Një i ri britanik i frymëzuar nga beteja e mikut të tij me kancerin e gjakut është bërë personi më i ri që ka përfunduar 100 maratona vrapimi. Ryan Holmes, 21 vjeçar , theu reokrdin e vendosur në vitin 2010 nga Adam Holland, i cili ishte 23 vjeç kur përfundoi garën e tij të njëqindtë. Vrapuesi nga Whitstable që ndodhet në Kent të Anglisë, ka mbledhur mijëra funte për bamirësi gjatë garave të tij ku kaloi 4184 kilometra që i bie afërsisht ekuivalent me distancën mes Londrës dhe Newfoundland të Kanadasë, shkruan “The Telegraph”.
Holmes, i cili punon si inxhinier i sistemeve të kontrollit në metronë e Londrës, përfundoi maratonën e tij të njëqindtë në prag të Vitit të Ri në Betteshanger Park në Deal të Kent, me një kohë prej katër orësh e gjysmë. Ai përfundoi maratonat gjatë periudhës kohore prej dy vitesh e gjysmë shpesh duke vrapuar për çdo javë. Sfidat e ndryshme të Holmes kanë lejuar që të tubojë më shumë se 2 mijë funta për fondin për mikun e tij të familjes Paul Denton, 48 vjeçar, i cili ishte diagnostikuar me mieloma të shumëfishtë në vitin 2014. Si pasojë e kësaj sëmundjeje, qelizat kanceroze ndahen dhe zgjerohen në kuadër të palcës kockore,e cila dëmton aftësinë e trupit për të prodhuar qelizat e shëndetshme të gjakut. Aktualisht nuk ka shërim për mielomën e shumëfishtë, edhe pse ekzistojnë tretmane që mund të minimizojnë simptomat. Holmess tha se ka në plan që të marrë pjesë në më shumë maratona në vitin 2017.