Emrin e saj e mban një rrugë e Madridit, e në Shqipëri mezi u gjet varri, e në vendlindjen e saj as i dihet emri, ndaj pasi përfundova këtë hulumtim të vogël për Justinën, të dhënat i përmblodha në një shkrim me të dhënat biografike dhe ia drejtova kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiut, me një qëllim të vetëm, që emri i Justina Shkupit, të kthehet në vendlindje. Përderisa një rrugë e Madridit mban emrin e saj, mund ta mbajë edhe një rrugë e Shkupit ose një institucion shëndetësor, siç është p.sh. Ambulanta e Bit Pazarit, duke qenë infermiere dhe ndihmës-mjeke në një ngjarje të madhe
Nga Daut DAUTI
Siç shkruan një autore tjetër, Liza Dudumi, ajo u nis për në Spanjë si vullnetare, vetëm me një fjalë të Skënder Luarasit, “se për ju ka nevojë shumë atje”. Skënder Luarasi në librin “Në brigadat internacionale në Spanjë” përmend veçanërisht takimin e tij në Paris me Justina Shkupin. “Kjo grua, vullnetarisht e nisur nga Tirana për në Spanjë, por që disa nga të emigracionit shqiptar e patën ndaluar në Paris, i kapërceu pengesat, dhe me punën e saj nëpër spitalet e Republikës ia zbardhi faqen gruas shqiptare”.
Pas kthimit nga Spanja, dhe pas luftës së dytë botërore, ajo në Shqipëri bëri një jetë askete. Nuk e la profesionin e infermieres, por jetoi në Tiranë, siç pohon autori Sadik Bejko, “pa njeri e pa shtëpi, në ferrin e barakave pranë Spitalit Civil (sot spitali Nënë Tereza) dhe vdiq nga fundi i viteve ’80-të.”(Me gjasë, ky është një pohim i pasaktë, sepse nuk ka vdekur nga fundi i 80-tave, por më herët në bazë të rrëfimeve tjera). Nëse ishte e lënë pas dore nga shoqëria, nuk ishte harruar nga ish-bashkëluftëtari. Kështu, Petro Marko, me lekët nga honorari i romanit “Nata e Ustikës”, i bëri një pllakë betoni, i vuri dhe emrin mbi varr që emri i Justina Shkupit të mos harrohej kurrë. Dëshmitar të kësaj la personin me emrin Bardhosh Gaçe. Kur kishte ardhur Nënë Tereza, varri i saj në Shtish-Tufinë pothuajse ishte shlyer nga pllaka, kurse vetë Petro Markon e kishte rënduar pleqëria. Ndaj nuk qe lehtë t’ia gjenin për t’u përkulur internacionalistja tjetër më e famshme.
Nëse shteti shqiptar nuk u kujdes shumë për Justina Shkupin, nuk do të thotë se ajo është krejtësisht e panjohur, sepse ajo mbetet në Regjistrin ndërkombëtar e vullnetarëve të luftës së Spanjës, edhe atë si ndihmës-mjeke e “mjekut të tri kontinenteve” Norman Bethyn. Pra, një personalitet jo e rastit që u gjet në vorbullën e luftës qytetare të Spanjës, në anën që luftonte kundër fashizmit të gjeneralit famëkeq Franko.
Dëshmi për këtë prapë na sjell autori Sadik Bejko, i cili thotë se në Spanjë nuk e kanë harruar Justina Shkupin, sepse në Madrid një rrugë kishte marrë emrin e saj.
E ne, a ia kemi gjetur vendin e duhur në kujtesën kombëtare? Çfarë kemi bërë? Sigurisht që historiografia episodin e pjesëmarrjes së vullnetarëve shqiptarë në Spanjë, ndoshta pak duke i dhënë edhe ngjyra ideologjike, e ka trajtuar si shprehje e liridashësisë dhe solidaritetit. Të ishe “luftëtar Spanje” në ish Jugosllavi, ishte nder i madh dhe çështje statusore. Ndaj dhe historia dhe shoqëria i respektonte duke u dhënë dhe beneficione. Atyre që kishin dhënë jetën, ishin glorifikuar tej mase. Ndër ta edhe disa shqiptarë nga ish-Jugosllavia, si Xhemal Kada, Asim Vokshi, ndërkaq edhe në Shqipëri duhet t’u kenë shkruar lavde atyre që ishin nga Shqipëria.
