Sikur sot, motra ime, Nermineja, ajo heroina fatkeqe e brezit të saj, ta lexonte këtë shkarravinën time, me gojën plot dhe me të drejtë, do më përgjigjej: “Ti mor vëllaçko! Këto llafet e tua, që duken në këtë çerek-shkrim tëndin pa kërthizë, nuk e mbushin lëvoren e arrës, e lëre më fiqirin tim!”
Nga Fadil LUSHI
Ditën e tretë të “motit të ri”, në një mejhane pranë mëhallës sime, “rastisa me sebep” të takohem me ish-nxënësin tim kurbetçar si dhe me shokun nga fëmijëria e tij. Ky ish-nxënësi im nuk mund të thuash se është tip asocial, jo-komunikativ a i papërshtatshëm për “mexhlise”, përkundrazi është një njeri me karakter të fortë, rebel dhe paksa nostalgjik. Që në fillim më krijoi përshtypjen se “muhabetin” e filloi pak “me shaka dhe me përtesë!” Sikur tregohej i padurueshëm në kërkim të lajmeve(të reja) që llafosin mosmarrëveshje të hapura, të fshehta e të heshtura politike mes shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë në kasabanë e Tiranës dhe,në veçanti, të atyre në Prishtinë, të cilët negociatat e tyre të stërgjata, shteruese dhe të bezdisshme sa i përket formimit të qeverisë së re, sikur i shndërruan në “tavë turli” a në atë “meselenë” me “Gomarin e Buridanit”, i cili duke qenë tejmase i uritur, “kishte ngordhur” midis dy togjeve të barabarta me sanë, sepse nuk vendoste dot cilën të fillonte ta hante(më duhet të përjashtoj çdo paralelizëm mes negociatorëve dhe “Gomarit të Buridanit”-nënvizim ynë). Ky ish-nxënësi ynë “shtirrej sikur ishte i painformuar” për ca mesele të rreme e ca të tjera të koklavitura këtejpari në “mëhallën e haxhi-babës”…, dhe kur në fund humbi durimin, mu drejtua (se ç’ishte sugjerim a urdhër, nuk e kuptova): “Ti mësuesi im dashur! Do ta bësh shkrimin e radhës të rebeluar…, do bësh tregimtarin, sepse ti e ke ndodhinë a ngjarjen, ti ke të drejtën e fjalës, lirinë e fjalës së plotë të shkruash për katrahurën dhe marrëzitë tona…, të lus, bëj një çerek shkarravinë hiç pa kërthizë…, bëje për motin që iku dhe për këtë në vijim, anise unë e di se ti assesi nuk i beson as Vitit të Ri as Babadimrit!”…dhe unë e fillova shkarravinën së prapthi!
Miku im i dashur! Viti që na “iku a që e lamë pas” nuk mund të thuash se la ndonjë gjurmë të thellë në ndërgjegjen a në kujtesën tonë pamore dhe dëgjimore! Nuk mund të thuash se “viti që na iku”përmbante tipare a veçori dalluese. Nuk mund të thuash se u ndërtuan kushedi (se) çfarë standarde, qofshin ato të reja dhe të larta, në veçanti në fushën a në sferën e komunikimit jo të ndërsjellë e të munguar mes shqiptarëve të rebeluar, të inatosur dhe ca të tjerë shqipfolës që njihen me recidivizmin e tyre të rrezikshëm dhe…, kurrgjë tjetër me rëndësi. Ishte një mot që “u karakterizua me gjurmët e kërmillit”, me ato gjurmët e zbehta që “i la” në politikëbërjen tonë me “paterica”këtej dhe andej gardhit, u shqua me refrenet e këngës së kurbetqarit “VIJNË VAPORAT”, dedikuar fytyrave të njoma dhe të pabuzëqeshura të të rinjve shqiptarë dhe të tjerëve bashkëmoshanikë të tyre, që pa dëshirën e tyre morën arratinë…, u