Për shkak të kushteve të këqija në Qendrën ekzistuese për të huajt në Gazi Babë, është e nevojshme të ndërtohet një objekt i ri me kapacitete të njëjta, kanë informuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. Nga atje theksojnë se janë të rreme lajmet se do të ndërtohet Qendër e përhershme pranuese për migrantë
Destan JONUZI
Shkup, 16 korrik – Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të Qendrës ekzistuese për migrantë në Gazi Babë, ku kushtet janë nën nivelin elementarë, është e nevojshme që të ndërtohet një objekt i njëjtë, i cili tërësisht do të jetë i përshtatshëm me normat dhe standardet ndërkombëtare, informojnë nga MPB-ja. Siç sqarojnë, qëllimi i ndërtimit të kësaj Qendre është të ofrohet pranim i përkohshëm i shtetasve të huaj deri në mbarimin e procedurave adekuate, shkruan gazeta KOHA. Po ashtu, nga MPB informojnë se procedura për ndërtimin e një Qendre të tillë pranuese është në vazhdë, tani për tani është në pjesën e projektimin urbanistik, ndërsa do të jetë i mbështetur financiarisht tërësisht nga IPA fondet e BE-së.
Nga këtu, MPB i hedhë poshtë edhe informacionet se po ndërtohet një Qendër e re për migrantë, duke i quajtur lajmet e tilla tendencioze dhe të pavërteta. Nga Zyra e Avokatit të Popullit thonë se, sipas informacioneve të tyre, për momentin në Qendrën për të huaj në Gazi Babë qëndrojnë gjashtë migrantë, ndërsa kushtet për qëndrim janë johumane dhe se objekti duhet të dislokohet. Ndryshe, edhe Avokati i Popullit për disa vite rresht sinjalizon se Qendra ekzistuese në Gazi Babë nuk i plotëson standardet, ndërsa kushtet për qëndrim janë jo humane, dhe se objekti duhet të dislokohet. Ndërsa gjatë krizës së migrantëve, në këtë Qendër më shumë se një javë ishin të vendosur 500 persona, ndërkaq e njëjta ka kapacitet vetëm për 150. Pas vizitës së tij të paparalajmëruar vitin e kaluar, ekipi i Avokatit të popullit zbuloi shtatë persona të cilat autoritetet u munduan ti fshehin për shkak se nuk ishin të evidentuar ashtu siç parashohin rregullat për pranim.
Në Raportin vjetor të Avokatit të Popullit, një nga rekomandimet ka të bëjë pikërisht me këtë Qendër pranimi, gjegjësisht kërkohet dislokimi i menjëhershëm i saj. Ky rekomandim po ashtu është një nga masat të cilat i ka miratuar Parlamenti vitin e kaluar. Ndërkohë, në Qendrën e azilit në Vizbegë në të cilën ka rreth 200 shtretër, sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, për momentin qëndrojnë 20 deri në 30 migrantë. Ndërsa në dy muajt e fundit, MPB ka parandaluar afër 5000 tentime për hyrje ilegale të migrantëve në vend, si dhe ka zbuluar transport ilegal të qindra migrantëve tjerë. Ndërsa, sipas të dhënave të fundit zyrtare statistikore, në fund të vitit të kaluar, kërkesë për të fituar të drejtën e azilit në Maqedoninë e Veriut kanë dorëzuar 299 persona, nga të cilët 46 nga Afganistani, 14 nga Bangladeshi, 8 nga India, 72 nga Iraku, 19 nga Irani, nga gjashtë nga Kongo dhe Shrilanka, nga dy nga Kosova dhe Rusia, 5 nga Libia, 72 nga Maroku, nga 1 nga Nepali, Eritrea, Alzhiri, Palestina dhe Emiratet Arabe, 89 kërkesa nga qytetarë pakistanezë dhe 12 nga Turqia dhe Serbia. Gjatë vitit 2018, tre qytetarëve nga Kongo u është njohur statusi i azilit, ndërsa në janar të vitit 2019 – nga gjithsej 5 kërkesa të dorëzuara, e drejta e azilit i është njohur një qytetarit nga Turqia dhe Afganistani dhe 3 qytetarëve nga Pakistani. Nga Organizatat joqeveritare theksojnë se asnjë nga migrantët nuk dëshiron të mbetet në Maqedoninë e Veriut dhe se qëllimi është si të arrijnë deri te ndonjë nga vendet evropiane. (koha.mk)