Presidenti amerikan Donald Trump është angazhuar për të gjetur një zgjidhje për dialogun Kosovë-Serbi dhe me dy letra dërguar respekitivisht për Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiç e ka shprehur hapur qëndrimin pro ndryshimit të kufijve, por me konsensus.
Referuar ndërhyrjes së Trump në këtë debat të gjerë, media serbe “Kurir” shkruan sot se angazhimi i madh nga SHBA-të së bashku me inkuadrimin e Rusisë dhe Kinës mund të sjellë një zgjidhje përfundimtare për Kosovën.
“Përfshirja e Rusisë dhe Kinës përforcojnë shanset e Beogradit të luftojë për interesat e tij në Kosovë, sepse nuk do të jetë më i vetëm kundër të gjithëve në tavolinën e bisedimeve”, shkruan e përditshmja serbe.
Ndërkohë në shkrim theksohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të marrin rol kyç në zgjidhjen e çështjes së kufirit, ndërsa theksohet se “Këshilli i Sigurimit në OKB mund të sjellë një Rezolutë të re 1244 për Kosovën”.