(Fjalë e mbajtur në Langental të Zvicrës me rastin promovimit të librit ‘BLLACA, DHIMBJA E LIRISË’, të autorit Emin AZEMI)
Nga Xhafer SHATRI
Librat si “Bllaca dhimbje e lirisë“ që po promovjmë sot janë të veçantë për përmbajtjen e tyre, për mesazhin që përçojnë e sidomos për jetëgjatësinë. promovimi i librit është një dasmë shumore, meqë ky nuk ‘martohet’ vetëm me njërin apo me njërën, por me shumë sepse kur merr udhë pastaj e gjen kudo, në vitrinë të familjes, në çantën e një studenti, në bibliotekë, në tren, në aeroplan, në pushime, në strajcën e një rrugëtari. Kahmos. Është me ne, herë me njërin e herë me tjetrën e shpeshherë me shumë veta bashkë.
Nuk është ky roman i Coehlos qe e lexojmë me një frymë dhe pastaj ndoshta nuk i rikthehemi me kurrë ani se e ka shkruar një nobelist, ky është libër i veçantë sepse ka kuptimin e monumentit që i është ngritur vuajtjeve, poshtërimit, ëndrrave dhe shpresave të një populli. Klithmave e lotëve të shumtë të tij dhe ndonjë buzëqeshjeje të rrallë. Më sa shihet pikërisht nga faqet e këtij libri u ndërmor nisma shtetërore që në Bllacë të ngritët një Monument, si dëshmi e kalvarit biblik nëpër të cilin kaluan shqiptarët, jo në Mesjetë, por para 20 vitesh dhe para syve të krejt botës. Libri i Emin Azemit, është një kujtim e falenderim monumental për ata që falën ngrohtësi në një kohë të akullt, siç e thotë autori me të drejtë.
Vetëm izraelitët kanë ditur të ngrenë në përmasa botërore Monumentin e vuajtjes e të dhembjes në formë librash të qasshëm për çdonjërin. Ne shqiptarët,mjerisht, e kemi bërë të kundërten. Nuk kemi mbajtur shënime, nuk kemi shkruar libra, apo këtë e kemi bërë shumë rrallë. Kishim një fat tjetër, një fat të rrudhur në gëzhojën tonë, të ndarë në besime e pa një komunikim të hershëm me botën. Prandaj historia jonë ka aq shumë boshllëqe dhe na përseritet në format më cinike të saj.
KY LIBËR DO TË DUHEJ TË ISHTE NE ÇDO FAMILJE
Libri që po promovojmë sot, është një përpjekje serioze, siç e thotë autori për institucionalizimin e kujtesës. Sepse truri harron, sepse atë e përmbytin për çdo ditë hallet e reja, ndërkaq ajo që është shkruar mbetet, mbijeton, dhe nuk e njeh mplakjen, për më tepër sa më i vjetër që është shkrimi aq më i ri e aq më i fortë duket. Prandaj ky liber do të duhej të ishte ne çdo familje gjithandej ku ka shqiptarë, sepse është kronika më besnike, më e sinqertë e njërës prej dramave më të mëdha në historinë e shqiptarëve. Në asnjë libër të shkruar deri më sot nuk e sheh në këto përmasa dramën shqiptare gjatë Luftës së fundit. Sepse kronikat e gazetës “Fakti” herë shkruajnë për Bllacën, herë per Stankovecin, herë për një kamp tjetër, herë për banorët e Reçakut, herë për ata të Prishtinës, herë për ata të Gjakovës. Në faqet e kësaj kronike të dhimbshme pasqyrohet gati krejt Kosova me përshkrime që të lënë pagjumë.
“Gjatë ditëve të fundjavës, si pasojë e ofensivës më të re serbe dhe tërheqjes së verifikatorëve të OSBE-së, dukshëm është rritur numri i atyre që duke i lëshuar vatrat e tyre, strehim kërkojnë në Maqedoni. Një numër i madh i shqiptarëve nga Reçaku i Shtimës, për shkak të bllokimit të fshatit nga ana e forcave policore dhe ushtarake serbe, e kanë braktisur vendlindjen e tyre dhe vendstrehim kanë gjetur në familjet shqiptare në Maqedoni.Treni i relacionit Fushë Kosovë – Shkup, pas nisjes së tij në orët e para të mëngjesit, kishte zbarkuar udhëtarët e rraskapitur, menjëherë pas kalimit të kufirit Kosovë-Maqedoni. Të lënë nën mëshirën e kohës, turma me rreth një mijë persona kishte ecur binarëve, duke rrezikuar jetën e tyre dhe fëmijëve, sepse pikërisht kjo zonë kishte qenë e minuar nga çetnikët serbë.”
Në çdo faqe, mbi 230 sosh, ka rrëfime të tilla të përcjella me fotografi origjinale që ta këpusin shpirtin. Rrëfimet nuk janë të gjata, por si te O’Henri, gati janë maje aisbergu që i përbin shpejt, por vetëm pastaj e kupton se mendjen ta ka vërshuar një oqean me dhimbje… Brenda kopertinave te librit gjejmë përshkrime që të bëjnë të thuash si kemi mundur të mbijetojmë?
“Kemi kaluar nëpër plumba dhe granata, duke mos pasur kohë të marrim asgjë me vete. Granatat binin pandërprerë dhe çdo gjë në qytezë e kishte mbuluar tymi dhe flaka. Të vrarë dhe të plagosur kishte shumë, kufomat e tyre kishin mbetur të pavarrosura rrugëve, përrenjve, nëpër shtëpi e në çdo vend tjetër”, deklaronte një kaçanikase me emrin N.R. në rrëfimin e saj të hidhur për FAKTI-n“
Por në anën tjetër pasqyrohet edhe forca jonë, gatishmëria për të ndihmuar njëri-tjetrin për të mos e braktisur njëri tjetrin.
