Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë vijimësinë e tyre të zhvillimit socio-kulturor dhe si të tillë – ata janë edhe kontribuues mjaft efektiv në mbarëvajtjen e politikave shtetërore, përfshi edhe ekonominë. Shikuar nga ky aspekt, “një shoqëri e vetme” do të duhej të modifikohet në një skemë tjetër që do të përfshinte thellësinë dhe gjerësinë e problemeve që mund kenë komunitetet e ndryshme që jetojnë këtu
Nga Emin AZEMI
“Strategjia nacionale për zhvillimin e konceptit për një shoqëri dhe interkulturalizmit në Republikën Maqedonia e Veriut”, quhet dokumenti më i ri që shërben si platformë për debat publik, i cili filloi dje, në formë të një promovimi që e bëri vetë kreu i Qeverisë, Zoran Zaev. Sipas tij, ky është një dokument i rëndësishëm për vendin që duhet të jetë model edhe për shumë vende të tjera.
Një strategji e tillë është më se e domosdoshme dhe si e tillë ajo duhet të inkorporohet në frymën e ndryshimeve që duhet të pasojnë, sidomos në reformën në drejtësi, në administratë, në përfaqësimin adekuat, në zhvillimin proporcional të rajoneve etj.
Por, kjo strategji do të dilte e mangët nëse në të nuk përfshihen të gjithë faktorët relevantë të jetës publike, por edhe të gjithë pjesëtarët e komuniteteve të ndryshme etnike. Shqiptarët kanë nevojë të jenë pjesë e ndryshimeve, por jo me çdo kusht të trajtohen si masë amorfe që nuk përfaqësohet denjësisht nga reprezentë me relevancë.
Ideja e një shoqërie të vetme mund të jetë aksiomë politike të cilën kryeministri Zaev dëshiron ta prezantojë si ideologji e të gjithëve. Mirëpo nëse kjo ide nuk i përpunon në detaje të gjitha afinitetet dhe diversitetet që burojnë prej një shoqërie multietnike, atëherë i bie që politika e ditës po tregohet më e zellshme në mbulimin e temave, të cilat janë komplekse për nga natyra dhe mjaft përmbajtësore për nga struktura e tyre.
Një shoqëri për të gjithë është e mundur nëse të gjithë ndjehen të barabartë. Por, nëse përfaqësimi i shqiptarëve bëhet nëpërmjet ndonjë ‘autsajderi’, atëherë ajo shoqëri është e kumbarëve të përbashkët, e jo e qytetarëve të përbashkët.
Në aspektin sociologjik dhe kulturologjik nuk mund të thuhet se ka vetëm një shoqëri, prandaj na duket iluzor termi “një shoqëri e vetme”, kur dihet fakti se edhe brenda shqiptarëve si kombi ka disa shoqëri. Shoqëria kapërcen kufizimet e ngushta që ia përcakton politika dhe për rrjedhojë mund të kemi një e më shumë shoqëri, por ato mund të bashkëjetojnë brenda ambientit juridik e ekonomik me rregulla që favorizojnë me tepër bashkëpunimin, se sa ndarjen, më tepër koekzistencën se sa izolimin.
“Strategjia nacionale për zhvillimin e konceptit për një shoqëri dhe interkulturalizmit në Republikën Maqedonia e Veriut”, mund të jetë një platformë e mirë për të iniciuar debatin për çështje që mund të shikohen edhe nga këndvështrime të ndryshme. Por, në asnjë mënyrë kjo strategji nuk mund të ketë kryekëput atribut politik, për arsye se natyra e diversitetit etnik, religjioz, kulturor, gjuhësor, këtu te ne është më dinamike dhe më komplekse se çfarëdo kornize e ngushtë që mundohet të vendosë politika.
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë vijimësinë e tyre të zhvillimit socio-kulturor dhe si të tillë – ata janë edhe kontribuues mjaft efektiv në mbarëvajtjen e politikave shtetërore, përfshi edhe ekonominë. Shikuar nga ky aspekt, “një shoqëri e vetme” do të duhej të modifikohet në një skemë tjetër që do të përfshinte thellësinë dhe gjerësinë e problemeve që mund kenë komunitetet e ndryshme që jetojnë këtu. (koha.mk)