsëritjen e veprave penale. Te pacientët, të cilët kanë qenë të dënuar dhe kanë një profil psikologjik që sugjeron fuqishëm gjasë të recidivizmit, autorja konsideron se kastrimi kimik mund të ofrojë një mundësi të rëndësishme terapeutike. Kështu, duke gërshetuar të dhënat shkencore mjekësore mbi gjendjen e kryerësve të këtyre veprave penale dhe praktikën e shteteve që aktivisht e zbatojnë këtë tretman dhe rezultatet nga zbatimi i tillë në uljen e normës së recidivizmit, ky hulumtim ka kontribuar në propozimin e ndryshimeve adekuate ligjore në Republikën e Maqedonisë me qëllim të aplikimit sa më të drejtë të kësaj mase. Gjithashtu, të gjeturat e këtij disertacioni mund të ju shërbejnë edhe shteteve të tjera (sidomos atyre në rajon) të cilat do të konsiderojnë luftimin e dukurisë së pedofilisë me masa të trajtimit mjekësor siç është kastrimi kimik”, thuhet në vlerësim.
Në këtë punim të doktoratës, thuhet në vlerësim, kandidatja duke prezantuar argumentet teorike mbi nevojën për përdorimin e kastrimit kimik si sanksion penal për kryerësit (që vuajnë nga parafilia – pedofilët) e veprës penale të abuzimit seksual të fëmijëve, standardet ligjore të cilat duhet t’i përmbajë legjislacioni penal lidhur me aplikimin sa më të drejtë të këtij sanksioni e veçanërisht për të mos shkelur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut me vet aplikimin e kësaj mase, apo edhe aspekte të tjera të rëndësishme, ka arritur që me sukses të hulumtojë një temë të pa hulumtuar në vend dhe rajon e sidomos jo në këtë shkallë të gjerësisë dhe thellësisë.
Në këtë drejtim, Komisioni vlerësoi se punimi i kandidates paraqet kontribut shkencor si për teorinë ashtu edhe për praktikën juridike, gjë që mund të shërbejë si bazë e rëndësishme për studiuesit dhe zbatuesit e ligjit, në veçanti në Maqedoni por edhe në vendet e tjera sidomos ato të rajonit.
Vedije Ratkoceri ka lindur në Shkup. Studimet universitare me sukses të lartë i ka përfunduar në vitin 2008 në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore ku ka marrë titullin Juriste e diplomuar. Studimet e ciklit të dytë gjithashtu me sukses të dalluar i ka përfunduar në vitin 2012 në Universitetin e Tetovës në Drejtimin Penal. Në vitin akademik 2014/2015, ka regjistruar studimet e doktoratës në Shkollën e doktoratës të Universitetit të Evropës Juglindore, në Fakultetin Juridik në drejtimin: “E drejta Penale”. Nga viti 2015 është zgjedhur në thirrjen “Asistent doktorant” në lëminë penale në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Evropës Juglindore. Ka marrë pjesë në disa Konferenca ndërkombëtare dhe ka të botuara disa punime shkencore nga kjo lëmi. (koha.mk)