“Tashmë dhjetëra mijëra të ikur, siç dihet, ishin vendosur në Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Kërçovë e gjetiu nëpër vendbanimet shqiptare në Maqedoni, ku edhe kishin gjetur një humanitet dhe mikpritje të veçantë. Bashkë me mikpritjen ata morën edhe ngrohtësinë e familjarëve, e cila po ua hiqte mërzinë dhe brengat shumë të mëdha që kishin për gjendjen momentale në Kosovë.
KRONIKË E PËRPJEKJEVE SERIOZE PËR SHFAROSJEN E NJË KOMBI
Aty këtu libri ka edhe ndonjë kronikë të shtypit botëror, për të dëshmuar se si e shihnin golgotën tonë edhe të tjerët, bota e madhe, sikundër që ka përshkrime për keqdashjen por edhe injorancën deri në mizori të pushtetarëve maqedonë dhe sidomos të organeve të tyre të rendit që talleshin me vuajtjet tona. Nuk ishin të gjithe, por kishte shumë, megjithatë. Dhe njeriu e ka të vështirë ta harrojë. Ky është një mësim se ne nuk duhet të jemi te tillë, sepse dalin libra si ky që ta kujtojnë dhe kujtesa pastaj kthehet në ndërgjegjësim, në vetëdije dhe në akte konkrete që te ndihmojne të jeshë realist, t’i shohesh gjerat si jane dhe t’i vesh fre altruizmit te cilin në shqiptaret e konsumojmë me tepri.
Definitivisht ky libër na ndihmon të jemi me këmbë në tokë.
“Ka tre ditë që po presim në vetura. Pasi që i harxhuam ato pak rezerva të ushqimit që i patëm me vete, më nuk mundëm të presim, sepse fëmijët nuk mund të durojnë pa ushqim më tepër se një ditë”, na rrëfen Suzana, nënë e cila me fëmijët e saj e kaloi kufirin. “Burri më ka ngelur në veturë, e ne u nisëm këndej. Ushtarët dhe civilët serbë të armatosur i keqtrajtojnë njerëzit, nëpër vetura duke ia plaçkitur paratë dhe arin, ndërsa atyre që kanë vetura të shtrenjta u merren ato. Jam shumë e brengosur për burrin i cili ende është shumë larg që ta kalojë kufirin…”
Por nuk është çdo gjë zi:
“Treni vjen në kufi dhe njerëzit zbresin pa asnjë shpresë, kalojnë në këmbë disa metra dhe dëgjojnë disa zëra shqip: “Vëllezër kokën lartë se nuk jeni vetëm. Mos e humbni krenarinë. Ju do të ktheheni së shpejti në Kosovë”.
Këto fjalë vijnë shpëtimtare, në një sintaksë moderne, nga thellësitë e shekujve që janë dëgjuar dikur në Moré, në çanakala, në Anadolli, në Sul, gjithandej në Jug të Italisë… Këto fjalë tregojnë se ne, megjithatë jemi racë e fortë, nuk është lehtë me na nënshtru. Lexuesi e ka para syve kronikën e perpjekjeve serioze për shfarosjen e nje kombi, në një anë por është forca morale e nje popullli për tëmbijetuar, per t’u ngritur në këmbë dhe për temarrë fatin e vet ne duart e tij, në anën tjetër.
Ne libër ka aty ketu edhe ndonje koment te autorit qe deshmon qartesine e tij, vizionin dhe percaktimin e qarte atdhetar. Te shprehur me fjale tëmatura, me dije qe çelin udhë, që bashkojnë njerez, qe mbjellin e prodhojne ide. Me analiza te tilla Emin Azemi ka vazhduar deri edhe sot, duke mbetur keshtu ndër opinionistët me realist e me të respektuar te botës shqiptare.
Kronikat e gazetes Fakti, çdonjera ne menyren e saj janë një publicistikë lapidare, e tipit te Leon Fdriedlich, që një shekull më parë botoi Golgoten shqiptare.
Por libri i Emin Azemit eshte shume me komplet, eshte shumë më përfshirës edhe për faktin se e ka shkruar një shqiptar i vetëdijshëm se vuajtjet, se hjekat, se dhembjet nuk guxojne te harrohen dhe se ato më se miri kondenzohen, ruhen dhe jetojne brenda kopertinave te nje libri.
Besoj se nuk jemi pak nga ata qe mendojme se njera prej të metave gjenetike te shqiptareve si komb është harresa. Harrojmë lehtë, mund ta lëmë aty këtu ndonjë këngë të vogel per gjëmë të mëdha, i perflasim vuajtjet tona ne muhabete odash, por shume rralle e marrim lapsin për t’i bere ato te pavdekshme.
Eshte një mesim i mirë i qe na jep te gjithëve Emin Azemi.
Në një fletë të librit ka plot këso përshkrimesh: “O Zot, pse na mallkon kështu?! Ishin këto ofshamat e shumë nënave, të cilat në prehërin e tyre mundoheshin t’u ofrojnë ngrohje foshnjave të tyre, fytyra e të cilave kishte vetëm një ngjyrë të mavijosur, të dridhur nga të ftohtët dhe të molisur pa gjumë.“
Nuk është e rastit pse librat e shenjtë lexohen shpesh, kjo behet pr t’u ngulitur porositë e tyre në vetëdijen e çdonjërit. Edhe librat si ky për Bllacën duhet të lexohen shpesh sepse do të na ndihmojë që të mos na përseritet historia. I uroj Emin Azemit shendet e mireqenie qe te vazhdoj me libra e kronika te tjera. Sepse ku botohen libra ka jetë, ka dije, ka të ardhme.
Lagenthal, 27 prill 2019