Laura PAPRANIKU
Shkup, 10 maj – Për herë të parë prej evidentimit të gjendjes së shkollave, nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS) është bërë regjistrimin elektronik i gjendjes fizike të shkollave, shkruan gazeta KOHA. Për periudhën nga 7 deri 11 prilli i vitit të shkuar, ESHS-ja përmes kësaj forme ka konstatuar se për nevojat e arsimit para universitar në Maqedoni ekzistojnë 1342 objekte shkollore, pjesa dërmuese e të cilave, respektivisht 1133 objekte për arsimin fillor. Pjesa më madhe e këtyre të fundit shfrytëzohen nga një subjekt i vetëm juridik, por ka edhe objekte të tilla që shfrytëzohen nga dy dhe tre subjekte. Këso shkolla në Maqedoni, sikurse bëhet e ditur në raportin përkatës të ESHS-së, janë 47 objekte, ku dy, respektivisht tre dhe më shumë shkolla të ndryshme zhvillojnë aktivitetin mësimor. Sakaq, nuk mungojnë as rastet e shkollimit të mesëm, kur nën të njëjtin kulm gjenden tre e më shumë subjekte shkollore. Këtë funksion kanë dy nga gjithsej 168 objekte të arsimit të mesme, kurse pjesa më e madhe e tyre, 144 objekte, shfrytëzohen nga një subjekt shkollor. 22 objekte tjera, shfrytëzohen në të njëjtën kohë nga dy shkolla. Ajo që bie në sy është numri jo edhe aq i vogël i shkollave të improvizuara, respektivisht atyre që nuk kanë qenë ndërtuar për shkollë, por që shfrytëzohen për këtë qëllim. Në kategorinë e objekteve të këtilla janë 74, prej të cilave 41 shërbejnë për nevojat e shkollave fillore dhe 23 për nevojat e shkollave të mesme. Këto të dhanë flasin padyshim për një infrastrukturë jo të rregulluar tërësisht arsimore në Maqedoni, ku nuk është i vogël as numri i shkollave të vjetra, ndërtimi i të cilave daton para më shumë se katër dekadave. 875 objekte ose 65.2 për qind e shkollave janë të ndërtuara në periudhën kohore nga viti 1900 deri vitin 1980. Të dhënat statistikore tregojnë gjithashtu se në Maqedoni janë 64 objekte shkollore të vjetra rreth ose më shumë se një shekull. Bëhet fjalë për objekte të ndërtuar në periudhën e viteve 1900-1929 e, që sot e kësaj dite shërbejnë si shkolla. Pjesa më e madhe e tyre (47), përcjell KOHA, janë shkolla të rregullta fillore, kurse të tjerat janë shkolla speciale fillore (1), shkolla të mesme artistike (5) dhe shkolla të rregullta të mesme. Në raportin mbi gjendjen fizike të shkollave rezulton se 90 prej tyre nuk u dihet viti i ndërtimit, përderisa objekte të relativisht të reja janë 379 gjithsej. Periudhës së ndërtimin mes 1981-1997 u përkasin 190 objekte, kurse në periudhës 1988-2016 189 objekte. Vetëm një shkollë përdor qymyrin si lëndë djegëse dhe vetëm 10 ngrohëse me rrymën elektrike. Te tjerat ngrohen kryesisht me dru (578) dhe naftë (486), përderisa të kyçura me rrjetin ngrohjes qendrore janë vetëm 109 objekte shkollore. (koha.mk)