Ditë më parë, pasi përfundova këtë hulumtim të vogël për Justinën, të dhënat i përmblodha në një shkrim dhe ia drejtova kryetarit të komunës së Çairit, Visar Ganiut, me një qëllim të vetëm, që emri i Justina Shkupit, “të kthehet” në vendlindjen e saj. Në kontekst të një vendimi të Qytetit të Shkupit për rishikimin e emrave të Shkupit, është një moment i përshtatshëm që ta kenë parasysh edhe këtë emër. Përderisa një rrugë e Madridit mban emrin e saj, mund ta mbajë edhe një rrugë e Shkupit.
Ose, atë që ia propozova si ide kryetarit të Çairit, emri i kësaj femre që ka ecur para kohës së vet, t’i jepet ambulantes së Bit Pazarit ose ndonjë institucioni tjetër shëndetësor, duke parasysh se Justina Shkupi ka qenë infermiere dhe ndihmës-mjeke e mjekut të njohur kanadez, Norman Bethyne, në një ngjarje të madhe, ku janë bashkuar njerëz liridashës, punëtorë e intelektualë, mjekë e shkrimtarë. Ka gjasa që shkupjania Justina të jetë njohur dhe ta ketë takuar edhe Ernest Heminguejin, që po ashtu ka qenë në Spanjë, përderisa me të është takuar Petro Marko.
Qëllimi i këtij shkrimi është që t’u bëhet apel edhe historianëve që të merren me hulumtimin edhe të rrënjëve të Justinës, sepse një infermiere e fillimit të shekullit 20-të, sikundër edhe në rastin e Nënë Terezës, nuk ka mundur të dalë nga ndonjë familje “e rastit”, që s’ka qenë e përparuar dhe e ngritur kombëtarisht.
Është për t’u veçuar pikërisht fakti se, nëse shteti dhe shoqëria shqiptare nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje, dëshmitë për të janë në faqet e librave të disa autorëve të njohur. Skënder Luarasi në librin “Në brigadat internacionale në Spanjë” ku thotë se Jusina ia zbardhi fytyrën gruas shqiptare, rrëfen një episod, kur ishte bombarduar treni dhe të gjithë mjekët dhe infermierët dolën nga vagonët për të shpëtuar, vetëm ajo jo mbeti në tren për t’u dhënë gjak të plagosurve, duke u plagosur edhe vetë nga një plumb në shpatull.
Një nga poetët më të njohur shqiptarë, Xhevahir Spahiu, shëmbëlltyrën e flijesës dhe humanizmit së saj, do t’i fusë në vargje:
“Një mijë e një vjeçe./E thinjur si natë Mesdheu./Pa fëmijë./Krejtësisht e dehur./-Ajo që Spanjës i pati lidhur plagët/ dha frymën e fundit në një klinikë të shkretë./ Tek koka i bënte diell një Poet”* (Poeti për të cilin flet Xhevahir Spahiu, ishte Petro Marko)
Raporti mbase më miqësor e vëllazëror kundrejt Justina Shkupit, pa dyshim mbetet ai i PetroMarkos, duke mbajtur miqësinë gjithë jetën, madje dhe pas vdekjes. Sepse, Petro Marko jo vetëm që e futi si personazh në romanin e tij, ai shpesh e vizitonte në spitalin ku punonte, dhe pas vdekjes së Justinës, u përkujdes me mjetet e veta financiare t’i bëjë një varr me nishane si i ka hije.
Studiuesi Bardhosh Gaçe në kujtimet e tij për shkrimtarin Petro Marko, rrëfen bisedat me shkrimtarin për gruan fisnike dhe të përvuajtur Justina Shkupin, i cili me një rast i kishte thënë:“Justina Shkupi ishte shoqe me Nënë Terezën. Me dashurinë për njeriun dhe lirinë ajo shërbeu në frontin e Luftës së Spanjës si infermiere krahas Norman Betynit të famshëm. Ne shqiptarët duhet t’i ngremë një bust asaj në sheshet e Tiranës…”. Se çka do të bëjë Tirana, është çështje që i përket ErionVeliajt ose ndonjë tjetri pas tij, çështja është çka duhet të bëjë Shkupi. Ndaj, më tepër se për të bërë shkrim, i cili do të lexohet dhe nesër do të harrohet, u përpoqa që t’i drejtohem një institucioni relevant, komunës së Çairit dhe kryetarit të saj Visar Ganiu, i cili mund të bëjë diçka konkretisht që Justina Shkupin “ta kthejë” në vendlindje dhe t’ia gjejë një vend të merituar. (fund)