shqua me mungesën e zotimeve konkrete, u shqua me retorizmat e rënda të ndërtuara nëpër mitingje, nëpër emisione televizive, nëpër “debate revolucionare” dhe politike “toptan”shteruese dhe shterpe,u shqua me retorizmin nxitës të partive të caktuara politike opozitare të kampit maqedonas, u karakterizuame ato gjurmët e lodhjes së vazhdueshme dhe të panevojshme si në diplomaci, në ekonomi, në kulturë, në arsimin fillor, të mesëm dhe atë universitar, thjesht u shqua me ngatërrimin e kompetenca-ve, saqë “secili prej nesh filloi të bëj punën” edhe të mjekut, edhe të mësuesit, edhe të lidershipit, edhe të politikanit, edhe të edukatorit, edhe të klerikut, edhe të analistit, edhe të ku ta di edhe çka tjetër…, pavarësisht se asnjëri nuk ka njohuri a ngritje profesionale në lëmenjtë e sipërpërmendur”, dikush tjetër “mëtoi a kërkoi me këmbëngulje” të bëjë atdhetarin…, dikush tjetër kërkoi të bëj daullexhiun, ndonëse asnjëherë nuk “mësoi t’i bjerë surles së haxhi-babës, të cilit asnjëherë nuk iu dëgjua zëri!”… e tjerë. Në fund, viti që lamë pas, u “zhduk ashtu pa nam e nishan!”
Dhe ti miku im, në do dëshirosh që ky “fillimvit” të jetë i mbarë, në do duash që ky “mot i ri” të jetë ndryshe nga ai që “iku i lodhur dhe toptan me kokën ulur e në gjendje të dëshpëruar”…, nëse do duash që ky dymbëdhjetë muajsh “të mos jetë i brishtë” dhe që ka filluar dalëngadalë të shteret, në do duash që ky mot të duket më human, më emancipues, nëse do dëshirosh që ky vit të jetë premtues,i mbarë, i gëzuar a edhe një mot pa telashe…, atëherë ti, unë dhe të tjerë shqiptarë nuk kemi “nevojë të ndërrojmë bajrakun e dasmës, nuk kemi nevojë ta ndërrojmë kostumin e vjetër politik…, as surratin, as qimen, as dinin e imanin, as lëkurën” dhe,në instancë të fundit,”nuk duhet lejuar që viti që na iku, t’i përngjajë atij zogut përrallor me emrin Feniks, që sipas mitologjisë së disa popujve të vjetër kishte vetinë të digjej dhe të ringjallej përsëri nga hiri i vet”.
Miku im i dashur dhe i nderuar, ti ke të drejtën t’i(mos) besosh”ndërrimit të motmoteve”, ti ke të drejtë të (mos) bësh optimistin a edhe të mërziturin, ti ke të drejtë të shpresosh për një vit krejtësisht ndryshe…,ti, unë dhe të tjerët si ne, “kemi të drejtë të bëjmë puritanin dhe puritanizmin”,por ama mos harro se ti, unë dhe të tjerë shqiptarë të ndershëm, të devotshëm, atdhedashës dhe largpamës,asnjëherë nuk do t’i gjejmë “kollaj normat dhe rregullat e vendosura për funksionimin e mirëfilltë të shoqërisë sonë!”, … mos mbaj shpresë se edhe “ky vit do të çlirohet nga varësia e atyre të cilët që në fillim e kanë kapur për fyti…, një vit a një mot që do të ngelë në mëshirë të njerëzve që japin sadakanë-lëmoshën!”. Ehe, ti ish-nxënësi im i dashur! Sikur sot, motra ime, Nermineja, ajo heroina fatkeqe e brezit të saj, ta lexonte këtë shkarravinën time, me gojën plot dhe me të drejtë, do më përgjigjej: “Ti mor vëllaçko! Këto llafet e tua, që duken në këtë çerek-shkrim tëndin pa kërthizë, nuk e mbushin lëvoren e arrës, e lëre më fiqirin tim!”. (koha.mk)