Ky projekt besohet se do të zgjidhë problemin e Dramës shqipe, që funksionon si seksion i veçantë brenda Teatrit maqedonas, të cilët prej vitesh punojnë në kushte të këqija dhe probleme të akumuluara që e agravojnë gjithnjë e më shumë situatën e krijuar. “Është paradoksale që Drama Shqipe ka publik të madh në numër të cilin është e detyruar në shumë raste që ta frenojë, për shkak të pamundësisë për të plotësuar kërkesat për bileta”, thotë përgjegjësi i Dramës shqipe, Mirsad Abazi
Evis HALILI
Shkup, 24 korrik – Rikonstruktimi i Teatrit të Kumanovës do të nisë të hënën, pas kontraktimit me kompaninë “Baxhak inzhinering”, e përzgjedhur për të realizuar fazën e parë të projektit që duhet të përfundojë në muajin prill të vitit të ardhshëm. Ky projekt besohet se do të zgjidhë problemin e Dramës shqipe, që funksionon si seksion i veçantë brenda Teatrit maqedonas, të cilët prej vitesh punojnë në kushte të këqija dhe probleme të akumuluara që e agravojnë gjithnjë e më shumë situatën e krijuar. Është paradoksale që Drama Shqipe ka publik të madh në numër, të cilin për shkak të pamundësisë për të plotësuar kërkesat për bileta, thotë përgjegjësi i Dramës shqipe, Mirsad Abazi. Që prej themelimit ansambli i Dramës shqipe në Kumanovë ka trashëguar një zinxhir problemesh pa asnjë lloj përmirësimi. Së bashku me Teatrin maqedonas, por të pabarabartë sa i takon shfrytëzimit të hapësirave, shërbimeve skenike, gardërobës, dhomave të posaçme.., e deri tek numri i aktorëve, regjisorëve, mungesave të suflerëve… e të tjera.
“Nëse edhe teatrot e tjerë kanë pasur, ose vazhdojnë të kenë vështirësi sa i takon kushteve ku punojnë, por edhe probleme sa i takon numrit të spektatorëve, tek ne ka ndodhur e kundërta. Kemi publik, por në shumë raste na është dashur ta pengojmë që të vijë. Rikonstruktimi i objektit besoj se do të krijojë të tjera kushte për të punuar në të ardhmen. Por meqenëse rikonstruktimi do të fillojë dhe ne do të zhvendosemi në pallatin e kulturës për prova dhe shfaqje në programin e vitit të ardhshëm jemi treguar më modestë, sa i takon projekteve që janë më të vogla, pasi kushtet e krijuara na diktojnë këtë tempo. Janë disa regjisorë të rinj, entuziastë dhe pavarësisht kushteve them se do të prezantohemi me shfaqje interesante”, thotë Abazi.
Drejtori i Qendrës së Kulturës “Trajko Prokopiev”, Sasho Todorovski ka informuar se punimet janë paraparë që të zgjasin gjashtë deri në shtatë muaj, por që gjithsesi janë të kushtëzuara nga më shumë faktorë dhe probleme të paparashikuara që mund të shfaqen gjatë rikonstruktimit. Faza e parë do të përfshijë rikonstruktimin e jashtëm dhe të brendshëm të objektit, rikonstruktimi i arkitekturës, disa pjesë do të shemben dhe do të rindërtohen. Rikonstruktimi po ashtu përfshin edhe hulumtime gjeomekanike, konsolidimin e konstruksionit të vetë objektit në ato pjesë që janë përcaktuar në projekt. Rindërtimi i objektit, që është përfshirë në Programin Vjetor për investime në kulturë për vitin 2021, do të zhvillohet në disa faza dhe për të cilën Ministria e Kulturës ka akorduar një fond 10 milion denarë. Sa i takon Dramës shqipe disa vite më parë, Ministria e Kulturës premtoi zhvendosjen në një objekt të posaçëm, ku si propozime u dhanë adoptimi i Qendrës së ushtrisë, dhe ish kinemasë. Por të dyja variantet dështuan dhe autoritet e kulturës e panë të udhës që të investojnë në rikonstruktimin e institucionit ekzistues multikulturor. (koha.mk)