Një tjetër kosovar Rron Emini, nga Prishtina, është vrarë në zonën e konfliktit në Siri.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, i cili ka thënë se Emini ishte pjesë e grupit Al-Nusra.
“Po kemi informacion që një kosovar, i cili ishte pjesë e grupit ‘Al-Nusra’, Rron Emini ka vdekur. Deri me tani këto informacione i kemi ne si autoritete të Kosovës”, ka thënë Tahiri për mediat.
Prishtinasi 23-vjeçar kishte shkuar në Siri në vitin 2016.
Sipas të dhënave zyrtare, mbi 90 kosovarë kanë humbur jetën në luftërat në Siri dhe Irak.
Gjatë muajit të kaluar, shteti i Kosovës ka kthyer 110 kosovarë që ishin në zonat e konfliktit në Siri – prej tyre: 32 gra, 74 fëmijë dhe 4 luftëtarë.
Dhjetëra të tjerë vazhdojnë të mbesin në territorin e Sirisë dhe ende nuk dihet se kur mund të kthehen.
Emini në Siri kishte shkuar gjatë vitit 2016. Ai kishte banuar në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës.(koha.mk)