Thirrja ime, mbase merr karakter ontologjik, dhe na kujton thirrjen e përshpirtshme që bëri Nënë Tereza ditën që vuri këmbë në Shqipëri, kur, pasi zhdaraviti dyshimet mbi prejardhjen e saj etnike, i ftoi shqiptarët ta donin njëri-tjetrin
Nga Delvina KËRLUKU
Shkenca e psikiatrisë rreket të studiojë një sërë shqetësimesh të personalitetit, nga disocimi deri te skizofrenia. Kjo është një sëmundje e rëndë, sepse e cenon perceptimin mbi vetveten, pra të identitetit, duke shkaktuar pasoja të mëdha: turbullimin e kujtimeve për të shkuarën, dëshirën për të braktisur mjedisin normal, shtysën për të ushqyer një gjendje çorodie identiteti, përpjekjen për të hyrë në “lëkurën” e një personalitet tjetër.
Në mjedisin tonë, si në çdo mjedis tjetër, ka njerëz të tillë, “të sëmurë” që nuk gjejnë “derman”, por ka edhe të tillë që rrugëzgjidhje kanë gjetur, duke u konvertuar në parti. Kjo “elitë” politike e iniciuar nga një grup i caktuar, të udhëhequr nga një ideologji e caktuar, koncize, trashëgohet brez pas brezi, nëse partia ka strategji trashëguese. Jemi dëshmitarë të kohës se si regjimi Millosheviqjan u rrënjos thellë në mendje dhe shpirtin e serbëve. Ka nga ata që akoma kanë nostalgji për kohën Jugosllavisë së Titos, të Shqipërisë së Enverit apo për Maqedoninë e Gruevskit…
Por, ata që kanë përjetuar kthetrat e atyre regjimeve, e dinë se çfarë cenimi u është bërë personaliteteve të tyre. Ishin këta “viktima” që me të gjithë fuqinë, u dhanë fund këtyre regjimeve. Në skenën tonë, në Maqedoninë (e Veriut), pas 17 viteve regjim nga djathtistët, vijnë të majtët (LSDM), kësaj radhe me një fytyrë prej “engjëlli”, kështu e perceptojnë paraardhësit tanë që mbijetojnë nga regjimi në regjim. Kjo elite politike ka hyrë në skenë duke turbulluar historitë e së shkuarës. Është fakt që, e kaluara mbetet e kaluar, por po u rizgjua me tiparet e vjetra, ka mundësi ta përsëris veten me marrëzitë e harruara. dhe kjo përbën rrezik… Prandaj, duhet të shkunden nga dremitja edhe ata intelektualë shqiptarë që deri dje ishin protagonistë të qeverisë majtiste, ndërsa sot tulaten, fshihen, heshtin e nuk e gjejnë dot kurajën t’i kundërpërgjigjen me armët e dijes e të arsyes dalldisë antishqiptare, qoftë asaj të prodhuar “me forcat tona”, qoftë edhe asaj të importuar “falas” nga Evropa.
Diskriminimi dhe segregacioni i gjykatave të Maqedonisë kundër shqiptarëve, me vendimet e tyre selektive, është fakt që ringjall kujtimet e së shkuarës, të një qeverisje me fryme nacionaliste. Situatat e tanishme gjyqësore janë si pasqyrat që reflektojnë herë kaltërsinë e qiejve, herë baltën në këpucën e luftëtarit. Nuk duhet të habisë fakti që lexoni këtë shkrim, as edhe shkrime më të “ashpra” të kësaj natyre, meqë këto i imponojnë vendimet e institucioneve tona aktuale, qofshin ato të drejtësisë, apo të ligjzbatueve të tjerë. Këto fakte na krijojnë përsiatje që zunë fillin dekada më parë… Raste të freskëta janë burgosja e djemve të rinj, që janë dënuar me shumë vite burg për vrasje aksidentale, ndërsa kur bëhet fjalë për dorasin maqedonas, që ka kryer vrasje me paramendim (Almirin e vogël), dënimet janë të ulëta. Këto fakte flasin qartë se akoma shqiptari i Maqedonisë dënohet, jo sipas ligjit, por sipas “disponimit” (antishqiptar) të gjykatësit.
Klithma e dhimbjes që buçet në çdo faqe të gazetave, jehon në vetëdijen e lexuesve si kushtrim drejtuar të gjithë atyre që i kanë për në dorë fatet e shqiptarëve (të Shkupit, Manastirit, Kumanovës, Gostivarit, Strugës, Resnjës, Krushevës, Dibrës…), në çastet e vështira të historisë së këtyre trevave. Si një lumë i nëndheshëm karstik që rrjedh nën lëkurën e historisë, kjo prirje e sëmurë gëlon vrullshëm në sipërfaqe në çaste kyçe të shndërrimeve epokale, pikërisht atëherë kur shpresat e ringjallura për të ardhmen, ndeshen me ndjesitë e përhumbjes dhe të çorodisë që pushtojnë paradoksalisht shoqërinë, institucionet dhe kulturën shqiptare. Në një mënyrë apo tjetër, në Maqedoninë tonë, ushqehen synimet për të shkallmuar bazat morale e intelektuale të shqiptarëve, të këtij populli autokton në këtë tokë. Atij ende i duhet të luftojë ‘për të drejtat më elementare, siç rasti i gjykimit të drejt, e për të mos u shuar përmbi dhe’. Sulme verbale, pastrime etnike, politika shtrënguese, të cilat tash së fundi u bashkohen sirenat anakronike e antihistorike që thurin ëndrra me sulltan, për një rend të ri sundues, të gjitha këto përbëjnë sfondin gjeopolitik, ku ngjizet prapësia ogurzezë antishqiptare, falë edhe ndihmës së papërtuar që, për çudinë e të gjithëve, vjen nga vetë shqiptarët (“e ndershëm”)!
Thirrja ime, mbase merr karakter ontologjik, dhe na kujton thirrjen e përshpirtshme që bëri Nënë Tereza ditën që vuri këmbë në Shqipëri, kur, pasi zhdaraviti dyshimet mbi prejardhjen e saj etnike, i ftoi shqiptarët ta donin njëri-tjetrin.